Klodiana Shpendi: Nuk më pëlqen fakti që politika është kthyer në kryefjalë

0

Natyra, klima dhe gjuha janë elemente për të cilat prezantuesja e njohur e Televizionit Shqiptar, Klodiana Shpendi, e do Shqipërinë. “Si duket është lidhja e gjakut që nuk të tradhëton dhe nuk e tradhëton dot. Është dashuri reciproke, Njeri-Atdhe”, ka thënë ajo.
Një nga fytyrat e njohura të TVSH-së në një intervistë për portalin Online ka thënë se shoqëria duhet bërë shumë për fëmijët. “Duhet të bëhet shumë, të aktivizohen në aktivitete të përshtatshme për ta, të prodhohen sa më shumë emisione edukative, të formohen me të gjithë elementët e domosdoshëm paralel moshës së tyre”.
Shpendi, ka folur për veten jashtë ekranit, për Tiranën, Shkodrën, Ulqinin…

Kush është Klodiana Shpendi jashtë ekranit televiziv?
Besoj se jam e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me punën që bëj, dhe pjesa më e madhe e të përditshmes time fokusohet aty. Duke qenë se më pëlqen jeta sociale, takohem me miqtë e mi dhe besoj se njerëzit që kanë miq të mirë janë të bekuar. Librin e dua shumë gjithashtu. Mendoj se të lexuarit e kompleton njeriun. Mrekullohem nga fakti se si ato rreshta, ato përshkrime të çojnë në vende të tjera, që edhe pse i jeton në fantazi, të duket sikur i prek me të vërtetë. Më vjen keq që sot njerëzit janë të ‘burgosurit’ e telekomandës, rrjeteve sociale dhe kjo po e çon shoqërinë tonë në asfiksi morale. Mbi të gjitha ngjyrat më të bukura të ditës mi fal familja ime. Jam me fat që janë kaq të mrekullueshëm, pika ime e referimit, mbështetja ime, e adhuroj.

Në TVSH keni lëvizur nga një rol në tjetrin, cilën rubrikë e keni bërë punën më me endje?

Në 13 vjet punë, pasion në TVSH jam angazhuar në emisione të ndryshme. Fillimet e mia lidhen me anonçimin e programit ditor, për të vijuar më pas si moderatore në një emision rinor i cili quhej ‘Troç’, dhe trajtonte problematikat e adoleshentëve. Më pas, për katër vjet radhazi jam angazhuar në emisionin e përditshëm të mëngjesit, ‘Aktualitet Përmes Shtypit’, format ky ku në fokus ishin intervistat e të ftuarve që argumentonin gjerësisht problemet më të ndjeshme të javës si dhe leximi i shtypit të ditës. Gjithashtu për dy vite kam mbuluar lidhjet direkte në një tjetër emision të përditshëm, ‘Drejtpërdrejt’. Por pavarësisht daljes në ekran, nuk jam shkëputur ndonjëherë nga përgatitja e kronikave. Xhirimi i ngjarjeve, ndërtimi i tekstit me shkrimin tim të rrëmujshëm nga nxitimi, është pasion më vete. Më pëlqen që fillimisht të shkruaj në letër, më pas e hedh materialin në kompjuter. Aktualisht jam moderatore në një emision të ri që ka nisur në TVSH, ‘Art dhe Art’, ku së bashku me kritikun e artit dr.Abaz Hado sjellim artin pamor ndryshe. Misioni, qëllimi i këtij formati është që të ndërgjegjësojmë njërëzit për rëndësinë që ka arti.

Kë keni idol në profesion?
Nuk mund të veçoj idhull, por mund të them që më pëlqejnë njerëzit e përgatitur. Ata nga të cilët mund të mësosh sepse mësimi është një bashkëudhëtar pandarë i të gjithë jetës së njeriut. Gazetari është avokati i qytetarëve dhe sa më shumë ‘luftojnë’ për të drejtën me ‘armën’ më të bukur që kanë, fjalën, aq më shumë i vlerësoj dhe i shoh si modele. Modele për t’u ndjekur, jo imituar, sepse kjo e fundit mendoj është kopja e shëmtuar e origjinalit.

