Kosova përballë Serbisë si Jabllanoviqi përballë Haradinajt 

0

URAN KRASNIQI

I zënë në qoshe nga Ramush Haradinaj në një skutë të Kuvendit të Kosovës, ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, po duket i rrudhur dhe i frikësuar nga një person që fizikisht qëndron në nivele më të larta të zhvillimit.

Nuk dihet se a ka qenë e qetë apo e tensionuar biseda mes tyre, në një vend Haradinaj po shihet se edhe po zhveshet, po ajo që dihet është se Jabllanoviq u kërkoi  falje nënave gjakovare, të cilave më herët u kishte thënë egërsira, pas pengesave që kishin bërë javë më parë për pelegrinët serbë.

Mund të jetë – njerëz jemi me përbërje të mishit dhe  gjakut – dhe Jabllanoviq është frikësuar nga epërsia fizike e Haradinajt e ka thënë vetmevete: “më mirë të kërkoj falje se prapë takohem me të dhe po më rrahë ndokund” .

Por kjo është vetëm sa i takon fotografisë ku janë Jabllanoviq dhe Haradinaj, ç’gjë është edhe e pamjaftueshme për të folur për një peizazh që ka dhënë shumë më shumë fotografi.  Pyetja që kërkon përgjigjje është: a duhet të na bëjë të kënaqur si shtet rrudhja dhe frikësimi i Jabllanoviqit nga Haradinaj në atë fotografi, kur dihet që aparati ynë nga paslufta e deri tash na ka zënë në shumë fotografi të rrudhur e të frikësuar nga Serbia?

Përgjigjja është jo. Kosova ka kohë që përballë Serbisë është pikërisht në rolin e Jabllanoviqit përpara Haradinajt. E rrudhur dhe e frikësuar.

Pa i llogaritur zhvillimet që kanë ndodhur para shpalljes së pavarësisë, përkatësisht deri në vitin 2008,  pa u ndalur  te zhvillimet që kanë qenë nga shpallja e Pavarësisë e deri më sot, ironikisht të njëjtën ditë në fotografitë që Jabllanoviq u rrudh dhe u frikësua nga Haradinaj, para Serbisë u rrudh dhe u frikësua Kosova.

Ndryshe foli Qeveria e Kovsovës paradite, ndryshe veproi pasdite. Një ditë pasi ekzekutivi serb, ku të pranishëm në Beograd ishin edhe ministrat e Qeverisë së Kosovës, kërcënoi Qeverinë e Kosovës për Trepçën, kjo e fundit u zbraps.

Zbythja para Listës serbe rrjedhimisht është zbythje përballë Qeverisë së Serbisë, sepse është krijesë e saj dhe masha e saj në Kosovë.
Në vend që Lista Serbe të frikësohet nga koalicioni PDK-LDK ndodhë e kundërta, druhet koalicioni PDK-LDK nga Lista Serbe; në vend që koalicioni me shumicë shqiptare ta prishë koalicionin me këtë subjekt dhe të lidhet me subjekte të tjera që duan të bashkëpunojnë, Lista serbe kërcënon me prishje të koalicionit. Dhe qetësi në koalicionin e madh.

Duke e parë një situatë të tillë është absurd fascinimi me një fotografi ku Jabllanoviq shihet i rrudhur dhe i frikësuar nga Haradinaj, sepse nuk kihet si të mbyllen sytë përballë rrudhjes dhe frikësimit të Kosovës përpara Serbisë.

Politika kosovare, ku një prej akterëve është Haradinaj, do të duhej të gjendej në pikë më të lartë në fushën ku është prezente edhe politika serbe. Ne nuk kemi nevojë të lumturohemi prej shfaqjeve të liderit të AAK-së ku ai e luan të fortin. Sepse ai është vetëm një nga të dobëtit e politikës kosovare në raport me Serbinë, për shkak të të cilëve Kosova është e rrudhur dhe e frikësuar përballë Serbisë. Politikani sillet si praktikues i sporteve luftarake kur dështon të sillet në zanatin e tij. Vendosë që të përdorë grushtin kur nuk ka argument.

Gjatë këtyre viteve kanë qenë disa meçe boksi dhe kikboksi mes shqiptarëve dhe serbëve, ku disa prej tyre i kanë fituar shqiptarët.  Dhe ekzaltimi do të kuptohej e arsyetohej për këto fitore, sepse bëhet fjalë për matje forcash në sport. Por Haradinaj nuk është boksier dhe as kikboksier dhe politika ka tjetër natyrë. Në politikë përparësitë e një vendi në raport me një vend tjetër krijohen përmes zhvillimit politik, ekonomik, ushtarak, arsimor. Kjo pastaj çon në strategji që edhe e rrudhë e e frikëson tjetrin. Jo me grushta të një politikani ndaj një politikani tjetër. Po të ishte me përplasje fizike të politikanëve Ukraina lëre që po e çliruaka Krimenë, por u bëka shtet me superfuqi në botë, sepse Vitali Klitçko ka qenë kampion i botës në boks dhe prej politikanëve e liderëve të shteteve të botës kush që e rrahë nuk ka.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here