KMDLNJ: “Ragip Begaj t’i kërkojë falje Fetah Rudit”

0

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) thekson se në vendet ku respektohet ligji dhe ku ka demokraci të zhvilluar personat me aftësi të kufizuar kanë bartur edhe poste ministrore dhe kontributi nuk ka qenë aspak më i vogël se i ministrave tjerë.

Ky reagim i KMDLNJ-së vjen pasi ditë më parë kryetari i Malishevës, Ragip Begaj e pati një deklaratë shumë diskriminuese në adresë të kandidatit për nënkryetar të kësaj komune, Fetah Rudi i cili, pas një sulmi të armatosur nga persona të pa identifikuar mbeti në karrocë , si person me aftësi të kufizuar.

“Pikërisht kjo gjendje e z. Rudi është arsye që kryetari aktual i Malishevës deklaron se ai nuk mund të jetë nënkryetar për shkak se karroca e kufizon lëvizshmërinë gjë që është në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi në Kosovë të cilat , jo që nuk bëjnë pengesa për persona me aftësi të kufizuar por , përkundrazi i detyrojnë institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet t’i përmbahen kuotës së përcaktuar për punësimin e tyre ( e cila kryesisht nuk respektohet) duke mos vënë asnjë kufizim për postin që duhet ta ushtrojnë”, thuhet në reagim.

KMDLNj i kujton kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj se në vendet ku respektohet ligji dhe ku ka demokraci të zhvilluar personat me aftësi të kufizuar kanë bartur edhe poste ministrore dhe kontributi nuk ka qenë aspak më i vogël se i ministrave tjerë.

“Personave me aftësi të kufizuar duhet t’u jepet mundësia që ta dëshmojnë veten në një mjedis me mundësi të barabarta e jo që ndaj tyre, vendi i punës të konsiderohet si akt mëshire. Kryetari Begaj duhet t’i kërkojë një falje publike z. Rudi, si detyrim moral ndërsa nuk duhet t’i bëjë asnjë pengesë z. Rudi për vend të punës, si detyrim ligjor”, thuhet në reagim.

KMDLNj e përkujton Begajn se të drejtat e njeriut janë universale dhe se ky parim është bërë pjesë edhe e Kushtetutës së Kosovës, si akt më i lartë politik dhe detyrues për të gjithë bartësit e posteve institucionale në Kosovë ku as Begaj nuk bënë përjashtim.

“KMDLNj pret dhe shpreson se kjo çështje do të zgjidhet sipas ligjit dhe se rasti nuk duhet të politizohet siç po bëhen përpjekje por duhet të konsiderohet si një e drejtë e njeriut që ia mundëson ligji z. Rudi të punësohet në përputhje me kualifikimin profesional, pa u diskriminuar shkaku se është person me aftësi të kufizuar”!, thuhet ndër të tjera në reagim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here