Kjo është intervista e Ermal Mamaqit, e cila po i pëlqen atij se si e ka dhënë

0

Ermal Mamaqit po i pëlqen intervista që e ka dhënë më herët. Aq sa e ka lexuar edhe dy herë. E ka thënë vetë këtë në një status dhe shpërndarje të intervistës që i ka bërë.

Kam dhënë shumë intervista por kjo e fundit është më mbreslënësja. Aq sa e lexova edhe vetë 2 herë
Nga Lorenc Vangjeli.”, ka shkruar Mamaqi.

Më poshtë intervista:

Ermal Mamaqi pa politikë. Unë mes Ramës, Metës dhe Berishës

Ermal Mamaqi ishte më lehtë të intervistohej sesa të takohej. Edhe pse kjo është intervista e tij e parë që jep. Edhe pse është një nga ata shembujt tipikë të njeriut modern që është në të njëjtin moment në dy-tre apo më shumë vende. Ai flet për javanews.al për çdo temë, me humor dhe seriozisht, flet për politikën dhe politikanët, për të sotmen dhe të nesërmen e tij personale dhe natyrisht edhe për varësinë e tij, dashurinë e madhe që e ka zbuluar prej kohësh… internetin. Mamaqi është një nga kulmet, në mos vetë kulmi, i ndjekjes së njërit prej site-ve në internet: ka rreth një milion e shtatë qind mijë like.

Për javanews.al ai tregon marrëdhëniet e tij me personazhet më të pushtetshëm në vend, Ramën, Metën, Berishën, Bashën e Nishanin. Dhe çfarë i ka mbetur peng pa i thënë ende Sokol Olldashit apo mallin për Doktor Florin.

Intervistoi Lorenc Vangjeli

Sapo kam mësuar që ke një kontratë me DigitAlb që të pengon të flasësh për politikë. Dhe natyrisht do ta respektoj këtë kontratë duke mos të pyetur për politikë. Më fal, por çfarë mund të bëjmë tani ne dy shqiptarë që ndodhemi në kafe, njëri për të pyetur dhe tjetri për t’u përgjigjur?

Hë pra, çfarë bëjmë? Si çfarë bëjmë? A jemi në kafe? E sheh që po bëjmë atë që bëjnë të gjithë shqiptarët, po luajmë sportin tonë popullor, rrimë në kafe dhe marrim në gojë dynjanë duke thënë sesa jemi lodhur. Çfarë bëjmë, më thotë? Lorenc, kam respekt për ty, por e nisëm me këmbë sallake këtë bisedë. Ne mund të flasim për gjëra më të bukura se politika. Nëse më lejon po bëj unë një listë me tema dhe votojmë të dy nëse këto janë tema të përshtatshme pr intervistë. Fillojmë me pyetjen e pashmangshme se çfarë do të bëja unë për të siguruar paqen në botë, pastaj për parapëlqimet për lulet natyrale, çfarë di për kultivimin e luleve të akacies apo të qershisë. Pse them për akacien në fillim? Sepse ato simbolizojnë një tip të hapur, të dashur dhe shumë miqësor, siç besoj se edhe ti mendon se jam unë. Pse them lule qershie më pas? Sepse ato simbolizojnë progres dhe mirëqënie, dy gjëra që ja uroj më gjithë shpirt gjithë shqiptarëve. Por ne mund të flasim edhe për armët, për mënyrën e kontrollit të parandalimit të armëve të shkatërrimit në masë, për situatën në Lindjen e Mesme, për gjeopolitikën që është më e ngatërruar sot sesa lëmshet e penjve të gjysheve dje. Po kështu, mund të flasim ose po pate nge dhe kohë edhe të diskutojmë mbi dilemat e mëdha se pse më pëlqejnë lulet, pse urrej armët dhe pse do të luftoja për hir të paqes në botë. Apo mos dukem si kandidate për Miss që po zgjedh këto pyetje? Le të bëhemi seriozë. Nuk flasim për politikë, por fillojmë të flasim për lulet.

