Kadri Veseli: Akademia e Shkencave në shërbim të lirisë së Kosovës

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori sot pjesë në ceremoninë e shënimit të 40-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Në fjalën e tij para akademikëve dhe të ftuarve të tjerë të shumtë, kreu i Kuvendit tha se përvjetorët jubilarë, si ky i sotmi, janë momente të rëndësishme në jetën e një institucioni apo të një shteti, të cilat mundësojnë për të parë rrugën që është bërë në të kaluarën, e njëkohësisht, edhe momente të qartësimit të vizionit për të ardhmen.

Dyzet vitet e ekzistencës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kryetari Veseli i konsideroi “vite të historisë sonë më të re, të ringritjes sonë historike, politike, arsimore, kulturore, vite të rezistencës së përgjithshme kundër shtypjes politike e të rrugëtimit të pathyeshëm drejt lirisë.”

“Ne sot jemi krenarë, se ia dolëm të përmbushim qëllimin më fisnik që mund të ketë një popull modern: të jetojë i lirë në tokën e tij, në gjuhën e tij, në kulturën dhe identitetin e tij. Ne sot, ndihemi krenarë, me faktin se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në tërë historinë e saj, ka qenë në shërbim të këtij qëllimi fisnik. Të qenit në shërbim të lirisë është nderi më i madh për një institucion të shkencës dhe artit”, tha në fjalën e tij kryetari Veseli.

Në vazhdim, kryetari i Kuvendit foli edhe për miratimin ditë më parë nga ana e Kuvendit, të Ligjit të ri për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Është një ligj që përmbush standardet më të larta bashkëkohore, që kanë të bëjnë me fushën akademike. Është një ligj që stimulon shtigje të reja të hulumtimit akademik, në kohën e sfidave globale të dijes e zhvillimit. Por, kjo nuk është e gjitha. Kuvendi i Kosovës dhe të gjithë mekanizmat përkatës shtetërorë, duhet të bëjnë prioritet nacional dijen dhe edukimin, sepse sot, edukimi cilësor dhe popullata e kualifikuar përbën kapitalin më të madh për një vend”, tha ndër të tjera në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here