Jetë në shitje: Çifte greke blejnë bebe bullgare

0

“As që diskutohet, në fshatin tonë pothuajse kushdo ka lënë një bebe në Greqi. Unë të paktën arrita t’i blej vetes këtë shtëpitë të vogël me para gjaku, që të kisha një vend për të jetuar me fëmijët. Nuk kam shpenzuar asnjë qindarkë të vetme. Por shumë njerëz i japin fëmijët e tyre për para të fituara lehtë – ata pinë, hanë dhe festojnë. Kur paratë i mbarojnë, thjesht shesin fëmijën tjetër.”

Kjo është Stanka, një grua në të tridhjetat nga minoriteti rom i magjinalizuar i Bullgarisë që pranon se ka shitur një foshnje djalë në Greqi disa vite më parë për 3500 euro, një krim për të cilin ajo po gjykohet aktualisht.

“Jam penduar shumë dhe nuk mund të resht së menduari për djalin, por isha e re dhe budallaçkë. Nuk mund të imagjinoja mënyrë tjetër për të fituar para për të ushqyer dy fëmijët e mi të tjerë, nuk kisha shpresë,” thotë ajo me zërin e dridhur.

“Duhet të shihnit ku kemi jetuar, me nënën time dhe një pjesë tjetër të familjes, më shumë se 10 vetë  në një dhomë, pa xhama në dritare, pa dyer, me dysheme prej dheu, pa energji elektrike apo ujë. As një kafshë nuk mund të jetonte atje.”

Ajo fillon të qajë teksa kujton se si njerëzit i erdhën në shtëpinë prej qytetit më të afërt dhe i ofruan të shiste fëmijën e saj të tretë që ishte problem për t’u rritur. Të gjithë të tjerët po e bënin këtë. Ajo arriti në përfundimin se kjo ishte përgjigjja për problemet e saj.

Tani ajo jeton me burrin e saj dhe dy djemtë, 10 dhe 12 vjeç, në një shtëpi përdhese në të njëjtin qytet të vogël të romëve në Ekzarh Antimovo, rreth 40 km në brendësi nga porti Burgas i Detit të Zi. Shtëpi është e rrënuar dhe e thjeshtë, por për të është një hap i madh.

Qindra gra

Stanka është një nga dhjetra gratë bullgare që njihen se çdo vit kanë shitur foshnjat te çiftet e dëshpëruara për një fëmijë në Greqi, thonë zyrtarët . Ata dyshojnë se numri i vërtetë është në qindra.

Nënat mund të fitojnë deri në 5,000 euro, por nganjëherë edhe më pak se 1.000, sipas dokumenteve të gjykatës që BIRN i ka parë. Ndërmjetësit marrin pjesën më të madhe që adoptuesit paguajnë.

Siç e thekson edhe Stanka, praktika duket se tërheq pak paragjykim social mes romëve, që përbëjnë shumicën e rasteve të njohura.

Një minoritet etnik rajonal i ndryshëm me kulturën dhe gjuhën e tyre, ciganët, janë shpesh të varfër, pa punë dhe të keq-arsimuar. Shumë jetojnë në “geto” të shkatërruara dhe përballen me diskriminim të vazhdueshëm.

Policia anti-trafikut dhe prokurorët thonë se është e rrallë që nënat, të cilat kanë fëmijë të tjerë, të pendohen për veprimet e tyre ose që t’i investojnë paratë në diçka që zgjat si për shembull një shtëpi.

Zakonisht gratë, shpesh vetëm 18-19 vjeçe dhe rrallë mbi 25, vendosin të shesin fëmijën gjatë një shtatzënie të padëshiruar, por kohët e fundit policia ka vënë re se disa gra mbeten shtatzënë me të vetmin qëllim të shitjes.

Velichka, një nënë e tre fëmijëve nga një geto rome në qytetin lindor provincial Sliven, është ndoshta më rast më tipik se Stanka. Ajo nuk ka shtëpi të veten dhe nuk i kanë mbetur të holla nga 1,500 eurot që ajo ka marrë për fëmijën e saj – vetëm gjysma e asaj që i kishin premtuar.

Ajo mori një dënim dy vjeçar në Bullgari në vitin 2009 për shitjen e fëmijës së saj në Greqi, pasi policia e kapi. Ajo nuk heziton ta tregojë historinë e saj megjithëse detajet që tregon e portretizojnë më tepër si viktimë.