Unë vetë nuk e di, por është e mundur të ketë bisedë tjetër mes shqiptarësh përveçse për politikë?

Mua gjete të më pyesësh? Unë dhe në provimin e fundit të matematikës nuk kam shkuar vetë, por kam çuar një deputet që ta japë në vendin tim. Nuk është në fakt as Erion Braçe dhe as ndonjë Erion tjetër, ndonëse emri i fillon po me gërmën E. Por nëse ti je i lig dhe mendon se kam çuar Edi Ramën në provim në vendin tim, e ke gabim sepse vetë Edi e ka mbyllur hesapin me matematikën si lëndë që në klasën e tetë fillore, sepse pastaj shkoi në liceu artistik. Unë them që për të folur gjatë, por jo për politikën, do t’ja vlente ta mendonim veten si dy shqiptarë që kanë lindur njëri në Australi tek kangurët dhe tjetri në Zelandën e Re komshi me atdheun e kangurëve. Të flasim si dy njerëz që nuk kanë ndrojtje se në mund t’u pëlqejë apo jo kjo bisedë e zbardhur edhe miqve të tyre politikanë.

Atëherë kthehemi tek fenomeni: nëse “like”-t në faqen tënde të Facebook-ut do të ishin vota, (janë rreth një milion e shtatë qind mijë), e mendon se mund të konkuroje lehtësisht për President, nëse kreu i shtetit do të zgjidhej nga populli?

Kjo pyetje të vajti vetë në mend apo e ke biseduar më parë me Ilir Metën, sepse e di që ai është kingu që bën kingmaker-in? Të të them një sekret: kur e kam folur me Doktorin që më tha se e kishte pak problem se do të mërzitej Bujari nëse merrte në nishan emrin tim si president, Rama i shkruante SMS Lul Bashës që t’i dërgonte shoqes së ngushtë të gruas sime një tekst në viber: Të lutem më thuaj nëse mund të ndodhë mrekullia! Domethënë nëse pranoja të bëhesha President. Por unë e kam mendjen top, edhe sikur të më quanin Bamir që nuk do të hyj në politikë. Nuk kam asnjë ambicje vetjake. Pastaj as nuk kam vrarë, as nuk kam vjedhur, as nuk jam marrë me drogë dhe as nuk kam diplomë universiteti fallso. Pra nuk plotësoj asnjë kriter për t’u bërë deputet dhe jo më të bëhem president. Megjithatë, siç ka thënë në gusht të vitit 1989 zoti Sali Berisha, atëherë intelektual në takim  me Ramiz Alinë, kurrë mos thuaj kurrë! Kështu që kur të më bëhet tre milion “like”, mund edhe ta ndryshoj mendjen. Tani për tani mendoj se do të ishte mirë që të kishim një kurs këmbimi sipas tabelës: një like barabar me një votë, barabar me një euro. Like i thërrasin shkurt edhe Ilir Metës? E sheh që kjo është një arsye që të më ecë mbarë në jetë?

Si e gjykon dhe si jeton në këtë botën e përditshme të internetit, në të cilën në hapësirën e të cilit ti jeton shumë gjatë?

Jam duke u kuruar që mos më zerë edhe më rëndë sëmundja. Më kanë dhënë shpresë që jam në një situatë të parikuperueshme sepse sa hap sytë kontrolloj tre profile në Facebook, (ermal mamaqi, amievent dhe futjakot.com) tre profile në instagram, messenger, email-et, sms, viber, whatsapp tek dy telefonat dhe edhe njëherë nga fillimi, sms, viber, whatsapp tek tre telefonat e tjerë që i mbaj fshehur, një në bagazhin e makinës, një poshtë sediles së makinës së një shoku që ja ka bllokuar policia dhe një tek furra e pjekjes që kam në shtëpi. Furra është vend i fshehtë sepse nuk hapet kurrë sepse jam me dietë. Dikur, në kohën kur njerëzit e ndiznin zjarrin duke fërkuar dy ose më shumë shkopa, ka ekzistuar një shprehje që më ka pëlqyer shumë: sa rehat ishim pa telefoninë e lëvizshme dhe internetin në këtë botën tonë ende jo globale. Unë jam rasti i kundërt. Kur nuk më bie telefoni dridhem, më zë alergjia dhe frika se mos ka ndonjë problem “serveri” global i “alo”-ve. Në mos sot a nesër, por me siguri dje, do të shkoj tek psikologu për një kafe. Paguan ai për kafen.

