Kosova dhe Shqipëria koordinohen për luftimin e krimeve ndërkufitare

0

PRIZREN, 29 JANAR – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, në një takim të përbashkët ndërkufitar të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë Kosovë – Shqipëri (Prizren, Gjakovë, Kukës dhe Bajram Curr), me temë ”Bashkëpunimi ndërshtetëror në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve ndërkufitare” ka thënë se parandalimi dhe luftimi me sukses i kryerësve të veprave penale ndërkufitare është në interesin e dy shteteve dhe qytetareve të këtyre vendeve. “Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për të vazhduar përpjekjet drejtë arritjes se qëllimit të përbashkët për të luftuar në mënyrë efikase krimet ndërkufitare”, ka theksuar ai sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Prokurorit të shtetit. Në këtë takim të organizuar nga u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi, përveç krerëve të prokurorive, gjykatave, Policisë dhe doganave, kanë marrë pjesë edhe Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Elona Gjebrea, Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Prefekti i Qarkut të Kukësit, si dhe përfaqësues të institucioneve tjera të qyteteve ndërkufitare. Pjesëmarrësit e takimit u pajtuan në intensifikimin e takimeve të tilla me qëllim, siç thanë ata, të koordinimit sa më të mirë në luftë kundër krimeve ndërkufitare, rritjen e efikasitetit në shkëmbimin e informatave, unifikimin e legjislacionit, unifikimin dhe lehtësimin e procedurave doganore, shkëmbimin më të shpejt të informatave lidhur me bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në fushën penale etj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here