Ka nisur ndërtimi i objektit të ambasadës amerikane në Prishtinë

0

Ka nisur sot ndërtimi i objektit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson ka thënë me këtë rast se objekti i ri thellon edhe më shumë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. “Në këto 16 vite ekipi ynë ka punuar me shumë zell, për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e vet në zhvillimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe në zhvillimin ekonomik. Prandaj, po e ndjej që sot po e vëmë gurthemelin jo vetëm për një ndërtesë tepër të domosdoshme, por edhe për shënimin e vazhdueshme të miqësisë sonë”, ka theksuar Jackobson. Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada amerikane, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesë të institucioneve të Kosovës si dhe përfaqësuesë të ambasadave të huaja në Kosovë. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga është ndjerë e privilegjuar që po merrte pjesë në vënien e gurthemelit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës.
“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet. Bashkë kemi bërë goxha një udhëtim. Qëndruat përkrah nesh në momentet më sfiduese të shekullit të kaluar, dhe bashkërisht nisëm një kapitull të ri të shpresës dhe optimizmit në fillim të këtij shekulli për të kurorëzuar përpjekjet tona për Kosovën shtet të të gjithë qytetarëve të saj shtatë vite më pare”, është shprehur Jahjaga.
“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët e Kosovës gjetën mbështetjen dhe besimin për realizimin e vizionit tonë për liri, pavarësi e demokraci. Përkundër shumë vështirësive, vullneti ynë i përbashkët triumfoi ndaj të keqes dhe sot si dy popuj që ndajnë vlerat fundamentale dhe idealet e demokracisë shënojmë edhe një fillim të ri – atë të vendosjes së adresës tuaj permanente si simbol i qëndrueshmërisë”, ka vënë në pah presidentja Jahjaga.
Ndërtimi i ambasadës amerikane do të bëhet në hapësirën prej 5 hektarësh në lagjen “Arbëria” (Dragodan) në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, tokë kjo që i është dhënë Ambasadës në shfrytëzim për 99 vjet. Objekti i Ambasadës amerikane do të kushtojë 250 milion euro, ndërsa në të do të punësohen 700 punëtorë. Ndërtimin e ambasadës e udhëheq një kompani amerikane.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here