Velichka, e cila thotë se punësimi i saj i vetëm ka qenë si një prostitutë, tani fajëson të atin që e ka detyruar ta shesë fëmijën dhe thotë se ai i ka shpenzuar paratë për stoli ari dhe një televizor. Ajo ende jeton me prindërit e saj.

Në Greqi ajo shiti një veshkë, dhe në këtë mënyrë, sipas policisë, formoi kontaktet që e çuan të shiste fëmijën e saj një vit më vonë.

Ajo zbulon sekretet e saj më të mëdha, pastaj kërkon para që të mund të blejë ilaçe për veten dhe vajzën, por në fund heq dorë.

Policia bullgare thotë se dyshon se tregtia e fëmijëve me Greqinë mund të datojë që prej viteve 1990, kur rënia e komunizmit në Europën Lindore papritur hapi kufijtë, por ka qenë në rritje në mënyrë të qëndrueshme gjatë viteve të fundit, veçanërisht që kur Bullgaria u bashkua BE-së në vitin 2007, duke bërë që kufijtë të zhduken.

Trafikantët këtu janë shumica burra dhe gra romë që jetuan për shumë vite te të afërmit në Greqi dhe krijuan kontakte.

Ata fokusohen në getot rome rreth porteve të Burgasit dhe Varnës të Detit të Zi dhe në qytetet lindore relativisht të varfra si Sliven, Yambol dhe Stara Zagora midis bregdetit dhe kryeqytetit Sofje.

Një treg i gatshëm i pret përtej kufirit jugor në Greqi, ku shpesh çiftet pa fëmijë janë të gatshëm të paguajnë për të anashkaluar një sistem shtetëror birësimi, që i lë të presin shtatë apo tetë vjet.

Greqia, ndryshe nga Bullgaria, lejon birësimet private dhe në këtë mënyrë e bën këtë lloj marrëveshje më të lehtë.

Qendra e Foshnjeve Mitera në Athinë, institucioni më i madh shtetëror grek për adoptimet, thotë se vetëm një në pesë nga 500 adoptimet vjetore përfshinë shtetin. Çdo vit, qendra kryen rreth 35 birësime, por merr 150-200 aplikime.

bullg2

 

Autoritetet bullgare thonë se grekët kanë paguar deri në 30.000 euro për një vajzë dhe 40,000 për një djalë. Policia greke thonë se adoptuesit paguajnë nga 3.000 deri në 30.000 euro, me çmime pak më e ulëta në vitet e fundit për shkak të krizës ekonomike. Katër nga pesë foshnjat e shitura ishin djem.

“Kjo nuk është vetëm se prindërit duan të kenë një djalë, puna është se djemtë janë më të shtrenjtë dhe për këtë arsye rrjetet kriminale i parapëlqejnë ata shumë,” tha një zyrtar nga njësia greke e policisë kundër trafikimit,  i cili kërkoi të mbetej anonim pasi bën pjesë në operacionet e fshehta.

Nënat e reja, megjithatë, marrin vetëm një pjesë të vogël të këtyre parave, thotë policia bullgare. Pjesa tjetër shkon për trafikantët dhe ndërmjetësit e tjerë.

“Nuk është e pazakontë që më pas trafikantët të mashtrojnë gratë dhe t’i japin atyre vetëm 500 euro ose vetëm një biletë për t’u kthyer në Bullgari,” thotë një hetues.

Itineraret jugore për në Greqi janë të lehta dhe të rrahura shumë.

Trafikantët i çojnë me makinë gratë shtatzëna përgjatë kufirit të brendshëm të BE-së pa kontrolle të pasaportave, dhe në qoftë se rojet i pyesin për qëllimin e udhëtimit të tyre, ata zakonisht përmendin punën sezonale bujqësore.

Gratë, kryesisht të trajtuara si funizuese të mallit, futen në dhoma me qira dhe nuk lejohen të largohen derisa të lindin. Pastaj ato kthehen përsëri në banesë, ku mbarohet marrëveshja.

Stanka e pohon se përjetoi të njëjtën gjë.

“Isha në nja apartament me dy gra të tjera shtatzënë. Nuk e di se ku më çuan, ishte një qytet që i fillonte emri me R më duket. Më thanë të mos dilja nga shtëpia që të mos shkaktoja dyshime. Por gjatë qëndrimit nuk më trajtuan keq, ndoshta nuk donin që të hiqja dorë dhe t’i tradhtoja,” thotë ajo në bullgarisht.

