Kosova – Projekti i dështuar

0

SHPEND GUDAQI

Tetë vjetori i Pavarësisë së shtetesisë tonë e cila kurrë për asnjë ditë të vetme nuk u funksionalizua në kapacitetin e një shteti normal, me të drejta të plota, po na gjenë më mirë se në përvjetorin e ardhshëm dhe më keq se në përvjetorin e shkuar. Vazhdimësia e përkeqësimit të gjendjes po e ngulfatë jetën e qytetarit, po e bënë të pamundshme ekzistencën duke e alarmuar vetëdijen qytetare e cila më në fund ka filluar të reagojë në forma sporadike dhe me sa shihet do të intensifikohet edhe më tej. Që të gjithë ne jemi dëshmitarë të zhvillimeve të fundit në vend: të ikjeve masive ilegale, protestave, grevave; në përgjithësi një ndjenjë jokomoditeti me situatën aktuale. Të thuhet se kjo situatë, pothuajse anarkike, është shkaktuar nga pozicionet dhe konstruktimet e fundit politike është gabim. Tëresia e faktorëve që e kanë imponuar një situatë të tillë gjeneron prej vitesh, para Pavarësisë, në kohën e përfundimit të luftës, kur u ndërtuan Insitucionet e përkohshme nën adiministrimin e faktorëve ndërkombëtarë. Prej atëherë pak kane ndryshuar konstelacionet e hirearkisë së pushtetit. Çka ka ndryshuar është efekti i komponenteve pushtetmbajtëse mbi jetën e qytetarit.

Dikush thotë se kjo mënyrë e pavarësimit është më e shumta që mund të arrihej, dikush tjetër thotë se ne as që jemi pavarësuar ndonjëherë, por, tash, kur po arrihet kulmi i irritimit të qytetarëve me rezultatet e shtetndërtimit (nëse është synuar ndonjëhere shtetndërtimi), po vërtetohet hipoteza e një pjese të njerëzve që ishin skeptikë që prej kohës kur Kosova shpalli pavarësinë. Nëse shohim objektivisht mbi situatën, sado komplekse që është, argumentohet dështimi i Kosovës si projekt i Bashkësisë ndërkombëtare.

Kjo formë e Pavarësisë nuk ishte vullneti i popullit – popullin as që e pyeti kush bile, iu servua si opsion i vetëm pa të drejte komentimi, sado që propagandat e nomenklaturave pushtetmbajtëse mundohen ta legjitimojnë si vullnet të popullit. Ky lloj i pavarësimit me përplot cenzura nuk mund të quhet as Pavarësi pasiqë ka dështuar ta ushtrojë funksionin e një shteti me të drejta të plota. Ne fakt Kosova ne sytë e Bashkësisë ndërkombëtare është një levë lehtë e manipuleshme varësisht nga nevojat rajonale për të ruajtur paqen dhe stabilitetin rajonal siç ata e quajnë. Pasiqë levat e tjera janë të palëvizshme, nuk mbetet tjetër përveç shtetit tonë për t’iu adaptuar rrethanave, apo metaforikisht levave tjera të palëvizshme. Paqja dhe stabiliteti rajonal është bërë një frazë e tejpërsëritshme në deklaratat e politikaneve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Kjo paqe, dhe ky stabilitet arrihet duke shkelur mbi të drejtat thelbësore të njeriut. Iluzioni për paqen e ka mberthyer popullin në një kafaz mjerimi. Kësaj retorike bajate e false, politika vendore iu ka bashkuar me qëllime tejet personale duke e gjetur kështu interesin reciprok me interesat gjeostrategjike në planin afatgjatë të Bashkesise ndërkombëtare.

Bashkësia ndërkombëtare me veprimet e saja ka dëshmuar se nuk do t’ia dijë edhe aq për korrupsionin, krimin, keqpërdorimet, nepotizmin në nivelet e larta të udhëheqejes përderisa këta të fundit e konkretizojnë planin e tyre politik në Ballkan. Bile shpesh kjo është shpagesa për servilizmin e tyre karshi strukturave ndërkombëtare. Diplomacia europiane nuk komunikon me realitetin, nuk mishërohet me mjerimin e qytetarëve. Ata kane agjenda me të qenësishme se sa mirëqenia e qytetarëve të Kosovës. Është fare e kuptueshme kur udhëheqësit e shtetit tënd nuk duan t’ia dinë, si mund të presim atë nga institucionet e BE-së, apo Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Serbia është problem më i madh se Kosova, Kosova është e tyre edhe ashtu. Me Serbine lypset punë më shume, është më komplekse. E duan një aleat më shumë për vete, dhe një më pak për Rusinë. Ndërsa Kosova është karrota që Bashkësia Ndërkombëtare e mbanë në dorë për ta përafruar dhe ndryshuar Serbinë. Serbia po e ha karroten të cilën edhe e dëshiron, ndërkohë që ndërkombëtarët po e arrijnë qëllimin e vet. Në anën tjetër prej karrotës s’po mbetet asgjë.

