Kadri Veseli pret që protesta e 18 prillit të jetë paqësore

0

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli të martën pas mbledhjes së kryesisë tha se shpreson që protesta e organizuara nga tri subjektet politike do të jetë e qetë, dinjitoze.

“Në princip rruga më e mirë për dialogim, debat dhe për shqyrtimin e të gjitha çështjeve të cilat janë në interes të qytetarëve janë brenda institucioneve të Republikës së Kosovës. Por sidoqoftë, edhe protesta është një mjet demokratik. Shpresojmë shumë në qëllimin e pastër të opozitës se do të jenë paqësore, dhe në të njëjtën kohë, do të jenë dinjitoze, ashtu siç iu takon qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Veseli, transmeton Kallxo.com.

Ai tha se të enjten e kësaj jave është caktuar seanca e Kuvendit, në të cilën nuk do të diskutohet edhe për shtrenjtimin e energjisë elektrike, çështje kjo e cila është kërkuar përmes një peticioni të nënshkruar nga 35 mijë qytetarë të Kosovës. Pikërisht largimi i kësaj pike nga rendi i ditës ka shtyrë përfaqësuesin e Vetëvendosje, AAK-së dhe NISMA-s ta bojkotojnë mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit.

Për më tepër, tre liderët e opozitës, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të hënën u takuan së bashku në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje për t’i dakorduar qëndrimet e tyre për protestën e 18 prillit ku si pikë e protestës është edhe shtrenjtimi i energjisë elektrike.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here