Kongresistët amerikan: Kosova tashmë është një rrëfim i suksesit

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington. Ajo takoi në Kapitol Hill anëtarët e lartë të Komitetit për Çështje të Jashtme të Kongresit amerikan, të kryesuar nga Kongresisti Ed Royce dhe anëtari i lartë i Komitetit, kongresisti Eliot Engel.

Sipas njoftimit nga presidenca, presidentja Jahjaga falënderoi kongresistët amerikanë për përkrahjen e vazhdueshme që Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka dhënë për Kosovën. Ajo theksoi se Kosova është e lirë dhe e pavarur për shkak të ndihmës dhe përkrahjes së Kongresit amerikan.

Presidentja Jahjaga i informoi kongresistët me rrjedhën e dialogut për  normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe arritjen e marrëveshjeve të fundit. Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të përkrahjes së Shteteve të Bashkuara për dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.

Presidentja Jahjaga gjithashtu kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Kongresistët falënderuan Presidenten Jahjaga për vizitën dhe thanë se Kosova tashmë është një rrëfim i suksesit. Ata ritheksuan përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për aspirata e saja euroatlantike, zbatimin e reformave demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here