Klaudia Alhysa: “Dua që librat e mi t’i rezistojnë çdo kohe”

0

Librat e saj të njihen kudo dhe t’i rezistojnë çdo kohe, këtë dëshirë e ka shkrimtarja e re Klaudia Alhysa. Vajza e lindur në Tiranë i ka hyrë herët rrugës së Letërsisë. Ajo qysh në moshën katërmbëdhjetë vjeçare e botoi librin e saj të parë “Jeta e një nëne është fëmija”.  Më pas Klaudia në moshën 17-vjecare do ta kultivonte talentin e saj,duke botuar librin e saj të dytë,vëllimin me poezi të titulluar “Dilemë”.  Në moshën 19 vjeçare ajo boton librin e saj të tretë. Përsëri një vëllim me tregime i titulluar “Plagët e një melodie”. Alhysa shprehet, se libri i saj i katërt i cili pritet të dalë shumë shpejt është një roman i cili flet për një histori dashurie, ndryshe nga ato që jemi mësuar shpesh të hasim nëpër libra, por gjithçka mbetet një surprizë. Ajo ka mbaruar studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dega Gjuhë-letërsi.

Jeni autore e dy përmbledhjeve me poezi. Cilat janë motivet e poezisë suaj?                      Është e vërtetë. Jam autore e dy librave me poezi të titulluar “Dilemë” dhe “Plagët e një melodie”. Përmbledhja me poezi e titulluar “Dilemë” është botuar në vitin 2011 dhe është një përmbledhje, që si motiv ka ndjenjën e bukur të dashurisë. Besoj se çdokush që ka dashuruar me të vërtetë, do e gjente veten në çdo varg të këtij libri. Ndryshe nga “Dilemë”, “Plagët e një melodie” i botuar në 2013 nuk flet vetëm për dashurinë midis dy individëve, por edhe për dashurinë prind-femijë, për abortin, drogën, tradhtinë, e një shumllojshmëri tematikash të shkëputura nga jeta e përditshme. Ky liber tregon botën me të gjitha reflekset e saj. Jam munduar që të dy librat të jenë gjithpërfshirës, e pse jo të lexohen nga të gjithë.

Në të njëjtën kohë e keni botuar edhe një libër me tregime. Çka mund të thuhet për të?

Përmbjedhja me tregime “Jeta e një nëne është fëmija” është dhe libri im i parë të cilin e kam botuar kur isha vetëm 14-vjec. I kam vendosur këtë titull duke qenë se kam një lidhje shumë të veçantë me nënën time. Tregimet në këtë libër janë histori të vërteta, të shkëputura nga ngjarje të jetës së përditshme. Ndonëse të para në syrin e një fëmije, qartësia në të shkruar dhe trajtimi që iu është bërë ngjarjeve, bën që ato t’i japin mundësinë lexuesve, ta gjejnë veten shpeshherë edhe si personazhe të tregimeve. Ambicia, këmbëngulja, lumturia, suksesi, por edhe dështimi, e shumë e shumë motive të tjera do të jenë një pjese e pandarë gjatë leximit për çdokënd.

Tash duket se jeni në proces të shkruarit të një romani. A mund të na flsini pak për të?        Aktualisht jam në përfundim të tij. Romani titullohet “Trëndafili në dëbore”. Subjekti i romanit flet për një histori të bukur dashurie midis dy të rinjsh, mirëpo me një fund ndryshe nga ato që jemi mësuar të lexojmë shpesh nëpër libra. Për më shumë detaje rreth tij, do ju ftoj të lexoni vetë librin, pasi deri atëherë dua të mbetet surprizë për ju. Kam shkruar ditë e netë të tëra me përkushtim dhe sidomos me shumë dashuri, që ky liber të jetë i suksesshëm dhe kam shumë besim që do të jetë i tillë. Shpresoj që pritshmëritë e mia të realizohen dhe mundi t’ia ketë vlejtur.

Në cilin zhanër të të shkruarit ndiheni më mirë?                                                                                     Nuk mund të bëj një dallim midis zhanreve të të shkruarit. Më pëlqen të shkruaj në të gjitha zhanret. Për mua nuk ka rëndësi forma e të shkruarit, sa ka rendesi përcjellja e materialit në mënyrë sa më të kuptueshme për çdokënd. Kam eksperimentuar në poezi, prozë, roman etj. dhe kam ndjerë po të njëjtën kënaqësi. Pasioni dhe dashuria në të bërit diçka, nuk të le të bësh dallime. Është njësoj si prindi, i cili nuk i ndan dot fëmijet e tij.

