Komunikimi- mungesë në planifikimin urban në Kosovë

0

ARBEN LLAUSHA

Qytetet dhe vendbanimet në Kosovë karakterizohen me një ”kaos urban”, ku shihet qartë mungesa e komunikimit të mirëfilltë në të gjitha hallkat e vendimmarrjes. Qytetet në vendet me traditë në planifikim çdoherë kanë për bazë këtë indikator të rëndësishëm i cili është pjesë e pandarë gjatë gjithë procesit të planifikimit. Hallka e komunikimit në procesin e planifikimit në shumicën e qyteteve të Kosovës pothuajse mungon tërësisht. Ky nuk është vetëm një perceptim momental, subjektiv, por bazohet në shumë raporte të publikuara dhe në përvojën timen gati nëntë vjeçare në Kosovë. Dialogu pushtet-qytetarë pothuajse nuk ekziston fare. Edhe nëse organizohet ndonjë takim me qytetarë ai bëhet sa për sy e faqe, dhe qytetarët janë gjithmonë jashtë procesit. Të gjitha projektet në planifikimin fizik bëhen për interesat e ngushta qoftë politike, qoftë të grupeve të ndryshme të interesit. Një dialog i mirëfilltë është me rëndësi të madhe jo vetëm për pjesëmarrësit, por edhe për vetë shoqërinë. Me anë të dialogut rritet besueshmëria në raport ndërmjet pushtetit dhe qytetarit, bëhet shkëmbimi i drejtpërdrejt i informatave si dhe mund të vijnë në pah zgjidhje inovative për problemet në planifikim, në përgjithësi. Komunikimi i mirëfilltë sjellë si pasojë informimin e drejtë, ofron shkëmbimin e informatave, i krijon mundësi qytetarit që të jetë pjesëmarrës aktiv në procesin e vendimmarrjes dhe krijon një partnership ndërmjet qytetarit dhe institucioneve. Pjesëmarrja e qytetarëve është shtylla kryesore për një planifikim të qëndrueshëm. Planifikimi i qëndrueshëm i qyteteve me traditë të planifikimit, në këto dy dekadat e fundit është bërë çelës dhe faktor kryesor në rritjen e zhvillimit të qyteteve si dhe zgjidhjen e problemeve ekologjike. Pa pjesëmarrje të qytetarëve nuk ka ”qytete me zhvillim të qëndrueshëm”. Në një pjesëmarrje aktive të qytetarëve, politikanët marrin njohuri më të thella dhe të detajuara rreth vendbanimeve të caktuara dhe njihen gjithashtu me problemet që ballafaqohen ata qytetarë në ato vendbanime. Pjesëmarrja e qytetarëve është gjithashtu e rëndësishme për një zhvillim të qëndrueshëm të gjithmbarshëm për proceset demokratike dhe socio-ekonomike. Mungesa e komunikimit në procesin e planifikimit si në çdo fushë tjetër sjellë vetëm manipulim. Në dialog, përveç qytetarëve duhet patjetër të përfshihen edhe akterët tjerë privat, si kompanitë e ndryshme lokale dhe akterë tjerë të rëndësishëm ku së bashku nëpërmjet një dialogu të bazuar në njohuri dhe ekspertizë mund të krijojnë strategjitë më të mira në arenën lokale. Vendimet të cilat merren me anë të dialogut kanë një legjitimitet të plotë, ndikon dukshëm në marrjen e përgjegjësisë si nga ana e qytetarëve po ashtu edhe të institucioneve përkatëse dhe krijohet një bagazh i madh i njohurive. Andaj për një planifikim të suksesshëm dhe të qëndrueshëm kërkohet komunikim, komunikim dhe vetëm komunikim.

Autori është master i shkencave urbane në Suedi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here