Dihet që keni raporte me tre qytete: Shkodrën, Tiranën dhe Ulqinin, ku ndiheni më mirë?
Tiranën e dua shumë. Ndonjëherë është dhe raport dashuri-urrejtje për shkak edhe të zhurmave, trafikut, apo edhe faktorëve të tjerë, por në sipërfaqe del lidhja e brendshme, organike që kam me këtë qytet. Si duket edhe sepse im atë shpesh më tregon histori pafund për Tiranën dhe kjo lidhje shpirtërore nuk eklipsohet nga ritmi i jetës së vrullshme që mbizotëron sot. Ndërsa Shkodra është pika ime e dobët mund të them. Jam shumë e lidhur dhe është qyteti që më fal qetësi. I dua shkodranët sepse janë të humorit, batutës dhe kanë ilaçin antistres, buzëqeshjen dhe fjalën e mirë. Edhe në Ulqin shkoj shpesh sepse kam kushërinj, dhe madje Shkodrën me Ulqinin i shikoj sikur janë motra. Qytet shumë i qetë dhe njerëz të kulturuar. Të falin paqe.

Cili është libri i fundit që e keni lexuar dhe a i kushtoni kohë leximit?

‘Vanilje dhe çokollatë’ është libri që po lexoj momentalisht. Libër i një prej autoreve më të dashura në Itali, Sveva Modignani. Një autore femër që pasqyron një histori që ndeshet shpesh kohët e sotme, por edhe që evidenton forcën e femrës dhe rëndësinë reale që ajo ka.

Çfarë nuk të pëlqen në Shqipëri dhe për çfarë e do Shqipërinë?

Nuk më pëlqen fakti që politika është kthyer në kryefjalë, në refren të ditës, jo vetëm nga grupmosha të mëdha, por edhe nga fëmijët. Duhet të bëhet shumë, të aktivizohen në aktivitete të përshtatshme për ta, të prodhohen sa më shumë emisione edukative, të formohen me të gjithë elementët e domosdoshëm paralel moshës së tyre. Për çfarë e dua vendin tim? Për natyrën e mrekullueshme, klimën, gjuhën. Si duket është lidhja e gjakut që nuk të tradhëton dhe nuk e tradhëton dot. Është dashuri reciproke, Njeri-Atdhe.

A ke qenë ndonjëherë në Kosovë dhe çfarë vendi dhe çfarë njerëz të duken shqiptarët e Kosovës?

Së shpejti do të vij në Prishtinë sepse do të përgatisim një emision enkas për artin pamor atje, duke patur parasysh faktin edhe sa e doni ju artin dhe sa shumë keni punuar për ta ringritur atë. Kam mjaft miq në Kosovë dhe mendoj se janë shembull mjaft i mirë për të dëshmuar dhe përfaqësuar një vend që e do gjuhën e tij, traditat, kulturën dhe arsimin. Janë tregues të pagabueshëm për të kuptuar vlerat njerëzore që i karakterizojnë.

Si është një burrë ideal në mendjen e Klodianës?

Çdo femër ka shijet e saj personale, por janë disa cilësi që i vlerësoj te një mashkull. Është bukur kur ai arrin të lexojë dhe të kuptojë femrën me të cilën është dashuruar. Mendja dhe komunikimi janë armët më fuqishme të dashurisë dhe gjithashtu vlerësoj një mashkull që di të vendosë, të ketë shpirtin e inisiativës dhe personalitet. E di që pjesën më dërrmuese të rasteve mashkulli ideal është një utopi, por përderisa ekziston njeriu që na bën të dashurohemi me të, kjo mjafton për të thënë që ideali, perfekti ekziston.

Cilat janë planet tuaja në të ardhmen?

Jam gjithmonë me plane, me dëshira në kokë. Në fakt është një plan i afërt për të cilin jam shumë entuziaste, por meqë jam supersticioze nuk e them sepse më duket sikur nuk do realizohet. Ndoshta jua them intervistën tjetër kur ta kem më konkret si plan.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here