Ka vdekur shtetasja gjermane që ishte lënduar në protestën e Vetëvendosjes më 2012

0

Ka vdekur shtetesja gjermane, Iris Von Der Ehe, e cila u gjet në protestën e lëvizjes “Vetëvendosje” të organizuar më 23 tetor të vitit 2012 në Prishtinë.

 

Njoftimin e kanë dhënë familjarët e saj.

“Iris moter cdo here do te kujtojm me dashuri. I lehte te qofte dheu. Nuk ta kishim borxh as ne as Kosova qe dhame shumëçka për te po ja qe nese një njeri apo vend nuk ta kthen me te mire po ta kthehte me dhimbje. Ju, ne, nuk e merituam këtë nga regjimi i pushtetit po ja qe ata deshten dhe pa te drejte të ndanë nga ne”, ka shkruar familjari Dardan Krasniqi, i cili e ka postuar edhe fotografinë e saj.

Shtetesja gjermane, Iris Von Der Ehe, ishte gjetur në protestën e tetorit të vitit 2012 të lëvizjes “Vetëvendosje” kundër takimit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me atë të Serbisë, Ivica Daçiç.

Atë kohë Policia e Kosovës kishte thënë se shtetasja gjermane nuk kishte qenë pjesëmarrëse në protestën e organizuar. “Një qytetare, kalimtare e rastit e cila ka qenë në afërsi të protestuesve është alivanosur dhe zyrtarët policorë i kanë ofruar ndihmë duke e vendosur në automjetin transportues emergjent të Policisë së Kosovës për të vazhduar me tretman të mëtutjeshëm mjekësor në QKU”, kishte thënë Beki Kelani, Zëdhënës i Policisë së Kosovës. “Në bazë të informacioneve zyrtare e njëjta nuk ka qenë pjesëmarrëse në protestë”.                                                                                                                                     Kundër një qëndrimi të tillë të Policisë së Kosovës kishte reaguar në atë kohë, deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, e cila njëherësh është kunatë e Irisit. “Nuk ka të bëjë fare me alivanosje… Krejt kjo ka ndodhur si pasojë e dhunës brutale, fizike dhe psikologjike të policisë”, kishte thënë Haxhiu.

Iris ishte e martuar me njërin nga djemtë e Skënder Krasniqit nga fshati Carrallukë i Komunës së Malishevës. Ajo që prej kohës së lëndimit në protestë jetonte në komë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here