Jean Baudrillard, Amerika.

0

SHKODRAN RAMADANI

Libri “Amerika” i Jean Baudrillard është shkruar në vitin 1986. Libri është një përmbledhje e koncepteve abstrakte dhe refleksioneve intelektuale të autorit, të absorbuara gjatë një vizite të tij në SHBA në vitet ‘80. Libri është i ndërtuar në formë të prozë poemës, i qëndisur me një gjuhë të pasur dhe të rrjedhshme. Autori posedon njëfarë fuqie mistike të rrëfimtarit. Ai gjen mënyrën për t’u futur në mendjen e lexuesit dhe ta bindë atë që të fiksohet pas tekstit e ta lexojë e ta lexojë deri sa të arrijë në fund të librit. Sharmi në gjuhën e tij bën që udhëtimet e tij me automobil në autostradat amerikane, që përshkojnë edhe shkretëtirat më të shkreta të kontinentit, të përjetohen si një lundrim i qetë me barkë mbi ar të shkrirë që rrjedhë butësisht si lumi në shtratin e tij. “Udhëtimi është forma më spektakolare e amnezisë”, shkruan Baudrillard. Që të kuptosh shoqërinë amerikane, bëj disa milje mespërmes Amerikës dhe do të dish më shumë se sociologët e politikologët së bashku.

*

Duke depërtuar në mes të zemrës së tyre, autori ushqen një simpati të çuditshme për shkretëtirat. Rrugët e shkretëtirës, që janë rrugë të mezidallueshme e të boshatisura, kanë një qetësi mbinatyrore. Kultura amerikane është trashëgimtare e shkretëtirave. Ato nuk biejnë në kundërshti me qytetet. Ato përfaqësojnë zbrazëtinë, lakuriqësinë e thellë që gjendet mbrapa çdo esence njerëzore. Vepra e njeriut është vazhdimësi e shkretërirës, kurse kultura është mirazhi shkretinor dhe vazhdimësia e simulakrimit. Shkretëtira na shfaqet si zgjatim natyral i heshtjes së brendshme të trupit. Nëse gjuha, teknikat dhe ndërtesat e njeriut janë materializime të kapaciteteve të tij ndërtuese, shkretëtira është manifestim i boshllëkut të tij, skema më e mirë e formës së tij të zhbërë. Ashtu si Baudelaire kishte arritur që tek artificialja të gjente sekretin e modernitetit, Baudrillard e kap spektaklin natyral si thellësinë më emocionuese.

*

Sipas autorit, SHBA-të janë shoqëria e vetme në botë e cila mund të quhet primitive. Duke përshkruar New Yorkun, autori thotë se në këtë qytet të gjithë buzëqeshin, por vetëm me veten, e asnjëherë për njëri-tjetrin. Ideja e të jetuarit bashkë me dikë është mbinjerëzore. Mund të mbijetojnë vetanakët, bandat, mafiozët e shoqëritë sekrete, por jo çiftet. Është AntiArka e Noas. Në arkën fabuloze njujorkeze mbijetojnë vetëm të vetmuarit. Kur jemi te buzëqeshja, autori thotë se është buzëqeshja e Reganit, tek e cila arrin kulmin vetëkënaqësia e gjithë kombit amerikan dhe, sipas autorit, është duke u bërë përherë e më shumë parimi i vetëm i qeverisjes. Buzëqeshje autoprofetike, si të gjitha shenjat publicitare: buzëqeshni që t’ju buzëqeshin. Do të buzëqeshni për t’u dukur transparent, i çiltër. Buzëqeshni nëse nuk keni asgjë për të thënë, ose nëse jeni indiferent ndaj të tjerëve. Përmes buzëqeshjes, Regani arrin një konsensus më të fuqishëm se sa secili president tjetër përmes arsyes apo zgjuarsisë politike. Të qeshurat në televizionet amerikane kanë zëvendësuar koret e tragjedive antike greke. Ato i gjen gjithkund. Përderisa në të gjitha shoqëritë e qeshura i lihet publikut, në Amerikë të qeshurat nuk i shqisen dot ekranit. Është ekrani ai që qesh. Ai qesh për ju. Ju veç mund t’ia ngulni sytë tek sa ai nuk ndalon së qeshuri.

*

SHBA-të janë vendi ku të gjithë kanë humbur aftësinë për të ndaluar. Obezi nuk ndalet së ngrëni, njejtë si disku që nuk ndalet së rrotulluari në të njejtën hulli dhe njejtë si qelizat e tumorit që shtohen pa pushim. Është shoqëri që shkon drejt vetëvrasjes. Anoreksiku thotë: mua s’më mungon asgjë, prandaj nuk do të ha. Obezi thotë: mua s’më mungon asgjë, prandaj do të ha. Sipas Baudrillard kjo është zgjedhje shfarosëse. Pikërisht nga ky mentalitet vetvrasës burojnë edhe idetë kinematografike amerikane mbi fundin e botës. Kjo shoqëri është shfarosur në mënyrë të parakohshme. Shfarosjet e mëdha të Auschwitz-it dhe Hiroshima-s vazhdojnë edhe tani, por heshturazi. Bombat atomike po vrasin shoqërinë amerikane pa krijuar asnjë lloj zhurme, kurse përballë këtyre bombave, buzëqeshjet cinike të shoqërisë amerikane tallin rrezikun.