Në anën tjetër, eksodi i qytetarëve nga zhgënjimi me institucionet e tyre nuk po ndalet, vetëm se po intensifikohet në një masë frikësuese, e cila krijon pasiguri për të ardhmen në një afat afatshkurtër. Dikush thotë se tërë kjo situatë u ngjanë deportimeve sistematike të shqiptarëve të politikave fashiste të Millosheviçit në kohën e shembjes së Jugosllavisë. Dikush tjetër e arsyeton si një zgjedhje të njerëzve dhe e paraqet ngjarjen si një piknik masiv të qytetarëve për në Hungari. Dikujt as qe i intereson, e dikush del dhe e shan shoferin e autobusit me arsyen që ai po e zbrazka vendin me autobusin e tij. Ndërsa e vërteta është se njerëzit janë ngulfatur dhe një pjesë e madhe janë para kolapsit të ekzistencës.

Polarizimet për këtë temë po bëhen gjithnjë e më të vogla, gjithnjë e më shumë përfundimet tona po unifikohen në një konstatim të vetëm e të qartë: shteti jonë ka deficit të kompetencave politike dhe ekonomike për të qenë shtet dhe për të ekzistuar si shtet. Si rrjedhojë gjendja e tanishme nuk mund të quhet falimentim apo kolaps shtetëror përderisa shteti nuk është funksionalizuar ndonjëherë. Institucionet jane improvizime të institucionit, pa kapacitete për t’i shërbyer qytetarit, por me mandat për t’u bërë instrument shtypës ndaj popullit që kërkon të drejta e mirëqenie, e cila me gjasë do të përplasej me politikat gjeostrategjike të faktorëve dominant në botë.
Komandantët e luftës të ashtuquajturit “krahu i luftës”, dhe komandantët e paqes të ashtuquajurit “pasuesit e frymës rugoviane janë bërë makthi më i keq i qytetarëve. Diferencat e tyre ideologjike dhe armiqesitë historike nuk vlejnë kur vjen puna te pushteti dhe pozitat kyçe të cilat të pasurojnë personalisht. Ata e kanë instrumentalizuar insitucionin dhe qytetarin, kështu e fitojnë mandatin e diktatit secilën herë që mbahen zgjedhjet. Në këtë mënyrë proceset zgjedhore kanë arritur në një pikë ku nuk shërbejnë më si proces demokratik sepse nuk sjellin ndryshime. Më e madhja që mund të ndryshojë në zgjedhje është individi, që do ta marrë pozitën, në prapaskenë të njëjtit njerëz dirigjojnë rrugëtimin e vendit.

Krimi është natyralizuar, është normalizuar, dhe shihet si e drejtë dhe privilegj i të qenit politikan. Sindromi i politikanëve kriminelë, të cilët në çdo vend me sundim të ligjit do të ishin delikuent të zakonshëm, hajna xhepash, këtu dominojnë në skenën politike dhe i përafrojnë masat me shantazhe psikologjike ose me manipulime përmes fuqisë së pushtetit që ata e kanë, pasiqë kjo shtresë janë pasuruar aq shumë nga politika në emër të idealeve të luftës saqë qytetarët e pashpresë i nënshtrohen dekadenës dhe demagogjisë së tyre. E çka i mbetet qytetarit kur Sami Lushtaku me një vizitë në KEK e fiton tenderin 6 milionesh? Çka i mbetet qytetarit kur politikanët e leckosur u shnderruan në milionerë. Çka i mbetet qytetarit kur krimi është kaq i hapur dhe pothuajse është legjitimuar. Është një “sekret publik” të cilin e di gjithsecili, por nuk e thotë askush.

Per fund them se, çka nuk është ndërtuar për popullin nuk do t’i shërbejë popullit asnjëherë, poashtu nga populli do të rrënohet, dhe ky proces ka filluar!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here