Korrupsioni, Gjykata e Lushnjës dënon me 9 vjet burg ish-drejtoreshën e Arsimit

0

Gjykata e Lushnjës ka dënuar me 9 vite burg shtetasen Liza Tabaku, duke pranuar kështu kërkesën e Prokurorisë.

Ish-drejtoresha e Arsimit në Lushnjë, akuzohet për “korrupsion pasiv më shumë se një herë në rrethana cilësuese dhe shpërdorim të detyrës”.

Para pak muajsh, Prokuroria e Lushnjës përfundoi hetimet ndaj ish-drejtoreshës së Zyrës Arsimore Lushnjë, Liza Tabaku, djalit të saj, Xhonluko Tabaku, dhe mësuesit Rigert Zeneli, lidhur me një skemë korruptive, ku çdo emërim i mësuesve në Rrethin e Lushnjës kryhej vetëm kundrejt pagesës së shumave të parave nga 3000 deri në 5000 euro.

Nga përgjimet telefonike dhe hetimet speciale të kryera nga Prokuroria e Fierit dhe ajo e Lushnjës u evidentuan disa episode të mitëmarrjes nga ana e të pandehurve. Nga hetimet ka rezultuar se e pandehura Liza Tabaku ndihmohej nga të afërm dhe të njohur të saj, të cilët luanin rolin e ndërmjetësit për persona të ndryshëm për t’i punësuar si mësues, kundrejt shumave të parave.

Nga përgjimet del se qytetarë të ndryshëm të interesuar, i premtonin Tabakut dhënien e një “kafeje”, kundrejt vendimit për emërimin në detyrën e mësuesit. Ndërkohë, gjatë bisedave të zhvilluara mes të pandehurës Liza Tabaku dhe djalit të saj, Xhonluko, në shumë raste ka rezultuar se këta dy persona kanë biseduar me njëri-tjetrin për mundësitë e emërimit, transferimit dhe lejimit të qëndrimit në detyrën e mësuesit, të personave të ndryshëm, kundrejt shumave të ndryshme të parave, që variojnë nga 3000 deri në 5000 euro. shq

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here