“Kur erdhi çasti i duhur ata më çuan në spital, dukej sikur ishin të njohur me skuadrën mjekësore. Pas lindjes ata u bënë më të ashpër – më detyruan të të nënshkruajë disa dokumente që ishin të pakuptueshëm për mua, thuajse m’i hodhën paratë në fytyrë – vetëm gjysmën e atyre që më thanë- morën fëmijën dhe më kthyen në Bullgari.”

Ajo dhe nëna të tjera i thanë BIRN se skuadra në spital dukeshin të organizuara veçanërisht nga anëtarë grekë të grupeve trafikante dhe e dinin se ku ishin përfshirë.

Policia bullgare dhe hetuesit thonë se kjo është në sinkron me zbulimet e tyre.

“Rrjeti nuk mund të organizohet pa doktorët, avokatët vendas dhe hetuesit,” thotë një oficer për BIRN.

Dhjetra prokurorë bullgarë dhe policë nga divizioni i  krimit të organizuar që ndihmuan me këtë artikull mohuan të emërohen sepse rregullat ia ndalojnë të flasin me median dhe për shkak se ekspozimi mund të dëmtojë operacionet në të ardhmen.

Sapo gruaja shtatzënë mbërrin në Greqi, duket shume e lehtë për të ta lërë beben pa e ditur askush.

Një metodë që hetuesit bullgarë kanë hasur për legalizimin e adoptimeve është që një grek të pretendojë se ai është babai i fëmijës. Disa muaj më vonë nëna heq dorë nga të drejtat e saj prindërore në favor të tij.

Por rruga më e zakonshme është adoptimi privat. Një avokat ose një mjek ndihmon një çift të gjejë një grua që dëshiron të heqë dorë nga i porsalinduri i saj. Ata duhet veçse të nënshkruajnë një marrëveshje private. Kështu ndodhte deri në vitin 2013 kur birësimi duhej të miratohej gjithashtu nga një gjykatë.

Në vitin 2013 bota u shokua nga lajmi i biondes 5-vjeccare që u braktis nga familja e saj bullgare në Greqi. Tre vite më vonë, situata për romët në Bullgari mbetet po aq e mjeruar. Shtëpia e Marias në fshatin Nikolaevo, në Bullgarinë Qendrore. Qershor 2015. Foto: Juliana Koleva
Në vitin 2013 bota u shokua nga lajmi i biondes 5-vjeccare që u braktis nga familja e saj bullgare në Greqi. Tre vite më vonë, situata për romët në Bullgari mbetet po aq e mjeruar. Shtëpia e Marias në fshatin Nikolaevo, në Bullgarinë Qendrore. Qershor 2015. Foto: Juliana Koleva

Nuk supozohet të futet paraja në mes. Por meqënëse nuk ka pasur kontrolle të rregullta kjo ka krijuar një treg të zi, që autoritetet e dinë.

Ofertë bullgare, kërkesë greke

Një çift grek i tregoi BIRN historinë e vajzës së tyre një dekadë më parë.

Në pamundësi për të pasur fëmijën e tyre, Elena (ky nuk është emri i saj i vërtetë) u përpoq për vite të birësonte një fëmijë nga një jetimore shtetërore, por më kot. Më vonë ajo dhe burri i saj hoqën dorë dhe vendosën të paguajnë.

Ata gjetë një avokat në Athinë që mund të gjente bebe nga nënat bullgare. Çifti pagoi 25,000 euro dhe së shpejti avokati rregulloi një takim jashtë një prej spitaleve kryesore të Athinës. Elena priti në makinë me babain. Një nga trafikantët që kishte rregulluar birësimin hapi derën dhe ia vuri beben në prehër. “Elena po shndriste nga lumturia”, kujton babai i saj. Ajo ishte një nënë më në fund.

Më vonë çifti plotësoi dokumentet ligjore për adoptimin e vajzës. Teorikisht, shërbimet sociale duhej të bënin vizita për të kontrolluar fëmijën, por këto nuk ndodhën.

Disa vite më vonë vajza e vogël pa një grua shtatzënë dhe e pyeti të ëmën, “a ishe edhe ti ashtu përpara se të lindja unë?” Dhe Elena iu përgjigj “ti nuk je një bebe nga barku im, por një bebe nga zemra ime,” kujton e ëma.

Larg nga Ballkani pak njerëz e dinë këtë lloj tregtie bashkëkohore në rajon.