Mendon se shqiptarët janë të lodhur nga serioziteti i shtirë, mos ndoshta ky është dhe thelbi i suksesit të site-t tënd futjakot.al?

Shqipëria nuk është rast i veçantë. Jo vetëm në Shqipëri është i suksesshëm humori. Që në muajin e parë futjakot.al u bë web-i i tretë në Shqipëri për numrin e ndjekësve të tij. Meqë edhe në Amerikë site-t e humorit janë në majat e parapëlqimit të publikut, kjo dëshmon se shqiptarët janë evropianë të vërtetë. Ata janë qefli humori, thashethemesh dhe që lumturohen kur shahet dikush. Dhe një gjë serioze: në këtë site është një dritare për të gjithë ata që duan të jenë protagonistë, që duan të publikojnë diçka në këtëweb madje edhe me emrin e tyre. “Prona” më e sigurt është ajo që i bën të gjithë të ndjehen pronarë realë.

A do të ishte më mirë një këngëtar, artist humori për të qeshur dhe humori dramatik (kur është i vërtetë), drejtues emisioni, pra, me një fjalë, një Ermal në postin e presidentit apo një nga ata burrat që nuk u qesh buza kurrë? Dhe çfarë do të bëjë ti ndryshe në atë post?

E para, do të ndryshoja atë ambient të zymtë që ka ai institucion si gjithë të tjerët në Shqipëri. Do të bëja më shumë festa, sfilata, do të hapja një lokal në sallonin e katit të parë me muzikë të zgjedhur live nga vendi e bota dhe duke nisur nga e premtja e çdo jave, përveçse hyrja do të ishte e lirë për gjithë shqiptarët nën 81 vjeç, do të shërbehej dhe mëngjez me paçe, pilaf e vezë të skuqura. Ambiente të tjera do t’i jepja me qera për sebepe të ndryshme familjare sipas asaj që kam parë të shkruar në tabelën e një lokali të ndërtuar në mes të varrezave të Sharrës, në Tiranë: pranojmë porosi për sebepe famuiljare, fejesa, martesa, synetlliqe, ceremoni mortore, të treta, të shtata, të dyzeta. Ti lemë këto plane serioze, për një gjë do të isha i sigurt, në fakt: nuk di çfarë do të thoshte Obama, por padyshim do të isha presidenti më zbavitës dhe aktraktiv, siç thuhet me kulturë, në të gjithë hapësirën e Evropës së bashkuar, por pa Letoninë.

Pse thua pa Letoninë? Pse vë kufi moshe nën 81 vjeç?

Sepse kështu duket edhe më e besueshme, edhe nuk dukem shumë mendjamadh si ti që kështu përballë më dukesh sikur e ke ditëlindjen në të njëjtën ditë me modestinë. E thashë atë moshë sepse aq është një komshiu im që më ka rrahur dy herë kur kam qenë i vogël. Dhe e fundit, shef protokolli do të kem kryeministrin Edi Rama.

Dakort, atëherë një pyetje për motin: ke intervistuar disa politikanë, kush ishte më i vështiri për t’u arritur dhe me kë ka qenë më e lehtë të bëhej bashkëbisedimi?

Me Ben Blushin nuk më ecte mirë biseda. Ndoshta sepse një natë më parë kisha qenë në një restorant meksikan, hëngra shumë pikante, më dhembte barku dhe më vrisnin atletet, kurse atij nuk i pëlqeu mënyra sesi isha veshur. Në fund të intervistës me të arrita të bëhem dentist; i shkula pa anestezi dhe pa lotë në sy, një të qeshur me lotë. Erion Veliaj më duket më i përgatituri për formatin e emisionit tim. E ftova dy herë. Herën e parë se i kishte ardhur rradha, herën e dytë sepse nuk kisha çfarë të bëja.

