Kelmendi: Do t’i bëjë krenarë gjithë shqiptarët në “Rio2016

0

Krenaria e sportit të Kosovës, Majlinda Kelmendi vitin 2015 nuk e vlerëson pozitiv për shkak të lëndimeve që e përcollën atë, megjithatë, brenda atij viti ajo ia doli që të rrëmbejë dy medalje.

Megjithëse vitin e kaluar e ka cilësuar si vit jo të mirë, ajo është e bindur se tashmë ka rigjetur formën më të mirë të cilën do të dëshmojë në vitin 2016.

“Vitit 2015 e ceka edhe më herët ka qenë me befasia të shumta, realisht e kam cilësuar si vit që më ka shkuar huq, por fatmirësisht në gara që kam marr pjesë në dy gara të forta i kam marrë dy medalje. Kam marrë pikë të reja olimpike, kështu që jam kthyer më mirë se sa që kam pritur. Realisht në sportin e xhudos garuesit, pas lëndimit i duhet kohë me u kthye dhe rehabilitimi zgjatë më shumë se sa që e presin, mirëpo jam kthyer mirë, më mirë se sa që e kam pritur dhe po besoj që shumë shpejtë kam për tu kthyer aty ku e kam pas vendin”, ka thënë Kelmendi për Kosovapress.

Xhudistja jonë për vitin 2016 objektiv e ka Olimpiadën “Rio2016”. Majlinda thotë se akoma nuk ka arritur në 100 për qind të formës, por ajo është e bindur se deri te Olimpiada e radhës ajo do të gjejë formën më të mirë. Xhudistja pejane thotë se do t’i bëjë të ndihen krenarë shqiptarët duke fituar medalje në “Rio de Janiero”.

“Nuk ka mbet shumë deri në Olimpiadë. Unë e ceka edhe më herët që nuk jam në formë 100 për qind për momentin, mirëpo dita e ditës forma ime po përmirësohet, dita e ditës po jam mirë e më mirë. Lëndimet po shërohen dhe kështu që forma ime çdo ditë po është e mirë e më mirë. Po besoj shumë që në Rio kam me qenë në formë ashtu si duhet me qenë, ndoshta kjo ka të bëjë me anenë psikike se sa në anenë fizike. Mirëpo, tash kam mjaftë eksperiencë dhe po mendoj që do të di ta menaxhoj krejt këtë entuziazëm, gjithë këtë presion, dhe do t’i bëj shqiptarët të ndjehen mirë, dhe do ta realizoj ëndrrën që e kam tash e sa vite”, ka theksuar ajo.

Xhudistja pejane është e vetëdijshëm se në “Rio2016”, konkurrenca është e fortë, por ajo thekson se me kohë do të jetë e gatshme për sfidat e Olimpiadës. Majlinda thotë se edhe në Rio do të jenë garueset që i ka mposhtur, dhe beson se sërish do t’i mposhtë.

Majlinda Kelmendi thekson se në të kaluarën motivin e ka gjetur tek familja e saj, derisa tash thotë se fëmijët e Kosovës e motivojnë shumë për garat që ajo zhvillon në rrafshin ndërkombëtar. Majlinda pohon se është e lumtur që është në gjendje të gëzojë gjithë popullin shqiptar, sidomos fëmijët e vendit tonë.

Ajo beson se viti 2016 do të jetë edhe më i begatshëm për sportin e Kosovës, sidomos për xhudon, sepse sipas saj, në Kosova ka talente të mëdhenj në gjitha sportet.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here