Kombi i nderit, bollëkut dhe dashurisë

0

NDUE UKAJ

Tash meqë B. Pacollin e kemi “Nderi i Kombit” e arritëm atë synimin e kahershëm, të shumëpritur, si ardhjen e Godosë. Nga sot, jemi lartësuar sa çelë e mbyll sytë në piedestalin ma të lart të kombeve të përparuara, ku rrinë pushtetshëm filozofë, shkrimtarë, kompozitorë, shkencëtarë, politikanë të llojit të Schman-it, Adenauer-it dhe Di Gasperi-t. Aty fare pran tyre është Pacolli ynë, me aureolën e tij që ja vuri në qafë Bujar Nishani, në prag të një pranvere të mrekullueshme që e pret kombin tonë andej e këndej kufirit. Pra, tashmë ai është nderi dhe krenaria e kombit, i krahasuar me Ismail Qemalin, At Zef Pllumin, Ismail Kadarenë, Ibrahim Rugovën e shumë e shumë tjerë viganë të kulturës e politikës shqiptare, dhe më s’kemi arsye të sillemi si qaraman. Tash duhet t’i kërkojmë arsyet e këtij suksese. Natyrisht, këtë sukses e arritëm në saje të suksesit të ditëve të fundit. Po, pra, hamë krunde dhe po sillemi gjithnjë e më mirë dhe kjo është arsyeja pse meritojmë lartësime, çmime, epitete dhe lavde të pambarim. Bujar Nishani bëri mirë, madje shumë. Ai na tregoi kutin me të cilin vlerëson. E kuti i tij kësaj here ishte në përkim me konceptin e krundeve. E për ta rrumbullaku lartësimin tonë, shfaqet një ministër mistrec dhe na tregon sa fëmijë t’i bëjmë. E gjithë kjo shfaqet në teatrin tonë, ku shumica janë shurdhuar dhe s’bëjnë za. Në gjithë këtë amulli, pranohen këshilla nga gjithsecili që di shkrim lexim, dhe me një lehtësi të papërballueshme shkruan për probleme madhore të shtetit. S’prish punë edhe nëse s’e di domethënien e termit politik. Pas gjithë këtyre sukseseve, shteti ynë në bashkëpunim me kombin e kudondodhur krijon Departamentin e Parandalimit të Ankimeve. Tash e tutje, askush s’ka më asnjë arsye të ankohet. Duhet vetëm të brohoritet si në një kor të madh me dirigjentë të shumtë: Rroftë Republika e Nderit, Bollëkut dhe e Dashurisë. Së shpejti, shteti ynë do ta krijojë Ministrinë e Bollëkut (sipas Orwellit) dhe atëherë mundësitë për të lindë fëmijë do të jenë të pakufishme. Duroni vetëm pak. Është çështje e ditësh dhe lumturia është në duar tuaja. Në rrugë e sipër është krijimi i Ministrisë së Dashurisë, që i përgatit kushtet për lindje të fëmijëve; jep instruksione kur duhet bërë atë punën dhe sa herë. Madje, në detale i di kohët ma të mira për shtatëzani. Po, pra. George Orwelli, alegorinë e tij e kishte shkruar për vitin 2015. Krejt në fund, agjitacioni dhe departamenti i fabrikimeve do të mbyllën, sepse këtë punë tash e tutje e bëhet në mënyrë të afishuar. Trillimet, fabrikimet dhe përdhosjet hyjnë në domenin e përparësive të përhershme që ka legjitimuar kombi i nderit, bollëkut dhe dashurisë. Tashmë edhe të kaluarën s’e kemi problem, sepse partia ma nuk pretendon ta kontrollojë dhe as ta ndryshojë historinë. Ajo tashmë e ka në dorë atë. Po bëhet historia. Ky është shteti i Nderit, Bollëkut dhe Dashurisë; një mundësi e mirë për t’u eksploruar. Rroftë fisnikëria jonë, për nder të së cilës jetojmë dhe në saje të së cilës kemi fituar nder dhe jemi lumturuar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here