Kah po shkon Blerim Shala?

0

Blerim Shala, i cili para pak ditësh u largua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt, shume shpejt mund t’i bashkohet Partisë Demokratike të Hashim Thaçit. Shala po pretendon që të marrë postin e nënkryetarit të partisë, pozitë të cilën e mbante edhe në AAK.

“Blerim Shala është në negociata me PDK-në për të hyrë në këtë parti. Shala po e kërkon postin e nënkryetarit të partisë, si kusht për t’iu bashkangjitur partisë së drejtuar nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli”, ka thënë ky burim brenda PDK-së.

Sipas këtij burimi, PDK ende nuk ka marrë kurrfarë vendimi për marrjen eventuale të Blerim Shalës. “Megjithatë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli vendosin për gjithçka pa e pyetur askën”, thotë ky burim.

Ndërkaq, zyrtarisht në PDK nuk e kanë mohuar që janë në negociata, mirëpo nuk kanë dhënë detaje tjera.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka thënë për Gazetën Blic se ai nuk është pjesë e negociatave.

“Unë nuk jam pjesë e atyre negociatave”, ka thënë shkurt për Gazetën Blic, Hajredin Kuçi.

Ndërkaq, Blerim Shala nuk është përgjigjur.

Ish- dyshi i AAK-së, kishte zgjedhur postin e koordinatorit të delegacionit kosovar të bisedimeve, para atij të nënkryetarit të partisë.

Në anën tjetër, PDK që nga formimi i qeverisë së Kosovës ka një pozitë të lirë nënkryetari, të cilin e liroi deputetja Margarita Kadriu, e cila e pakënaqur me kabinetin qeveritar dha dorëheqje nga partia dhe nga grupi parlamentar i kësaj partie./ Gazeta Blic/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here