Komisioni Parlamentar për mbikqyrjen e AKI-së shqyrton situatën lidhur me kërkesat serbe

0

Anëtarë të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë janë shprehur të shqetësuar për mundësinë që kjo agjensi ta ketë së shpejti një zëvendësdrejtor të komunitetit serb, të preferuar nga Lista Serbe.

Komisioni është mbledhur sot për të diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me  mbikëqyrjen e AKI-së, dy javë pasi Bashkim Smakaj dha dorëheqje nga pozita e drejtorit.

Haxhi Shala, Kryetar i Komisionit Parlamentar, e quajti të parakohshme emërimin e një zëvendës drejtori të agjencisë nga komuniteti serb.

“Një marrëveshje e tillë është marrëveshje shumë e gabueshme në këtë kohë, por në një të ardhme të shkurt do të ishte mirë të kemi një zëvendës të komunitetit serb”, tha Haxhi Shala, deputet nga NISMA.

“Lista Srpska është e dirigjuar nga Beogradi, në gjendjen që sot jemi dhe ku do të diskutohen shumë çështje në Bruksel, është shumë e dëmshme për vendin një emërim i tillë”, tha ai.

Mbledhja e ardhshme e këtij Komisioni do të mbahet të Premten e ardhshëm ku edhe parashihet të jetë prezent Zëvendës Drejtori i AKI-së.

Edhe anëtari tjetër i këtij komisioni, Rrustem Berisha nga AAK, tha se nuk ka ende ndonjë njoftim zyrtar për ndryshime në strukturën drejtuese të AKI-së.

“AKI është në formim e sipër. Nuk e di sa është e arsyeshme që të kemi një Zëvendës Drejtor të komunitetit serb, ku sipas strukturës së kësaj agjencie do të ishte më e arsyeshme prezenca e këtij komuniteti në ndonjë pozitë tjetër, por jo në atë te zëvendës drejtorit”, tha deputeti Rrustem Berisha.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here