Kërkesa e fundit: Më lini të vdes te nëna ime!

0

Në hyrje të Fierit, një tabelë lajmëron se në të majtë gjendet Mbrostari! Rruga e rrënuar të përgatit për një fshat që ngjan si i mesjetës, ndërsa sapo devijon jo më shumë se 50 metër nga rruga nacionale gjendet një godinë që i ngjan një shtëpie të vjetër: Komuna! Janë ende ca njerëz dhe ca dyer të hapura, ndërsa ndalojmë të interesohemi për ndihmën ekonomike që merr familja e Artur Meçjas, 22-vjeçarit, që ndërroi jetë nën masa të rrepta sigurie edhe pse ishte me sëmundje tumorale, i diagnostifikuar prej më shumë se 8 muajsh. Historia e vdekjes së Arturit, në fakt, ka tronditur jo pak në metropol, ndryshe zyrtarëve vendorë, të cilët as që kishin dëgjuar për gjëmën e familjes Meçja.

“Mbrostari është populluar nga shumë fise” – thonë në një derë, ndërsa në derën tjetër të komunës, që nuk është më e tillë, të pret një njeri i ndërgjegjshëm, që, përveç ndërgjegjes prej punonjësi të dorëzuar përballë faktit se si mund të ndihmohet nëna e Arturit, tregon se: tashmë nuk ka më asgjë të rezervuar për këtë kategori! Familja e Arturit hynte te një kategori e caktuar, në gjendjen e së cilës nuk kishte ndoshta familja jo në Mbrostar, por as në të gjithë Fierin. Aty dhe nga aty, asgjë nuk na u premtua për atë familje, veç faktit qesharak; marrin 20 mijë lekë pension! Të reja?-është pyetja normale e kujtdo që e njeh sado pak historinë e tyre, ndërsa vjen përgjigjja: Jo, jo, të vjetra!!!

Drejt shtëpisë

Familjen Meçja e njihnin në të gjithë rrugën, pasi në shtëpinë e tyre të çonte e njëjta rrugë. E ndanin nga godina që kishte shërbyer për komunë vetëm pak metra, ndërsa një punonjëse e asaj ndërtese tregon se tashmë problemi i asaj familjeje është se si të ndihmohen për të kuruar fëmijët e tjerë. Gruaja, që përveç se punon në zyrën e gjendjes civile, e ka ndihmuar familjen e viktimës t`ju blinte edhe tokën, kur nëna e Arturit, Mimoza Meçja kërkonte të kurohej pasi vuante nga anemia.

Këtu duket se nis edhe kalvari i i dramave dhe i tragjedive të Mimozës, gruas që përveç se e ka braktisur fati, e kanë fundosur edhe faktorë të tjerë jashtë saj. Gruaja që i ka blerë tokën, pjesën e parë, ka tentuar t`i blejë edhe pjesën tjetër, e bindur që donte ta ndihmonte Mimozën, pasi kësaj të fundit i duheshin lekët se ia kërkonte Arturi të dilte nga burgu, vetëm e vetëm që të vdiste në shtëpi, nënës, vëllait dhe motrës së vogël. Në shtëpi gjenden vetëm gra dhe fëmijë, ndërsa vëllai i Arturit, i cili është në klasën e 9-të e ka të vështirë të pranojë humbjen e madhe, të cilën ndoshta është nuk e kupton si dhe sa duhet.

Familja Meçja

Në derë të pret kunata e Mimozës, gruaja e vëllait. Është nga Kukësi, po ashtu siç edhe bashkëshorti i Mimozës, i cili ka ndërruar jetë dy vite më parë. Ishin dashuruar në kohën kur Gëzimi kishte qenë ushtar dhe nuk kishte ikur më në Kukës. Kishte krijuar familje në Mbrostar dhe kishte qëndruar aty.

