Kadri Veseli, 600 metra nën tokë, i siguron minatorët se “e ardhmja ekonomike e Trepçës e sigurtë”

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një vizitë në Ndërmarrjen “Trepça” në Mitrovicë. Gjatë takimit me drejtorin e përgjithshëm të “Trepçës”, Ahmet Tmavën dhe drejtorët e resorëve përkatës, është folur për nevojën që të veprohet shpejt nga institucionet e vendit për nxjerrjen e Ligjit për Trepçën, nëpërmjet të cilit do të mundësohet vitalizimi i kapaciteteve ekzistuese dhe zgjerimi i tyre. Është vlerësuar se një hap i tillë do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe rrjedhimisht në rritjen e shkallës së punësimit në “Trepçë”, si dhe në gjetjen e tregjeve të reja për plasimin e produkteve të saj. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një vizitë të veçantë edhe në horizontet e minierës, në thellësi prej 600 metrash, në të cilat ka takuar minatorët gjatë procesit të punës. Veseli ka theskuar atje se “institucionet e Republikës së Kosovës do të angazhohen konkretisht që e ardhmja ekonomike e Trepçës të jetë e sigurt”. “Trepça ka nevojë që t’u përshtatet kushteve dhe rrethanave të ekonomisë së të tregut lirë, si e vetmja mënyrë që kapacitetet e saj prodhuese të rivitalizohen, të zgjerohen edhe më shumë, të rritet fuqia e saj eksportuese, që Trepça të gjenerojë zhvillim për vete, Kosovën dhe qytetarët e saj”, është shprehur kryepalamentari Veseli. Ai sot i ka vizituar edhe disa familje që jetojnë në Qendrën Kolektive në Stantërg, ku ka premtuar se shumë shpejt do të hartohet dhe implementohet një projekt, që këtyre banorëve t’u ndërtohen një vendbanim i ri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here