Kadri Veseli u takua me kryeparlamentarin Meta dhe kryetarin Nishani

0

TIRANË, 10 SHKURT – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga nënkryetarët Xhavit Haliti, Sabri Hamiti dhe Glauk Konjufca, ka filluar sot vizitën e tij zyrtare në Shqipëri ku po qëndron me ftesë të kryeparlamentarit shqiptar, Ilir Meta. Në takimin e parë që ka patur delegacioni i legjislativit kosovar me kreun e Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta të dy kryetarët kanë diskutuar rreth bashkëpunimit që të dy parlamentet kanë kultivuar ndërmjet tyre, ndërsa është shtruar nevoja që ky bashkëpunim të zgjerohet dhe avancohet edhe më tej, sidomos midis administratave, duke vjelë reciprokisht përvojat e mira parlamentare.”Në kuadër të integrimeve drejt BE-së, kemi vendosur të kemi komunikime të përbashkëta. Kemi shumë aspekte ku mund të shërbejë përvoja e Kuvendit të Shqipërisë, andaj edhe presim mbështetje të plotë në këtë proces”, është shprehur kryeparlamentari Veseli. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Meta, e ka siguruar kryetarin Veseli se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në çdo drejtim. Në një paraqitje të përbashkët me kryeparlamentarin Meta para mediave, kryeparlamentari Veseli u bëri apel qytetarëve të Kosovës që të mos braktisin vendin, të kenë më shumë durim dhe perspektivën e tyre ta shohin në Kosovë. Në vazhdim të vizitës, kreu i Kuvendit të Kosovës u prit edhe nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. Kryeparlamentari Veseli e ka falënderuar presidentin Nishani për kontributin e tij në ndihmën për konsolidimin dhe shtyrjen përpara të marrëdhënieve mes të dy vendeve tona, si dhe përkrahjen e dhënë Kosovës e institucioneve të saj në afirmimin dhe njohjen ndërkombëtare. Kryeparlamentari Veseli ka theksuar se nuk do të mungojnë angazhimet integruese euroatlantike, përderisa sfida të vazhdueshme i konsderoi mirëqenien e qytetarëve, arsimin cilësor dhe shëndetësinë e përparuar. Presidenti Nishani, ndërkaq, sipas njoftimit të publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës në internet, e ka vlerësuar kontributin e kryeparlamentarit Veseli për afirmimin e një imazhi me vlera pozitive të Kosovës në qendrat e parlamentarizmit botëror në kuadër të diplomacisë parlamentare, si dhe në trajtimin me maturi nga ana e Kuvendit të sfidave të brendshme që kalon Kosova. Nishani ka sugjeruar takime sa më të shpeshta të komisioneve të ndryshme parlamentare të dy vendeve tona, për të kontribuar sa më shumë në përafrimin e legjislacionit në të gjitha fushat.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here