Konstatime dhe zgjidhje koniciane mbi realitetin shqiptar

0

ERJOLA SALLUFI

Integrimi në rrjedhat e qytetërimit bashkëkohor dhe ruajtja e elementëve që përbëjnë identitetin kombëtar, është njëkohësisht një sfidë dhe një proҫes sa i vështirë aq edhe i domosdoshëm për progresin e një vendi. Kush më mirë do ta mundësonte këtë veҫse “injektimi” dhe zhvillimi i një patriotizmi konstruktiv. Patriotizëm ky që ka të bëjë me aftësinë për të pranuar kritikat për mangësirat apo cenet me tendencë regresive, por njëkohësisht ka të bëjë edhe me aftësinë për të ruajtur elementët që shërbejnë për identitet dhe mirëqenie kombëtare. Një patriotizëm i tillë konstruktiv dhe dobisjellës konsiston pikërisht në një marrëdhënie harmonike mes qytetarit të një shteti me hapësirën e tij fizike. Këtë mund ta konsiderojmë si një rezultat, që rrjedh nga studimi i veprimtarisë intelektuale të Faik Konicës e përqëndruar në fund shek. XIX dhe fillim shek. XX.

Konica na e mundëson një propozim të tillë edhe pasi gjendet përballë faktit se megjithëse shqiptarët asokohe kishin aspirata për ta rënditur Shqipërinë në rrjedhat e qytetërimit bashkëkohor, sërish ndërmerrnin hapa të tipit “donkishotesk”. Një cilësim i tillë nënkupton se ndërkohë që bota po zhvillohej përpara me ritme shumë të shpejta e të mëdha, Shqipëria qëndronte në një gjendje “vendnumëro-je”, pasi kishte  një lidhje tejet të ngushtë të popullatës me të kaluarën. Kjo gjë nënkupton nga ana e vet një zhvillim regresiv dhe jo progresiv të vendit.

Edhe përballë një situate të tillë, Konica vazhdon dhe e propozon me pikëpamjet e tij shtet- formuese një lidhje harmonike mes qytetarëve dhe atdheut të tyre, si një zgjidhje për ta rindërtuar vendin. Kjo pasi ai mbronte vazhdimisht idenë se” pa ideale, s’ka progres”. Duhen idealet në krye për tu ndjekur, që populli t’i vendosë veprimet e tij në ndjekje të këtyre idealeve për hir të interesit të përbashkët. Për këtë arsye, pavarësisht gjendjes së pashpresë me të cilën po përballej populli në realitet, harmonia mes qytetarit dhe hapësirës fizike e kuptuar si patriotizëm konstruktiv, duhet paraqitur e pranuar si një ideal për t’u ndjekur e për të orientuar veprimet e qytetarëve shqiptarë.

Duke bërë një vlerësim të kontributeve koniciane, Ymer Jaka pohon se: “ Veprimtaria e Konicës merr një peshë të posaҫme dhe në disa aspekte mbetet aktuale dhe mund të shërbejë si udhërrëfyese edhe në përpjekjet që po bën sot gjysma e kombit tonë për të jetuar i lirë dhe i pavarur dhe për t’u integruar në rrjedhat e qytetërimit bashkëkohor”[1].

Duke dashur që të ҫajë midis ngërthimit të ngushtë me traditat dogmatike të shqiptarëve, si dhe në kufizimet intelektuale për shkak të këtij ngërthimi, F.Konica na le që të kuptojmë se progresi i shqiptarëve dhe Shqipërisë nuk varet te ngërthimi apo mbështetja e zakoneve, traditave dogmatike e të vjetëruara, që ju mungon totalisht karakteri elastik i përshtatshmërisë. Por progresi i shqiptarëve dhe Shqipërisë varet nga iluminimi i mendjes dhe harmonia mes qytetarit shqiptar dhe hapësirës fizike, e kuptuar si patriotizëm konstruktiv. Me qëllim që të zhvillohet një harmoni e tillë, vetëm pasi ajo është pranuar si zgjidhje, duhet që vetë qytetarët shqiptarë të plotësojnë disa kritere. Kjo pasi siҫ pohon edhe vetë Konica, e ardhmja e Shqipërisë varet nga vetë shqiptarët.