Çfarë pyetje do t’i bëje nëse do të mundeshe të flisje me mikun tonë Sokol Olldashi?

Koli ishte/është një mik i rrallë. Jo vetëm sepse kam lidhje gjaku. Jo vetëm sepse i kam qëndruar afër në çdo fushatë dhe kam dashur me shpirt t’i jem mbështetje me çdo mundësi që kam pasur. Por mbi të gjitha sepse ishte/është një njeri i rrallë. Më mungon shumë. U mungon shumë njerëzve. Besoj se i mungon edhe këtij ambientit tonë. Iku! Shpesh isha ne konkurim me të. Për këngë. Për barsaleta. Kur i thosha: dëgjoje të fundit fare…, në shumicën dërmuese të rasteve ai tregonte fundin e saj. Ma shkelte me këmbë dëshirën për të treguar të rene e fundit… Do ta doja shumë mundësinë që të flisja edhe njëherë me të. Kam shumë e shumë pyetje dhe shumë e shumë mall, pafund mall. Unë. Ti. Ne. Ata. Ka mall familja, nëna, gruaja, çunat. Kanë mall miqtë dhe armiqtë e tij. Megjithatë, nëse do të duhej një pyetje e vetme për të, do t’i thosha: “Ja vlejti gjithë kjo lodhje, Koli?”

E ke ndjekur fushatën elektorale, të duket si një prodhim OMGJ i importuar nga jashtë apo BIO nga ato që duam të krijojmë nga brenda?

Koha ka qenë e mirë gjatë ditës, do të ketë vranësira gjatë mbrëmjes, kurse gjatë natës me gjasë do të ketë edhe rreshje shiu. Më pyet përsëri për politikë dhe do të të jap parashikimin e motit për të gjithë vitin në vijim dhe tre të tjerët në vazhdim. Mbaje fjalën që i dhamë njëri-tjetrit, të lutem: asnjë fjalë për politikë.

Si të duket politika e ditës që dëshmon se vërtet ka një shumicë vajzash dhe djemsh shumë të talentuar që merren me muzikë, por ndodh shpesh që Tallavaja “fiton” më shumë. Pse ndodh kjo në Shqipëri, sipas teje?

Eshtë e rëndë të pranohet, por ende kultura, niveli intelektual nuk janë në nivelin që do të donim. Nuk më takon mua ta komentoj një gjë të tillë, por ju them se njoh shumë vajza e djem që sforcohen të duken “trendy” dhe me shumë “class”, pinë verë apo kokteil me emra ekzotikë në klube me muzikë moderne dhe pastaj… Pastaj ikin me vrap për t’u çliruar dhe kërcyer zbathur duke dëgjuar tallava. Kjo masë shijeje shpesh orienton dhe vetë muzikantët për t’i dërguar në këto hapësira.

Tani shkëmbimet ndodhin edhe fizikisht në harkun e disa orëve dhe njohja është shumë më e madhe, nisur nga ky fakt, ku mendoni se ka nivel më të lartë muzika e lehtë, në Tiranë apo në Prishtinë?

Ku ka si Tirona? Ça thu, me lale? Ku ka si Tirona, me!

Tani S’kom Mo Asi Ven/

Sosht Tirona Siç Ka Qen/

S’pyt As’njoni Per As’njonin/

Kno Ermoli Me Doktor Florin

Më ka marrë malli dhe për Doktor Florin.

Prishtina ka diktuar në fillim dhe për disa vite me rradhë rrymat e reja dhe mënyrën sesi bëhet muzika moderne, por në fund të gjithë ëndërrojnë për Tiranën. Eshtë një film i vjetër në mos gaboj: Tirana, mon amour!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here