Por një histori që bëri bujë globale në vitin 2013 ishte kur autoritetet greke kapën Maria, një fëmijë pesë-vjeçar bjond me një familje rome nga qyteti i Larisës, me dyshimin se ishte rrëmbyer. Rezultoi se ajo ishte “birësuar” jozyrtarisht dhe se ishte një rome bullgare nga Nikolaevo, pranë Stara Zagoras. Ajo tani në kujdesin shtetëror duke pritur një birësim zyrtar gjetkë.

Autoritetet bullgare dhe liderët romë bien dakord se varfëria e thellë dhe mungesa e mundësive i nxisin gratë të shesin bebet e tyre dhe se komuniteti i tyre duket se ka pak refuzime ndaj praktikës në kuptimin moral.

Vendasit e pasur në Kameno, që sipas policisë i kanë bërë paratë me trafikimin e fëmijëve romë në Greqi. Maj 2015. Foto: Juliana Koleva.
Vendasit e pasur në Kameno, që sipas policisë i kanë bërë paratë me trafikimin e fëmijëve romë në Greqi. Maj 2015. Foto: Juliana Koleva.

“Për ta fëmija nuk ka vlerë të madhe, ata nuk e shohin shitjen e një bebi si problem, vetëm si mjet jetese,” thotë Michael Stefanov nga A21, një organiztë kundër trafikimit njerëzor.

Gancho Iliev, një rom që drejton një fondacion që ndihmon komunitetin e tij në rajonin Stara Zagora, thotë se kushtet në geto janë të tmerrshme.

“Nuk është shekulli i 21, nuk ka ujë, nuk ka drita. Njerëzit flenë në dysheme në baltë me pulat dhe kafshët e tjera. Ata janë të izoluar nga bullgarët e tjerë”.

“Nuk ka arsim të saktë për ta, as kujdes shëndetësor apo fe,” thotë ai. “Pothuajse kushdo është i papunë, vetëm disa merren me bujqësi ose pastrojnë rrugët për pak para.

Nuk ka asgjë që i jep atyre vlera apo moral.

Ai thotë se autoritetet bëjnë pak për të ndihmuar dhe se nuk ka vullnet të vërtetë politik për të përmirësuar gjendjen e tyre.

Pa emocione

Një polic nga njësia anti-trafikimit të Sofjes kujton çështjen e tij të parë.

“Takova një vajzë – ajo erdhi në këtë zyrë me nënën e saj dhe të dyja qanin aq shumë dhe ishin penduar se kishin shitur beben. Ato nuk ndalonin së qari,” thotë ai.

“Kjo është arsyeja përse do ta mbaj gjithnjë mend gruan tjetër. Nuk kishte emocione, asnjë lloj emocioni. Ajo foli rreth shitjes si të mos kishte rëndësi, sikur të kishte shitur një orë ose një TV”.

Sjellja e gruas së dytë, thotë ai, është më e zakonshme.

Policia nga të dyja vendet tha se shumica e trafikimit me gjasa kalon pa u vënë re. Edhe kur zbulohet një çështje, ndjekja penale është një makth, veçanërisht prej koordinimit përtej kufirit që nuk është i vështirë.

Një polic grek antitrafikim tha se përveç gjurmimit të rrjeteve kriminale, sfida më e madhe ishte të provohej transaksioni financiar. “Kjo e bën adoptimin privat të paligjshëm,” tha ai.

Muaj investigime dhe mbikëqyrje mund të shkojnë dëm nëse gangsteri nuk kapet në flagrancë. Pa këtë, çështja rrezikon të jetë shumë e dobët për t’u çuar përpara gjykatës.

Një ekspert i trafikimit nejrëzor nga Drejtoria e Përgjithshme për Luftën e Krimit të Organizuar në Bullgari vlerëson se vetëm një nga 10 çështje të tilla në Bullgari është zgjidhur.

Rreziku i vogël për paraburgim, vështirësia në ndjekje penale dhe shpesh dënimet e lehta në Bullgari e bëjnë atë një biznes të lehtë dhe fitimprurës për t’u përfshirë.

Bullgaria forcoi ligjet anti-trafik një dekadë më parë dhe ka ende penalitetet më të ashpra në Europë.

Kushdo që bind një grua të shesë fëmijën e saj apo e transporton/strehon atë gjatë procesit mund të prëballet me deri 15 vite burg dhe nëna mund të ndiqet gjithashtu penalisht.