Një pyetje e pashmangshme dhe të cilës i japin përgjigje autorët në mënyrat e tyre është ajo: pse shkruani? Pra pse shkruani ju?

Një pyetje me vend. Shkruaj sepse të shkruarit më jep mundësinë, që ndjenjat e mia të mundem t’i gdhend në vargje. Shkruaj sepse përmes gërmash mund ta bëj jetën të buzëqeshë, edhe kur ajo derdh lot. Shkruaj sepse askush s’të kupton dot ashtu siç bën një letër e thjeshtë me ty. Të shkruarit të fal një qetësi shpirtërore, që jo çdokush mund ta kuptojë. Të shkruarit më mbush me jetë dhe jam më shumë se e lumtur që e zotëroj këtë aftësi.

Kush janë autorët qoftë vendorë apo edhe ndërkombëtarë që kanë ndikuar tek ju?             Në njërin prej librave të mi është pjesë edhe thënia : “Preferoj më shumë të jem një shkrimtare e panjohur, sesa e njohur si kopje e shkrimtarëve të tjerë!”. Lexoj shumë, por kurrë nuk kam dashur të marr shembuj prej librave që kam lexuar. Dua që ajo çka une përcjell tek lexuesi të jetë diçka unike, sepse uni është ai që e ben çdokend të dallojë nga të tjerët. Se mohoj që kam shumë shkrimtarë të preferuar, ndër to do të përmendja Dritëro Agollin, Ismail Kadare, Lasgush Poradeci, Fatos Arapi e shumë të tjerë të cilët janë përfaqësues të denjë të krijimtarisë letrare shqiptare, ndërsa nga shkrimtarët ndërkombëtar do të përmendja Honore de Balzak, Viktor Hygo, Emily Bronte, Paulo Cuelho etj.

Si e vlerësoni gjendjen e leximit sot?                                                                                                      Teknologjia ka avancuar shumë dhe kjo gjë ka sjellë varfëri shumë të madhe përsa i perket leximit. Të rinjtë preferojnë më shumë të shpenzojnë orë të tëra në internet duke lexuar kuriozitete apo duke parë një film, sesa të ulen dhe të lexojnë një libër. Janë të rrallë ata të rinj që e dinë vlerën e librit dhe kjo është për të ardhur keq. Nuk ka pasuri më të madhe se satisfaksioni që të fal bota e një libri dhe nuk ka njeri më të varfër në botë, se ai që nuk ka lexuar kurrë.

 A mund të jetohet nga krjimtaria letrare?

Edhe po, edhe jo. Kjo gjë përcaktohet nga suksesi dhe vitet e eksperiencës që ka një shkrimtar. Megjithëse përgjigjja ime anon më shumë tek ajo negative, pasi siç thashë edhe më sipër, me zhvillimin e teknologjisë numri i lexuesve është pakësuar gjë që ka bërë, që dhe interesi për të blerë libra të bjerë. Mendoj se ata që marrin guximim të botojnë një libër, e bëjnë këtë gjë për hir të pasionit dhe dëshirës për ta ndarë krijimtarinë e tyre me lexuesin, duke qenë të ndërgjegjshëm mbi situatën në të cilën tekonologjia e ka kryqëzuar librin dhe individin.

Cilat janë planet e tua në të ardhmen?

Sigurisht që të shkruarit do të jetë gjithmonë pjesë e pandarë e të tashmes dhe e së ardhmes sime. Unë do të vazhdoj ta ushqej këtë pasion, siç kam bërë deri më tash me shpresën, që shumë shpejt shkrimet e mia do të njihen kudo dhe pse jo t’i rezistojnë çdo kohe. Nuk ka kënaqësi më të madhe për një shkrimtar, sesa kur vepra e tij plaket bashkë me të, e nuk mbetet në harresë. Për këtë gjë s’më mbetet gjë tjeter, veçse të vazhdoj të eci mbi hapat e ngadaltë dhe të sigurt që kam hedhur deri më tani. Për më tepër, do të jetë koha ajo që do të dëshmojë suksesin tim!

klaudiaa1

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here