Kosova me kryeprokuror të ri, ai betohet t’i bëjë të ndihen keq shkelësit e ligjit

0

Në një ceremoni të organizuar sot, Aleksandër Lumezi edhe zyrtarisht ka filluar punën si Kryeprokuror i ri i Shtetit, pas dorëzimit të detyrës që ju bë nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha.
“Unë shfrytëzoj rastin të falënderoj Kryeprokurorin Hoxha dhe të gjithë Ju për pjesëmarrjen në këtë ceremoni të dorëzim pranimit të funksionit të Kryeprokurorit të Shtetit. Duke qenë kjo paraqitja ime e parë në këtë funksion pas emërimit nga Presidentja e Republikës, unë dua që përmes kësaj paraqitje të ri konfirmoj para jush dhe qytetarëve të Kosovës se në 7 vitet e ardhshme në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit do të udhëhiqem nga parime dhe standarde të larta në luftimin e kriminalitetit në Kosovë, duke i dhënë prioritet luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit dhe veprave penale tjera karakteristike”, ka thënë Lumezi në këtë ceremoni.
“Synim i imi personal do të jetë ndërtimi i mëtutjeshëm i një sistemi prokurorial stabil dhe efikas i bazuar në vlera dhe standarde ndërkombëtare, duke siguruar transparencë dhe llogaridhënie në pajtim me Kushtetutë dhe ligj. Suksesi dhe arritja e rezultateve konkrete kërkon bashkëpunim dhe koordinim në radhë të parë në mes të prokurorive dhe prokurorëve, i cili bashkëpunim dhe koordinim duhet të zgjerohet tutje edhe me institucione dhe agjenci tjera që zbatojnë ligjin, me qëllim që të krijojmë një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës, për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë, ku të gjithë ndihen të barabartë para ligjit pavarësisht pozitës që kanë në shoqëri”, ka shtuar ai.
“Gjatë ushtrimit të funksionit tim, do të sigurohem që të gjithë ata që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin mos të ndihen mirë dhe të qetë, pasi që forca e ligjit dhe e shtetit do zbatohet kundër tyre pa kompromis. Sundimi i ligjit dhe vënia e drejtësisë do të jetë udhërrëfyes për mua gjatë 7 viteve të ardhshme”, ka përmbyllur kryeprokurori Lumezi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here