Disa prej këtyre kritereve që duhen plotësuar janë: puna konstruktive e krijuese; fryma e bashkëpunimit; kryengritjet vetëm në rastet kur shtrohet domosdoshmëria për reforma; vendosja apo bashkërendimi i vullnetit individual në favor të vullnetit të përgjithshëm për hir të interesit të përbashkët. Mosplotësimi i të tilla kritereve nënkupton edhe një moszhvillim të harmonisë së qytetarit me hapësirën fizike. Kjo pasi secili prej këtyre kritereve është në proporcion të drejtë zhvillimi me këtë harmoni.

Ndërkohë  nuk mund të themi se zgjidhja koniciane është e kufizuar në kohë e ne hapësirë, domethënë që vinte si një zgjidhje vetëm për periudhën e fund shek. XIX dhe fillim shek. XX. Por ajo mund të jetë një zgjidhje e vlefshme edhe sot në Shqipërinë e shek. XXI, pasi shumë elemente regresivë të zhvillimit të Shqipërisë së dy shekujve paraardhës zhvillohen në formën e tyre më të kulluar edhe sot. Disa nga këto elementë janë karakteri individualist i popullit; ekzistenca e njerëzve të cilësuar nga Konica me termin “levantinë” apo njerëzit e ҫkombësuar; punësimi jashtë vendit, i cili si fenomen njohu ritme të larta rritjeje që prej viteve 1990,…etj.

Shihet që problemet që preknin dhe prekin Shqipërinë janë të shumta, por e vetme është zgjidhja- “injektimi” apo ngulitja e kulturës ndër shqiptarët, si dhe zhvillimi i një harmonie mes qytetarit shqiptar dhe hapësirës fizike për të shmangur këto probleme. E përkryer kjo zgjidhje do të ishte në qoftë se do të realizohej qysh në vegjëli, sepse njerëzve të rritur që i përkasin këtij aktualiteti, ajo që ju mbetet është vetëm bashkëpunimi me zgjidhësit e këtyre problemeve, probleme që ato vetë i kanë shkaktuar tashmë dhe që sipas Konicës janë pikërisht elita intelektuale shëruesit e shoqërisë apo zgjidhësit e lartpërmendur.

Te kjo shoqëri e këtyre viteve në Shqipëri, sipas Konicës njerëzit jetojnë si në kohën e mesjetës apo akoma më keq si në shpella, duke na risjellë ndërmend disi edhe alegorinë e shpellës platoniane. Edhe Platoni në veprën e tij “Republika”, flet për një                                                                                 shpellë dhe për njerëzit që jetojnë në të dhe që nuk i kthejnë sytë nga drita natyrale apo nuk e marrin iniciativën të dalin në dritën natyrale të diellit, por qëndrojnë në shpellë duke krijuar iluzione përmes hijeve që pasqyrohen ne mur nga flaka e zjarrit. Sipas Platonit, vjen një ditë kur një prej këtyre njerëzve t’i kthejë sytë jashtë shpellës, drejt “ dritës në fund të tunelit” dhe të marrë nismën që të dalë jashtë saj. Në momentin që del jashtë,ky njeri e kupton dhe vetëdijësohet se në ҫ ‘gjendje katastrofale jetonte në shpellë, në injorancë të plotë, duke mos e përqafuar kurrë diturinë e vërtetë. Pyetja që shtron Platoni këtu është se: Ҫ’do të ndodhë në qoftë se ky njeri që tentoi e doli jashtë shpellës dhe përjetoi kënaqësinë e fitimit të dijes së vërtetë, të vendosë të kthehet në shpellë e të dojë t’ju ҫelë sytë edhe të tjerëve? Përgjigjia e tij në një farë mënyre është se, në momentin që kthehet në shpellë dhe kërkon të tërheqë mbas vetes edhe të tjerë për të dalë nga shpella, këta njerëz të mësuar me të tillë jetesë dhe duke menduar se hijet që ato shohin në mur janë dija e vërtetë, atëherë do ta konsideronin atë të ҫmendur[2].

