Kolinda Grabar-Kitaroviç me armë në dorë, simbolikë e tensioneve Kroaci-Serbi

0

Fotoja e Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, me armë në dorë, tregon për situatën e tensionuar që gara për armatim në Ballkan ka shkaktuar në raportet mes Beogradit dhe Zagrebit. Kroacia do të blejë armë amerikane, ndërsa Serbia armë ruse.

Nga mesi i tetorit, Ministria kroate e Mbrojtjes ka marrë nga pala amerikane 16 sisteme portative artilerie, që nuk është asgjë e pazakonshme, sepse Pentagoni i furnizon me armë partnerët në NATO. Por Kroacia, sipas raporteve të fundit të mediave, do të porosisë edhe projektilë balistikë për mbrojtje nga raketat, të cilat mund të arrijnë një largësi deri në 300 kilometra. “Armë të fuqishme, të cilat e ndryshojnë tërësisht balancën ushtarake në rajon”, shkruan gazeta kroate Jutarnji list.

Serbia u shqetësua menjëherë. Kroatët me siguri që nuk po furnizohen me armë për t’i vënë në muze, deklaroi kryeministri serb Aleksandar Vuçiç. Me këto armë Kroacia mund të sulmojë teorikisht çdo pjesë të Serbisë. “Por ne nuk do të jemi objektiv i lehtë”, tha Vuçiçi, pas një takimi me zëvendëskryeministrin rus Dmitri Rogozin javën e kaluar në Beograd. Mysafiri rus i ka ofruar palës serbe komplekset kundërajrore S-300. Një model S-300, Rogozin ia ka dhuruar Vuçiçit para kamerave televizive. Prej sulmeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, kjo armë ka një emër gati mitologjik në Serbi, dhe shumëkush në Serbi thotë se lufta do të kishte përfunduar ndryshe sikur Rusia ta kishte furnizuar Serbinë me këto armë gjatë luftës.

Ndërkaq ambasadori amerikan në Beograd, Kirby i ka porositur Kroacinë dghe Serbinë që paratë me të cilat mendojnë të blejnë armatim t’i shfrytëzojnë për zhvillim ekonomik. /DW/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here