Megjithatë, provat janë të vështira për t’u mbledhur, meqënëse të gjithë të përfshirët kanë interes të qëndrojnë të heshtur.

Suksesi më i madh në përpjekjet e kalimit të kufirit për të luftuar tregtinë, çështja Lamia, erdhi një muaj pasi një nënë ndryshoi mendjen dhe kërkoi ndihmën policore për të rimarrë fëmijën që kishte dhënë. Por raste të tilla janë pak.

Ndodh më shpesh që trafikantët, në dijeni të rreziqeve të çështjesh, t’i lënë gratë të ikin, i tha një nënë Fana, BIRN.

Dënime të pezulluara

Silvia Dinkova (në mes), burri i saj Racho Dinkov dhe fqinja Stanka Raycheva akuzohen për trafikim të bebeve në gjykatën e Bourgas, Bullgari. Maj 2015. Foto: Juliana Koleva
Silvia Dinkova (në mes), burri i saj Racho Dinkov dhe fqinja Stanka Raycheva akuzohen për trafikim të bebeve në gjykatën e Bourgas, Bullgari. Maj 2015. Foto: Juliana Koleva

Si rezultat prokurorët shpesh bëjnë marrëveshje me trafikantët që bien dakord të shpallen fajëtor dhe në kthim marrin dënime të pezulluara prej më pak se tre vitesh. Kjo është arsyeja përse vetëm tre njerëz ndodhen në burg në Bullgari për tregti të bebeve, sipas shifrave të ministrisë së drejtësisë.

Megjithëse ka pasur çështje ku përfshihen nëna nga Shqipëria dhe Rumania fqinje, duket se Bullgaria është në qendër të tregtisë.

Një grup deklaratash të policisë greke tregojnë se nga viti 2010 deri në vitin 2015, më shumë se gjysma e njerëzve, kryesisht e trafikantëve, të arrestuar për adaptimet ilegale ishin qytetarë bullgarë. Burime nga policia greke i thanë BIRN se shumica ishin romë.

“Ne mendojmë se Bullgaria është duke udhëhequr këtë lloj trafiku. Ajo është shumë më afër Greqisë dhe transportimi i një grua shtatzënë është mjaft i lehtë. Gratë shqiptare përballen me kontrolle të forta kufitare”, thotë punonjësi i OJQ Stefanov

“Një tjetër arsye mund të jetë feja… veçanërisht te shqiptaret, që janë shumë fetare”.

Prokurorët dhe policia thonë se pandëshkueshmëria e madhe thjesht po bind gjithnjë e më shumë gra të pasojnë fenomenin.

Një vajzë e vogël rome nga Kameno, një fshat i varfër pranë Burgasit me një popullatë të madhe rome, tregon se si shoqja e saj dhe të afërm të tjerë janë tunduar të shesin.

“Kur je në fije të mbijetesës dhe nuk mund të ushqesh fëmijët dhe sheh që gjithnjë e më shumë familje udhëtojnë në Greqi me një grua shtatzënë dhe kthehen pa bebe… Pastaj ata kthehen dhe festojnë të njëjtën natë sepse kanë disa para… Kjo është koha kur fillon ta marrësh në konsideratë” thotë ajo.

Ajo dikur pyeti një të njohur nëse e merrte malli për binjakët e saj që kishte shitur.

Gruaja e re mblodhi shpatullat, bëri me shenjë nga fëmijët e tjerë dhe tha, “Ishte radha e tyre, përndryshe nuk do të mund t’u ushqeja”.

Në fshatin e saj trafikantët jetojnë mirë, thotë ajo.

“Unë do t’ju them se ku të shkoni dhe t’i kërkoni, por unë nuk do të vij me ju, sepse kam frikë edhe të më shohin duke folur bashkë,” thotë ajo.

Ne vizitojmë rrugë që na e treguar ajo. Në njërën anë janë kasolle të rrënuara, ku vendasit dhe policia thonë se është vendi nga vijnë gratë shtatzëna. Nga ana tjetër janë një duzinë apo më shumë shtëpi shumëkatëshe të reja që bien në sy, rrethuar me mure të larta me kangjella dhe makina ku rrijnë edhe burrat me unaza floriri dhe byzylykë.

Vendasit dhe policia thonë se rreth gjysma e këtyre shtëpive janë ndërtuar nga të ardhurat e trafikimit të foshnjeve. Shumë banorë të Kamenos, romë dhe bullgarë, thonë se ata janë të befasuar që autoritetet duket se bëjnë një sy qorr ndaj tyre.