Problemet që kishte mbartur nga Kukësi, duket se kanë qenë edhe zanafillë e gjithçkaje që, më pas, ka fundosur familjen e tij, ku sot Mimoza e vetme, me ndihmën e dy pleqve, babait dhe nënës së saj të moshuar, duket se nuk ka asnjë lloj mundësie të dalë më. Me një shtëpi pa dyer, pa dritare, me një çati të rrënuar, që s`ka më as përmasat e kasolles jo më të një shtëpie në të cilën banojnë dhe duhet të jetojnë njerëz të presin sikur të njohin prej kohësh! Mimoza, e cila nuk është më në gjendje të shpjegojë se çfarë ka ndodhur, tregon se ajo dhe Arturi kanë mbajtur shtëpinë duke mbledhur dhe shitur kanoçe! Kjo është e vërteta. Na e thanë edhe banor të zonës, por, që kur kishte vdekur Gëzimi dhe rënë në burg Arturi, Mimoza ishte përpjekur të gjente një punë, pasi asgjë nuk mjaftonte për të mbajtur të birin në burg.

Nëna, e cila tri ditë më parë ishte ndarë përjetësisht nga i biri, rrëfen deri në kufijtë e të pabesueshmes gjithçka ka kaluar në përpjekje për ta liruar djalin në prag të vdekjes. Nuk ia arriti. Madje as lutja e Arturit, që iu kishte drejtuar Presidentit të Republikës për ta lënë të vdiste pranë nënës së tij, sërish nuk kishte bërë vend: autoritetet në përgjigjet e tyre “dashamirëse” ndaj Arturit në grahmat e fundit dhe të nënës që i shërbente të birit për të fundit herë, iu rekomandonin të plotësonin si duhet dokumentacionin, pasi mungonin disa dokumente. Përgjigjet për letrat që vinin, datonin rreth një muaj pas kërkesave, sikur sëmundja e Arturit të mos ishte sëmundje. Arturi jo vetëm që vdiq në spital, por madje edhe me pranga, edhe i mbikëqyrur dhe i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore!

Arrestimi i Arturit

Mimozës i kanë mbaruar lotët, ndërsa rrëfen gjithçka mban mend në lidhje me arrestimin e të birit: “Im shoq mbante armë në shtëpi. E mbante prej shumë vitesh dhe kur ndërroi jetë, djali e gjeti ku ai e kishte fshehur. E mori ta hidhte dhe duke luajtur me të u plagos në këmbë. Ka qenë diku përtej shtëpisë, se po ikte ta hidhte te lumi. U plagos në këmbën e majtë dhe shkoi në spital. Qëndroi tri ditë në spital dhe duket se policia i kishte futur nga ato gjërat, që s`ua di emrin, në rroba. Erdhi djali me paterica dhe të nesërmen në orën 2 të natës na bie dera. Kur shoh 5 punonjës policie dhe një makinë. Na hynë brenda dhe kërkuan djalin. Iu thashë se përse e donin, por më thanë se duhej të vinte me ne për në komisariat. Ata vetë e sollën shtëpi.

E morën me paterica dhe e çuan në divizion (bëhet fjalë për komisariatin). Nuk kisha asnjë mundësi ta ndiqja pasi nuk kisha para. E dërguan në Rrogozhinë. U sëmur atje. Nuk kisha mundësi të shkoja sa herë duhej, por përpiqesha. Qëndroi pak atje dhe ma sollën në Fier. Nuk kishte asgjë në dhomë këtu, në Fier, ndërsa në Rrogozhinë ishte më ndryshe. Më kërkonte televizor dhe frigorifer se i prisheshin ushqimet, ndërsa një natë më bie telefoni. Ishte telefonatë pa numër. Diku pas mesnate. Më njoftojnë se Arturi ishte në grahmat e fundit. Aty e më pas, ai nuk u përmirësua më asnjëherë deri sa dha shpirt”.

Rrëfimi i nënës: Beteja e Arturit me vdekjen! 

