Josif Bageri, një shekull shqiptarësi e pashuar

0

EMIN AZEMI

“Shkup, or’kjytet i ndëgjuet ! Me ta bijt e tu shqyptar… Shum provime ki provuet,- Po tash ke nis udhë të mbarë”. Gjithkush që njeh sado pak veprën dhe jetën e rilindasit të fundit të Rekës së Epërme, Josif Bagerit (1870 – 1915), do t’i kenë lënë përshtypje këto vargje mjaft frymëzuese për Shkupin, botuar më 25. X. 1908 në gazetën “Ura”, në Selanik. Poeti dhe publicisti nga Nestrova (në atë kohë administrativisht i takonte sanxhakut të Dibrës, kurse tani –Gostivarit) artikuloi në mënyrë të spikatur idetë e Rilindjes Kombëtare, duke shprehur dashurinë dhe përkushtimin për të gjitha viset e banuara me shqiptarë.

Në këtë frymë ai shkroi edhe poezinë “Kushtrim i shqyptarit në Monastir” (Botuar në gazetën “Uria” nr. 18, 29 .XI .1908, Selanik. I përkushtuar për temat e mëdha të atdheut, sidomos për ato që do të zgjonin vetëdijen kombëtare, Josif Bageri u bë kronist shpirtëror i ngjarjeve të kohës.

“Prej gjith anësh kombi, senitës ka zgjedh, Dhe në Monastir kta djem u kan mledh; N’ kushtrim me kushtruem në kët mujë sivjet, Dhe me kuvendu për gjuhën e vet”, shkruante Bageri duke shkundur nga letargjia të gjithë ata që kishin harruar se shqipja dhe shqiptarët po zgjoheshin përmes unifikimit të alfabetit të tyre.

Josif Bageri nuk i takon kategorisë së poetëve soditës, pasivë, që mjaftohen me shkrimin e disa vargjeve me tematikë kombëtare. Ai ishte më shumë se aq. Në personalitetin e tij bashkohej angazhimi tematik i poezisë dhe veprimi praktik për të jetësuar vepra që do të ishin në dobi të kombit.

I udhëhequr nga ky parim, Bageri në shtator të vitit 1908 hapi në fshatin e lindjes një shkollë në gjuhën shqipe, kurse në maj të vitit 1910, në Sofje fillon të botojë gazetën me titull “Shqypeja e Shqypnisë “.

Që të dyja këto vepra konkrete të ideuara dhe zbatuara nga Josif Bageri ishin kontributi më sublim që një rilindas shqiptar e bënte për të mirën e kombit të tij.

Lëvrimi i gjuhës së lashtë shqipe në thellësitë malore të një fshati gati të braktisur, ishte një akt iluminist që përshpejtonte ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve në kapërcyellin e periudhave të vështira historike – perëndimi i një fuqie orientale anadollake dhe lindja e një errësire bizantine sllave në trojet shqiptare.

Josif Bageri tingëllon edhe sot aktual me porositë e tij. Nderimi më i madh që mund t’i bëhet atij aktualisht është rikthimi i identitetit të gjithë atyre që në periudhën e komunizmit harruan amanetin e bashkëkombësit të tij nga Nestrova, për ta ruajtur dhe kultivuar me xhelozi gjuhën dhe përkatësinë kombëtare shqiptare.

Falsifikuesit sllavë të historisë së shqiptarëve kanë treguar zell të pakursyer për t’i paraqitur të gjithë shqiptarët e Maqedonisë si myslimanë, argument ky, që, sipas tyre e redukton edhe kohëzgjatjen e autoktonisë shqiptare në këto troje. Nëse, sipas tyre,shqiptarët e këtushëm janë vetëm myslimanë, atëherë ky argument, po sipas tyre, është shumë i kollajshëm për të dëshmuar se gjoja ata (shqiptarët) kanë ardhur këtu bashkë me religjionin e tyre mysliman. Po del se çdo ushtar osmanli nën sqetull paska sjellë me vete nga 2-3 shqiptarë dhe i kanë hedhur si fara e hithit nëpër shkurret e malet e këtushme.

Pasardhësit e tanishëm të Josif Bagerit, as s’kanë rënë nga qielli, as faljet e tyre nuk i kanë bërë në ndonjë xhami të fshatit. Argumenti i shkokordhaft sllav për gjoja ardhacakërinë e shqiptarëve në këto troje, nxjerr në pah frikën nga hija e tyre për të pi ujë në pusin e shkretëtirës. Vuajtja në shkretëtirën e mendjes së mbyllur shkakton fatamorganën e cila nuk ngeli edhe pa pasoja: djegien e Manastirit të Shën Mbigurit, aty ku edhe ka ngelur hiri dhe bloza e dokumenteve të djegura, që është vështirë të kompensohen për të retushuar një histori të shpifur për realitetin etnik të këtyre hapësirave. Megjithatë, ajo që nuk mund të retushohet është kujtesa e shqiptarëve ortodoksëve të Rekës, të cilët edhe pas djegies së manastirit të tyre, do ta mbajnë thellë në kujtesë historinë e tyre josllave. Do ta kujtojnë Josif Bagerin dhe aksiomën e tij se pa një bashkim shpirtëror nuk mund të arrihet edhe bashkimi fizik. Mirëpo ky proces, sipas tij, nuk është aspak mekanik, por kërkon sakrifica dhe mbi të gjitha harmoni brendakombëtare. I lindur dhe rritur në një gjeografi të vështirë kombëtare, Josif Bageri e ndiente më shumë se kushdo tjetër rrezikun e përçarjes, andaj ai me ngulm apelonte që “Njësia bon forcing, Dhe bashkimi ka fuqin! Cili komb kta i ka: Kurri s’vritet vllai me vlla…” (1908).

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here