Kosova dhe Kroacia nënshkruajnë marrëveshjen për partneritet evropian

0

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar sot edhe me zëvendëskryeministren e parë dhe ministren e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Vesna Pusić. Në këtë takim është vlerësuar lartë bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve, duke theksuar se dy vendet do të forcojnë edhe më tutje bashkëpunimin me theks të veçantë në proceset integruese evropiane të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, Thaçi dhe Pusić kanë nënshkruar marrëveshjen për partneritet evropian ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.
Zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se marrëveshja ka për qëllim ofrimin e njohurive dhe mbështetjen për Republikën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, kjo marrëveshje do të avancojë edhe më shumë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Kroacisë, derisa për Republikën e Kosovës, shembulli i integrimit të Kroacisë në BE, do të shërbejë si udhërrëfyes.
Edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Vesna Pusić ka vlerësuar lartë marrëveshjen, duke u zotuar në vazhdimin e mbështetjës së Kroacisë për Kosovën.
Marrëveshja për partneritet evropian parasheh që Qeveria e Republikës së Kroacisë do të ofrojë Republikës së Kosovës njohuri, përvojë dhe ekspertizë specifike të fituar në procesin e integrimit evropian, në format e mëposhtme të bashkëpunimit si organizimit të konsultimeve, iniciativave, ngjarjeve dhe aktiviteteve të përbashkëta.
Po ashtu organizimit të vizitave studimore të ekspertëve nga Republika e Kosovës në institucionet e Republikës së Kroacisë, trajnimet e avancuara përmes seminareve mbi çështjet e integrimit Evropian, legjislacionit, ngritjen institucionale dhe ngritjen e kapaciteteve. Ofrimin e shërbimeve eksperte nga ana e ekspertëve Kroat në fushën e integrimit Evropian, trajnimin dhe shkëmbimin e përvojës sa i përket asistencës financiare të BE-së etj.
Zëvendëskryeministri Thaçi do të takohet edhe me kryeministrin e Kroacisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here