Prokuroria kishte kërkuar për Arturin 11 vite burg për armëmbajtje pa leje. Gjykata fillimisht e kishte dënuar me 7 vjet burg, ndërsa Apeli i Vlorës ia kishte ulur në 5 vite! Djali, mësohet se ka patur një avokat kryesisht të caktuar nga gjykata e Fierit, ndërsa nuk dihet asnjë detaj se si ka vijuar gjyqi i tij, pasi Mimoza nuk dispononte asnjë dokument që kishte të bënte me dënimin e djalit që nuk jeton më. Gruaja, e nis rrëfimin e saj, pikërisht tek momenti kur Arturi ishte sëmurur dhe deri atë ditë që vdiq:

“ Ma kanë lëvizur sa në spitalin e burgut, sa në burgun e Fierit, ndërsa nuk ma lanë në pavion për ta kuruar. Jam me zemër të plasur dhe besoj se po të kisha patur lekë do ia kisha shpëtuar jetën pasi isha e bindur se mund ta “blija” një dhomë spitali dhe të ma kuronin djalin, ashtu siç m`i qëndruan te koka në kohën kur e panë se ai nuk kishte më jetë. Që në qëndrimin e parë në spitalin e burgut, që ka nisur në muajin prill, Arturi refuzonte të qëndronte në atë vend për të marrë kurimin. Më thoshte se me zor merrte frymë, ndërsa herën e dytë që e kanë sjellë në spital unë nuk dija asgjë. Më kanë telefonuar nga spitali i burgut të Tiranës dhe kur shkova atje mësova se djalin e kishin dërguar në Sanatorium. S`dija asgjë por më thanë se kishte probleme me mushkëritë. Mendova se është ftohur në burg dhe do të kalonte.

Qëndroi rreth 20 ditë në spital të burgut. Aty ishte vërtet tmerr dhe djali herën tjetër refuzonte të shkonte. Pasi u përmirësua, djalin ma sollën sërish në burgun e Fierit. Këtu, një ditë më thirrën me telefon punonjësit e burgut. Me njoftuan se Arturi ishte i sëmurë sërish dhe shkova bashkë me nënën dhe tim atë. Nuk e gjeta te burgu, por një grua, një shefe e burgut më duket, më thirri brenda dhe më tha: Ti duhet të firmosësh këtë letrën! I thashë se përse bëhet fjalë? Më tha se duhej të firmosja se djali duhej të shkonte të kurohej në Spitalin e Burgut ndryshe do ta çonin me forcë. Gjithashtu më tha se në dokument ishte i shkruar edhe fakti se për Arturin ishin kryer të gjitha veprimet e duhura dhe sjellja e punonjësve të burgjeve ka qenë e mirë.

Unë firmosa, pasi një burrë më tha: Nëse ti nuk firmos këtë, ne mund të shkojmë edhe në burg. Ki parasysh se kemi fëmijë e na mbesin në rrugë të madhe. (Gruaja thotë se di të lexojë dhe të shkruajë, ndonëse aty vetëm ka firmosur). Nuk më dhanë asnjë kopje të asaj që firmosa. Unë më pas dola se doja të shikoja tim bir se si ishte, por nuk e pashë. Më thanë se e kanë nisur për Tiranë. Nuk e di se si, por më thanë se e kishin dërguar me helikopter. Me sa mbaj mend ishte korrik! Më pas mbërritëm sërish në spitalin e burgut, por, kur gjendja e tij nisi të përkeqësohej, atëherë ma kaluan në reanimacion dhe aty qëndrova me të deri atë ditë që vdiq.

