Juli Krisafi, gazetarja e moderatorja që dikur nuk kishte menduar për Gazetari e moderim

0

As që e kishte menduar ndonjë herë Juli Krisafi Gazetarinë e moderimin si profesion, por tashmë ato i ndjen si pasionet më të forta. Gazetarja dhe prezantuesja e njohur në “Top Channel” në një intervistë tregon si si profesioni që e ushtron tash dikur nuk bënte pjesë në agjendën e saj jetësore. Një gazetari të njohur i ra në sy talenti dhe më mori në punë në një gazetë të famshme të asaj kohe në shtypin e Tiranës. Pas 6 muajsh pune në shtypin e shkruar një tjetër gazetar i njohur mendoj se unë duhet të dilja patjetër në ekran. Në atë kohë nuk doja. Më dukej se do humbja privatesinë dhe jeta ime nuk do ishte më e imja”, thotë Krisafi. “Për këtë kisha të drejtë, por unë tani e dua shumë punën time dhe nuk pendohem për sakrificat”.
Ajo tregon se si jashtë ekranit është një person si gjithë të tjerët. Thotë se është e angazhuar që të bëjë doktoratën. Nuk e ka një idhull në profesion, por thotë se megjithatë ka modele që i pëlqejnë. Shqipëria i pëlqen si atdhe, por ka vërejtje për brumosjen e njerëzve.  Krisafi flet edhe për relacionin e saj me Letërsinë, Muzikën, Marrëdhëniet ndërkombëtare, Tiranën, Kosovën…

Kush është Juli jashtë ekranit te televizorit?

Në realitetin shqiptar personazhet televizive janë shumë më të kapshëm se sa në vendet e tjera. Une jashtë ekranit jam një njeri si gjithë të tjerët. Një grua, një nënë, një vajzë dhe shpesh edhe një femijë. Një studiuese dhe lexuese e devotshme. Një e apasionuar pas poezisë dhe Letërsisë në tëresi dhe e çmendur pas muzikës.

Si u bë që jeni moderatore e gazetare, ndërsa keni studiuar për Gjuhë dhe Letërsi si dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare…

Unë as nuk e kisha ëndërruar Gazetarinë. E them këtë sepse vërtetë në planet e mia për jetën ky profesion nuk bënte pjesë. Gjithesesi para 14 vjetësh një gazetari të njohur i ra në sy talenti dhe më mori në punë në një gazetë të famshme të asaj kohe në shtypin e Tiranës. Pas 6 muajsh pune në shtypin e shkruar një tjetër gazetar i njohur mendoj se unë duhet të dilja patjetër në ekran. Në atë kohë nuk doja. Më dukej se do humbja privatesinë dhe jeta ime nuk do ishte më e imja. Për këtë kisha të drejtë, por unë tani e dua shumë punën time dhe nuk pendohem për sakrificat.

Cili është realicioni juaj me drejtimet që keni studiuar për to, ta zëmë a shkruani edhe letërsi, si dhe a mendoni që të jepni në të ardhmen edhe ndonjë opinion politik, apo Gazetaria nuk lë kohë?

Me Letërsinë jam shumë e lidhur. Tani po bëj doktoraturën për Marrëdhënie ndërkombëtare sepse diplomacia dhe politika ndërmjet kombeve ka qenë një nga joshjet e hershme. Unë e gjej kohën gjithmonë për Letërsi. Është prehje për mua dhe kënaqësi e veçantë. Sa për opinionet politike ndoshta nuk ka ardhur koha të bëj opinionisten në këtë fushë, ndihem shumë mirë si gazetare dokumentaresh por edhe si moderatore.

Ndiheni më mirë si moderatore apo si gazetare e dokumentareve?

Gazetarinë e bëj me shumë dashuri sepse më pëlqen pa masë zbulimi, kërkimi, analizimi dhe dokumentari të lë hapësirë për këto. Përsa i përket prezantimit është një nga pasionet e mia më të forta.

Keni një idol në profesion apo në përgjithësi a ekziston një figurë që iu tërheq?

Në punën tonë ka mjaft modele që mund të ndiqen. Nuk kam një idhull të them të drejtën, por jam munduar që nga më të mirët të përfitoj më të mirën.

A ndiheni më mirë në Gjirokastër apo në Tiranë?


Gjirokastra është qyteti im i lindjes. Atje kam jetuar deri sa mbarova shkollën e mesme. Më merr malli për të dhe shkoj me shumë dëshirë. Por Tirana është shumë e dashur gjithashtu sepse në te kam jetuar vite shumë të rëndësishëm të jetes time.

Cili është libri i fundit që e keni lexuar dhe a i kushtoni kohë leximit?

Pranë shtratit tim ka gjithmonë një stivë me libra. Për momentin po lexoj ” Mosdija” një liber të Milan Kunderes. Lexoj gjithmonë dhe i kushtoj shumë kohë.

Çfarë nuk të pëlqen në Shqipëri dhe për çfarë e do Shqipërinë?

Ka shumë gjëra që nuk më pëlqejnë në Shqipëri. Nuk më pëlqejnë edhe njerëzit në Shqiperi, si jane brumosur ata. Nuk më pëlqen që e ardhmja e fëmijëve tanë nuk është e sigurtë. Nuk më pëlqen që Shëndetësia dhe Arsimi çalojnë shumë. Nuk më pëlqen që rendi dhe siguria kanë mangësi të theksuara. Nuk më pëlqen që ne shqiptarët kemi një klasë shumë të korruptuar që na përfaqëson keq. Dhe lista nuk mbaron. Por edhe pse shpesh kam menduar të largohem nga Shqipëria nuk ia kam dalë. Sepse atdheu është atdheu dhe ndoshta në nënndërgjegjien tonë ai na pëlqen edhe për gjërat që nuk shkojnë mirë.

A ke qenë ndonjëherë në Kosovë dhe çfarë vendi dhe çfarë njerëz të duken shqiptarët e Kosovës?

Po kam qenë vetëm njëherë në Kosovë, por kam pasur shpesh të bëj me shqiptarë të Kosovës. Ata që kam pasur kontakt më shpesh kanë qenë intelektualë, poetë, shkrimtarë apo gazetarë. Gjithesesi mendoj se shqiptarët e Kosovës, të paktën prishtinalinjtë janë njerëz mjaft modernë. Para viteve 90, atëherë kur ne përpëliteshim në artin e realizmit socialist, në Kosovë bëhej art modern, luhej muzikë rok etj.

Si është një burrë ideal në mendjen tuaj?


Një burrë ideal në mendjen time është ai që më merr mendjen me mendjen e tij të bukur.  

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Nuk kam një listë me plane të të ardhmes, por dëshiroj të angazhohem më shumë në jetën akademike dhe kërkimore pasi më fal shumë kënaqësi si dhe të provoj sfida të reja në Gazetari.

Më lehtë të jesh e intervistuar a e intervistuese?

Është më lehtë të jesh intervistuese në këndvështrimin tim. Kur je gazetar e ke më lehtë të bësh pyetje.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here