Përmenda këtu këtë analogji me shpellën platoniane, pasi ndër shqiptarët e viteve ’20-’30, sipas Konicës, zhvillohet ky fenomen donkishotesk, ku ndërkohë që bota bën përpara duke zhvilluar teknologjinë e duke ndërmarrë nisma për të rritur nivelin e jetesës dhe mirëqenien e njerëzve, Shqipëria ecën kundër rrjedhës së kohës. E ushqyer me politikat e dogmat e vjetra,ajo ecën drejt regresit e jo drejt progresit. Por ama zgjidhja ngelet:të edukuarit e brezave të rinj me kulturën për të dalë nga ky regres e për të ndërmarrë iniciativën për hir të kombit.

Kjo qe pikënisja e Konicës, por që siҫ shprehet edhe Musa Vyshka, nuk u bë kurrë pikëmbërritja e tij. Erdhi si një “zë i ndërgjegjes”dhe si orientues,por punën ua la të tjerëve,sic e pohon edhe Arshi Pipa. Prandaj edhe Arshi Pipa shprehet për Konicën në një mënyrë të tillë: “Konica qe për cilësinë. Të tjerët dhanë punën, ai dha tonin. Aristokrat i lindun. Sugjeroi,drejtoi,zakonisht i ndjekun me nderim. Por ndodhi shpesh qi nuk e kuptuen.Atëherë u idhnue ,talli ashpër,shau”[3].

Qe pikënisje veprimtaria intelektuale e Konicës, e jo pikëmbërritje e shoqëruar me veprime konkrete sepse siҫ u përmend edhe më herët te shpella platoniane, ka me të vërtetë njerëz që dalin jashtë shpellës, nismë fillimisht rastësore dhe pa ndonjë qëllim në vetvete, por shumica ngelen brenda. Kështu, duke u mësuar dita-ditës gjatë gjithë jetës së tyre me dijen e gënjeshtërt, i marrin për të marrë ato që sjellin një lloj tjetër diturie e që mund të jetë ajo e duhura , dhe vazhdojnë të jetojnë në injorancën e tyre, në një nivel të rrezikshëm konformizmi. Është pikërisht kjo shkallë e rrezikshme konformizmi, që nuk mundëson kryengritjen për ҫështje të përbashkëta e me interes për të gjithë shqiptarët, porse zgjedhin rrugën më të shkurtër konformuese dhe besimin se të “tjerët” do t’i zgjidhin gjërat për ta. Por cilët janë në të vërtetë këta të “tjerë”? A nuk janë edhe ata vetë të “tjerë” që të tjerët besojnë se do t’ju zgjidhin problemet në interes te tyre?  Ata vetë janë të “tjerët” që të tjerët besojnë se e kane zgjidhjen e se do të ngrihen për të mirën e tyre. Mirëpo rezultantja në këtë rast është zero, dhe kjo sepse nisur nga një logjikë e thjeshtë: unë besoj se të tjerët kanë zgjidhjen, ne besojmë se të tjerët kanë zgjidhjen dhe të tjerët besojnë se ne dhe unë si pjesë e ne-ve kemi zgjidhjen. Ndërkohë asnjë nuk lëviz, gjërat vazhdojnë të rrjedhin siҫ janë dhe pritja për “të tjerët” si zgjidhës vazhdon pambarimisht. Pra, krijohet një qark i mbyllur neutral, me plot “të tjerë” zgjidhës, por me asnjë zgjidhje reale dhe konkrete.

Kjo mund të jetë edhe arsyeja se pse Konica nuk e bëri pikëmbërritje qëllimin e tij të realizuar me veprime konkrete, por tërhiqet duke e lënë rrugën e hapur për të tjerë, që ta realizojnë këtë qëllim kur të shohin shenja drite te shoqëria shqiptare e kur të mos ekzistojë më koncepti i “tjetrit” si zgjidhës i ҫështjes publike, porse vetëm koncepti i “unit” si iniciues i ndryshimit.

[1] F.Konica, Vepra 5 studime, zgjodhi dhe përgatiti N.Jorgaqi, Tiranë, Dudaj, 2001, fq. 311

[2] Pjesë e shkëputur dhe e perifrazuar nga libri i Platonit “ Republika”, “Ceu e Shtëpia e LIbrit Phoenix”.

[3] A.Pipa, Kritika, esse 1940-1944,Tiranë, Princi, 2006, fq.61

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here