Kosova dhe arratisjet nga vetvetja

0

JONA NEZIRI

Ne që s’jemi pjesë e Kosovës, gjithnjë e kemi pasur një ndjenjë dashurie pak më ndryshe prej atyre që janë pjesë e saj. Kosova për ne ka qenë vendi ku me anë të protestave, këngëve, poezive, familjeve intelektuale me plot kuptimin e llafit na ka dhënë frymimin se atje po punohet më ndryshe. Përderisa në Maqedoni, historikisht represioni na ka mshelë gojën, e jemi bërë një vegël e forcave represive- në Kosovë ka qenë më ndryshe. Fryma studentore ka qenë e gjallë, të kritikuarit e ka pasë vendin e vet e çdo reformë e mirëfilltë është realizuar mjaft bukur.
Çka ndodhi me Kosovën? Dhjetë faktorët që ndikojnë në arratisjen e kosovarëve nga vetvetja:
1. Kosovarët nuk e kanë kondicionin e duhur për me e mbajtë një tempo zhvillimore. Edhe pse, përkundër nesh (në Maqedoni), aty ekzistojnë iniciatorë inteligjentë e shumë të dashur- ata nuk mund të kahëzojnë dembelizmin gjithëpërfshirës. Detyrimisht, zgjedhin një vend tjetër, ku për ta më i lehtë ka me qenë nënshtrimi nga një faktor i jashtëm.
2. Kosovarët harrojnë. Harrojnë shumë. Pasgjithë atyre tronditjeve historike, ata kanë fitue veç një gjë. Amnesinë.
3. Kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi, me më shumë kollajshmëri e përqafojnë ligjin e të huajve, i cili të saksionon poqese ti e gjuan një mbeturinë në tokë sesa ligjin e një shqiptari.
4. Kosovari do që mbrenda natës me u bë gjithçka perfekte, edhe pse nuk kontribuon me asnjifarë faktori për përmirësimin e gjendjes.
5. Kosovarët në esencë janë thellësisht të dëshpruar, e si pasojë e nji dëshpërimi kolektiv, kombi nuk paraqet gjë për ta- andaj i grahin autobusave.
6. Për ta asnjë intelektual nuk është i mirë.
7. Kosovarët janë të vetëdijshëm se fajtorë për gjendjen aktuale, nuk është askush tjetër pos tyre. Andaj, zgjidhja më e lehtë është arratisja nga vetvetja.
8. Kosovarët vuajnë nga sindromi i zhdukjes së unit personal, e mu për këtë ata përpiqen të bëhën pjesë e ndonjë tërësie më të madhe e më të fuqishme jashtë tyre. Ajo fuqi për ata nuk paraqet ndonjë institucion brenda Kosovës, po diçka përtej saj. Heqin dorë nga uni personal, nga forca dhe krenaria, nga vetë liria e tij si individ. Për një vend, në azil.
9. Kosovarët kanë bërë zgjedhje kryesuesish destruktivë. Nëse jeta në esencë anon drejt zhvillimit, shprehjes dhe të të përjetuarit- ata këtë energji e kanë drejtuar kah shkatërrimi. Sa ma shumë që e pengojnë instiktin për jetë, aq më i fortë është instikti për shkatërrim. Thënë në baza shkencore, destruktiviteti është pasojë e jetës së papërjetuar. Ato kushte individuale dhe shoqërore që i kontribuojnë pengimit të jetës krijojnë epshin për ta shkatërruar, e ky, me thënë, krijon një rezervë të madhe, në të cilën ushqehen synimet e posaçme armiqësore të njeriut. Andaj, kosovarët e zgjedhin ikjen.
10. Kosovarët arratisen nga vetvetja, nga kaosi që ia kanë shkaktuar vetë vetes; andaj të rrokur nga paniku dhe shqetësimi, kosovarët janë kapluar nga dëshira e zjarrtë t’u nënshtrohen të tjerëve me nji dëshirë- të jenë nën një regjim të disiplinuar, qoftë ky i interesxhinjëve industrialistë holandezë apo junkerëve gjermanë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here