Kocijançiç: BE-ja nuk e përcakton agjendën e bisedimeve Kosovë – Serbi

0

Bashkimi Evropian tha se agjenda e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përcaktohet nga vet palët.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së Jashtme te BE-së, Federica Mogherini i tha të martën mbrëma Zërit të Amerikës se lehtësuesi i bisedimeve, nuk ndërhyn në temat të cilat palët i sjellin në tryezë.

Të martën mediet serbe cituan zëdhënësen Kocijançiç, të ketë thënë se çështja e ndërmarrjes Trepça, një kompleks minierash në Kosovë, duhet të përfshihet në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke nxitur reagime të ashpra në Kosovë.

Por, në një përgjigje për Zërin e Amerikës, ajo theksoi se “sa i përket çështjes nëse Trepça është pjesë e bisedimeve, Bashkimi Evropian si lehtësues, gjithnjë e ka bërë të qartë se agjenda e bisedimeve caktohet nga Beogradi dhe Prishtinë. Ne nuk komentojmë çështjet që ata duan t’i diskutojnë. Ata i sjellin në tryeze çështje të cilat i konsiderojnë të hapura dhe pastaj vendosin nëse duhet t’i diskutojnë të gjitha ato çështje, ashtu që të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për të gjitha temat e hapura”, theksoi ajo në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.

Të shtunën parlamenti i Kosovës miratoi statutin e ndërmarrjes Trepça si shoqëri aksionare, duke i hapur rrugë zbatimit të ligjit mbi këtë ndërmarrje që pronësinë e kalon nga Agjencia e Privatizimit te qeveria e Kosovës, si aksionare kryesore me 80 për qind, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të Trepçës.

Autoritetet synojnë kësisoj rimëkëmbjen e kësaj ndërmarrjeje që dikur llogaritej si një prej më të mëdhave jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi.

Vendimet e autoriteteve në Kosovë nxitën reagimin e Beogradit që pretendon pronësi mbi Trepçën dhe kërkon që kjo çështje të diskutohet në Bruksel. Shkrimet ne mediet serbe, sipas të cilave BE-ja e ka lënë të hapur këtë mundësi, nxitën reagime të ashpra gjatë së martës në Kosovë. Përmes një njoftimi për media qeveria e Kosovës tha se “qëndrimi i tillë është i paprecedent, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here