Kohë shkëmbore

0

ARTAN GJYZEL HASANI

 

jetojmë në kohë shkëmbore, e dashur
por poezia është shtëpia jonë e drunjtë
shtëpizë e brishtë me derën erëpishe
ku qukapikët e memories çukasin kujtime…
me dritare qielli dhe perde resh
e siguruar kundër zjarrit, por jo zjarrmisë…

ka një oxhak aty të vjetër shumë
nxjerr tym si oh… pa rënkuar
është lot’ i drurëve që digjen prush
dhe ti përballë meje duke i lexuar
diçka karriges ku mungoj unë…

por jam brenda teje si heshtja në pyll
melodi pikuar në tercina
kur librin mbi gjunjët menduar mbyll
gjethe i bëhen lisit të shpirtit
sytë që më spërkasin me lëndina…

kam ikur…po eja dhe ti…
të ikim, them…të shpëtojmë…
lejlekët e mallit foletë do ngatërrojnë
aq lehtë kur më këtu s’do të jemi…
do rrëzohen vargjet e brenda do na zënë
e kohë të dorëzohemi nuk do kemi …

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here