Qëndruam bashkë dhe folëm për gjithçka. Më kërkoi të shisja tokën dhe ta nxirrja prej aty, ta nxirrja nga prangat dhe unë desh e shita tokën. I thashë asaj gruas që më ka blerë herën e parë të ma merrte vetëm e vetëm që të bëja diçka për të, nuk ia arrita. Doja ta shisja 3 milionë lekë të vjetra, pasi është një copë tokë që ma ka falë im atë, vetëm e vetëm që të kisha mundësi t`i thoja doktorit ose kujtdo tjetër për të ma nisur jashtë shteti për ta kuruar, por unë në fakt harroja se as për ta liruar nuk e liroja dot. Gruaja që doja t`ia shisja tokën, më dha 300 mijë lekë (të vjetra) si kapar, por pastaj më ka thënë se mi ka falur, vetëm për shkak se më duheshin për tek spitali. Tashmë që vdiq, nuk e di se çfarë më duhen më, toka e as jeta!”

Arturi i shkruan presidentit: Më lini te vdes te nëna ime!

Është e shkruar me shkrim dore. Pa gjuhën zyrtare, por me mesazhin e qartë: “Nuk po i shmangem drejtësisë, por më lindi të marr fund te shtëpia ime, te nëna ime. Ju dua shumë të gjithëve!” Kështu ka shkruar Arturi me dorë një letër që duket se iu ka drejtuar presidentit të vendit, Bujar Nishani. Nuk dihet nëse ka mbërritur ndonjëherë në destinacion, por në të shkruhet një lutje jete që është i vetëdijshëm se nuk ka më kthim. “Zonja dhe zotërinj nuk kërkoj shumë, vetëm dua të vdes pranë nënës sime. Fatkeqësisht, fati im nuk mund të ndryshohet më. Më lini të shkoj në shtëpi, kam të drejtë të shikoj për herë të fundit motrën dhe vëllanë tim dhe të vdes aty. Unë ju dua shumë, ju dua me zemër edhe pse tashmë kjo zemër po pushon nga pak çdo ditë”. Këtë letër e gjetëm në një tufë me letra që Mimoza mbante në shtëpi. Ajo nuk dinte në fakt se çfarë ishin, por tregonte se në fakt ishte përpjekur te të gjitha institucionet që ta lironte djalin që të vdiste në shtëpi, të paktën, por të gjitha përgjigjet që kishte marrë kishin qenë të kota.

Materialet që mbante gruaja në shtëpi, si të vetmin kujtim të të birit, kujtime të pamundësisë se saj dhe të indiferencës së këtij shteti, gjendeshin përgjigje institucionesh me nene e ligje, sikur Mimoza të ishte jo një grua e dorëzuar në fatin e errët të të birit që po i ndërronte jetë, por sikur të ishte juriste. Asnjë institucion nuk e kishte ndihmuar gruan që t`i jepte përgjigjen e duhur, ndërsa vetëm mjekët që ishim marrë me djalin, jo vetëm që kishin hartuar shkresën përcjellëse në të cilën ishte shkruar sëmundja dhe gjendja shëndetësore e tij, por madje ajo flet me ta me shumë konsideratë: “Asgjë nuk i mungoi tim biri, deri atë moment që dha shpirt. Mjekët ia plotësuan të gjitha. Iu kam borxh, ndërsa këta të burgjeve dhe drejtësia, nuk e di, veç Zoti e di dhe e njeh dhimbjen time!”

Mimoza tregon se Arturi ka qenë në dijeni të fundit të tij dhe javëve të fundit çdo ditë kërkonte ta çoja në shtëpi. Çdo ditë kërkonte fëmijët ndërsa Mimoza tregon se e kishte të pamundur të merrte rrugën nga Tirana për në Fier të merrte djalin dhe vajzën e t`i sillte në Tiranë. Askush nuk ka trokitur në shtëpinë e Mimozës, ndërsa personat përgjegjës thonë: Asaj nuk i takon përkrahje sociale se rezulton pronare toke! Gruaja, përveç se është vetë e sëmurë, dyshohet se me të njëjtën sëmundje si i biri është edhe vajza, vetëm 7 vjeçe, ndërsa gjithë familja merr 40 mijë lekë të vjetra për të jetuar!/Shekulli/

ata

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here