Policia e Burgas tha për BIRN se ata ishin shumë të vetëdijshëm për burimin e kësaj pasurie, por kishte pak shpresa për hartimin e një çështje të konsoliduar në gjykatë.

Në maj të këtij viti, për shembull, anëtarët e dy familjeve që kanë shtëpi të mbajtura në Kameno dolën përpara gjykatës në Burgas.

Tre trafikantët – Stanka Raycheva dhe bashkëshortët Racho dhe Silvia Dinkovi – dëshmuan në dërgimin e një gruaje shtatzënë në Lamia në Greqi në vitin 2010 dhe shitjen e bebes së saj.

Nëna, e cila përballet me një gjyq të veçantë, dëshmoi kundër tyre. Pavarësisht kësaj, dhe dëshmisë së plotë nga policia bullgare dhe greke, dy prej tyre morën një dënim me kusht nën tre vjet, dhe tjetra një gjobë.

Një polic nga Burgas i cili ka punuar për çështjen i tha BIRN se dënime të tilla të lehta nuk do të shërbejnë si një pengesë.

“Trafikantët nuk kanë asnjë respekt për sistemin dhe kështu bëhet praktikisht e pamundur që të parandalohet përhapjen e këtij krimi,” tha ai, duke i rënë me grusht tryezës nga zhgënjimi.

Ai tha se hetimi mori 18 muaj dhe se ai dhe kolegët e tij ishin zhgënjyer nga një rezultat i tillë i punës së tyre të lodhshme.

Zyrtarët bullgarë thonë se ata nuk mundën të zbulojnë asgjë nga Greqia rreth asaj që ndodh te bebet pasi lindin.

Ekspertët nga Komisionit Bullgar i Luftës Kundër Trafikimit Njerëzor thonë se Regjistri Grek i Birësimit është edhe më sekret se regjistrimet në shërbimet anti-terroriste bullgare. Çdo herë, ata përpiqen të lokalizojnë një bebe, ata marrin të njëjtën përgjigje:

Nuk kemi bebe bullgare këtu, dhe ne nuk japim informacion për shtetasit grekë.

Çfarë duhet bërë?

Ersi Fotopoulou, një avokate nga qyteti verior grek i Selanikut që është marrë me disa birësime, tha se Greqia duhet ta rimarrë në konsideratë ndalimin mbi shkëmbimin e parave – një rregull që siguron që paraja nuk është përfshirë, ndryshe pjesa më e madhe i shkon trafikuesve.

“Në Shtetet e Bashkuara, ligji është më i ndershëm dhe lejon një transaksion financiar për sa kohë është i dukshëm,” thotë ajo. “Në Greqi, ne e mbulojmë çështjen. Ka gjithnjë para të përfshira.”

Shumë bullgarë, mes tyre familjet të përfshira, argumentojnë se birësimi në Greqi do t’i japë fëmijëve një jetë shumë më të mirë se vëllezërit e motrat e tyre që jetojnë në varfërinë e getove. Por punëtorët e socialë thonë se pa kontrolle, askush nuk e di se çfarë lloj jete bëjnë këta fëmijë.

Një punonjëse anti-trafikim në Sliven, që mohoi të emërohej, tha se Bullgaria dhe Greqia nuk mund ta ndalonin tregtinë.

“Nëse përfitimi mbetet aq i lartë dhe rreziqet të ulëta sa tani, është tunduese të përfshihesh dhe të vazhdosh këtë punë,” tha ajo.

Ajo sugjeroi një zgjidhje të pjesshme që duket se do të bjerë në veshë të shurdhër.

“Ndoshta të dyja vendet duhet të marrin në konsideratë një lloj legjislacioni – të imponojnë rregulla të qarta të pagesës për nënën, për mbështetjen e saj gjatë shtatzënisë, për pagesën e ekzaminimeve mjekësore, akomodimin. Të paktën kjo do të ndalonte tregun e zi, që sjell më shumë përfitime të trafikantët dhe ndërmjetësit”.

 

P.S. (Ky artikull u prodhua si pjesë e Iniciativës Alumni të Bursës Ballkanike për Ekselencë në Gazetari, mbështetur nga ERSTE Foundation dhe Open Society Foundations, në bashkëpunim me Balkan Investigative Reporting Network.)

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here