Kërkohet kreativitet për zhbllokimin e kuvendit

0

Organizuar nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Prishtinë është mbajtur tryeza politike “Qasjet aktuale të pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Në fjalën e tij, në cilësi të nikoqirit, kryeparlamentari Veseli situatën aktuale në Kuvendin e Kosovës e cilësoi të pahijshme, kundër Kushtetutës, ligjeve dhe Rregullores së Kuvendit, e cila prodhon efekte negative për vendin në shumë rrafshe. Në këtë kuptim, kryetari Veseli tha se janë 22 projektligje në procedurë të cilat po presin miratimin dhe nuk po mund të procedohet për shkak të kësaj pengese. Këtu ai përmendi Projektligjin për Zonën e Rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij dhe një sërë vendimesh të tjera të cilat duhet t’i marrë Kuvendi, në funksion të zhbllokimit të gjendjes në shumë institucione të pavarura.

Përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, përsëriti qëndrimin e kësaj organizate se bllokimi i Kuvendit është kundër rregullores dhe si e tillë, bie në kundërshtim me parimet demokratike. Duke kërkuar përkushtim serioz nga të gjithë akterët e përfshirë, ai tha se kjo situatë nuk duhet të prodhojë bllokadë institucionale, e cila mund të çojë në zgjedhje të reja.

Gazetari Baton Haxhiu tha se Kuvendi nuk është përgjegjës për marrëveshjet e Brukselit dhe rrjedhimisht, sipas tij, ai do të duhej të ishte institucioni i fundit i cili duhej të bllokohej. Haxhiu tha se duhet gjetur mënyra kreative për të kthyer funksionalitetin në Kuvend.

Behxhet Shala nga KMDLNJ vuri theksin te nevoja e organizimit të një tryeze nga ana e presidentes së vendit, në të cilën, përfaqësues të të gjitha subjekteve politike parlamentare do të diskutonin për tejkalimin e gjendjes. Një hap të tillë e konsideroi të nevojshëm edhe analisti Nexhmedin Spahiu, e cili njëherësh propozoi edhe krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse. Ish-deputeti Berat Buzhala, nga ana e tij, u fokusua te shkaqet e kësaj situate, e cila, sipas tij, është pjesa e fundit e një, siç e cilësoi ai, komedie 10-vjeçare, e përpjekjeve për të bërë shtetin.

Kaltrina Ahmeti nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, iu bashkua idesë për organizimin e një tryeze të përfaqësuesve politikë, ndërsa shtoi se nënshkrimit të marrëveshjeve në Bruksel do t’u duhej paraprirë një konsensus politik në Kuvend.

Gazetari Leonard Kërquki, nga ana e tij, zhvillimet në Kuvend i konsideroi bllokadë fizike por jo edhe diçka të jashtëzakonshme. Ai tha se aktualisht Kosova ka mbetur pa asnjë autoritet të duhur i cili mund ta zgjidhë këtë situatë, përderisa përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk dëshirojnë të ndërhyjnë në këtë fazë.

Edhe përfaqësuesit e organizatave partnere të Kuvendit, Peter Ëelling nga OSBE-ja dhe Rinor Beka nga NDI-ja, vunë theksin te nevoja e zhbllokimit të situatës dhe gjetjes së një zgjidhjeje politike nëpërmjet dialogut.

Në përfundim të kësaj tryeze, kryetari Veseli gjendjen aktuale e cilësoi problem politik dhe jo procedural. Ai tha se Kuvendi është burim i legjitimitetit të pushtetit dhe jo i demonstrimit të forcës. Veseli shtoi se nuk është mirë për Kosovën që të bëhet precedent bllokimi i shumicës nga pakica.

“Kuvendi nuk është vendi më i mirë për të bërë teatër. Nuk do të ketë përdorim të forcës, por Kuvendi do të gjejë mënyra për të vazhduar punën”, theksoi kryetari Veseli, ndërsa paralajmëroi se të gjitha veprimet do të jenë transparente. Ai tha se përgjegjësinë për shtetin duhet ta marrin vendorët e jo ambasadat e huaja.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here