*

Më pas autori tregon edhe për uniformitetin e shoqërisë amerikane. Thotë se shumica e amerikanëve, në mungesë të një identiteti, janë në kërkim të vazhdueshëm të një “modeli gjinor”. Duhet gjetur mënyrat që krijojnë diferenca midis njerëzve. Moda dhe gjenetika përbëjnë dy pista mundësie për këtë synim. Prandaj edhe veshjet e ndryshme dhe eksperimentimi me gjenet. Me rëndësi është ndryshimi. Nuk ka rëndësi çfarë është ai.

*

Teksa ketrat ngarendin hareshëm mbi lëndinat e bukura amerikane të krijohet përshtypja se çdo gjë është në rregull dhe se Amerika tregohet e mirë me kafshët, me veten dhe me botën jashtë saj. Kjo mund të vërehet edhe tek Walt Disney që gëlon nga kafshët e ndijshme me gëzof të bukur. Por prapa këtyre imazheve, në të njejtën lëndinë ku vraponin ketrat e bukur, ngrihet një tabelë e vendosur nga sektet e krishtera që thotë: “Vietnam, Kamboxhia, Liban, Granadë – Ne jemi një shoqëri e dhunshme në një botë të dhunshme!” Lufta me Vietnamin përfundoi, në njëfarë mënyre, me epilog të barabartë: vietnamezët fituan në terren, kurse amerikanët në kinematografi. Vietnami korri fitoren ideologjike, kurse amerikanët prodhuan Apocalypse Now, film që mbështjelli gjithë globin me shiritin e tij.

*

Dikund nga mesi i librit, Jean Baudrillard ravijëzon dinamikat e pandalshme amerikane. Thotë se amerikanët janë të obsesionuar me dritat. Ato janë të ndezura në kulla, në zyrat bosh. Në autostrada, në mes të ditës, veturat mbajnë dritat ndezur. Reklamat nuk ndalen gjithë natën e lume. Televizorët janë të programuar për 24 orë rresht. Ata punojnë në mënyrë haluçinante në dhomat e zbrazëta të shtëpive, ani pse nuk ka kush i shikon. Televizionet vet flasin, vet qeshin. Shkurt, në Amerikë nuk pranohet rënia e muzgut. Duan që githçka të funksionojë gjatë gjithë kohës; duan që fuqia artificiale e njeriut të mos pushojë kurrë; duan që të fshihet ndërprerja e cikleve natyralë (stinët, dita dhe nata, të ngrohtit dhe të ftohtit) në dobi të një funksionimi të vazhdueshëm absurd (prej këtu edhe buron mungesa e një dallimi midis të vërtetës dhe të rremes). Këtë fenomen, në mënyrë fenomenale, autori e krahason me gjahtarin e shoqërive primitive, i cili ishte i ankthshëm në shuarjen e zjarreve kur dilte për gjah. Dritat gjithashtu kompenzojnë mungesën e arkitekturës.

*

Realiteti amerikan i ka paraprirë ekranit, por mënyra si funksionon ai sot, të bën të mendosh se ky realitet është i dizenjuar për t’iu përshtatur ekranit. E gjithë jeta amerikane është një film kinematografik. Ju e përshkoni shkretëtirën si një film western, kurse metropolet si një ekran shenjash e simbolesh. Shkretëtira amerikane është një dramaturgji e mrekullueshme, hiç teatrale siç janë malet, as sentimentale, siç është fshati. As e gërryer dhe monotone si shkretëtira australiane, e as mistike si shkretëtirat islame. Kësisoj, për të kuptuar sekretin amerikan, nuk duhet shkuar nga qyteti në ekran, por nga ekrani në qytet. Nëse Perëndimi hipostazohet në Amerikë, Amerika hipostazohet në Kaliforni, Kalifornia në Disneyland. Mu këtu është mikrokozmosi i Perëndimit. Kinemaja është simulakrumi i shoqërisë amerikane.

*

Më vonë, tek sa kalojmë mesin e librit, shohim se autori trajton edhe raportin që amerikanët kanë me lavdinë. Duke cituar artistin Andy Warhol, thotë se “Në këtë vend secili është, ose ka qenë i famshëm së paku dhjetë minuta”. Paskëtaj përmendet edhe ai personi që ka ngatërruar avionin dhe është gjendur në Auckland të Zelandës së Re, në vend që të ishte në Oakland të Kalifornisë. Kjo ndodhi e kishte bërë atë mbret të ditës në media. Në SHBA lavdia nuk vjen prej virtyteve të larta, e as nga veprimet heroike, por prej gjërave të vogla. Sa më i madh të jetë uniformiteti, aq më shumë vërehen dallimet e vockla midis njerëzve.

*

Për bankat, filozofi thotë se ato luajnë rolin e kishës. Të gjitha janë të grumbulluara në qendër të qytetit. Paraja është gjithmonë në qarkullim dhe vështirë se mund të futen nën zotërimin tënd. Paraja gjithashtu është bërë pjesë e hiperrealitetit të bursave. Konsiderohet blasfemi po i tërhoqët paratë nga banka. Ju duhet t’i besoni tregut dhe t’ia besoni atij paratë. Kur depoziton paratë në bankë, nuk shkon t’i marrësh më ato. Kur i lë mëkatet priftit përmes rrëfimit, a kthehesh që t’i marrësh prapa? Paraja është e pistë si mëkati. Banka e paraja janë bërë kishë dhe religjion, të pandashme.

*

Sa i përket hises politike në këtë libër, autori thotë se Amerika është utopia e realizuar, versioni origjinal i modernitetit. Evropa është vetëm versioni i dubluar i saj. Evropianët janë nostalgjikët e dërrmuar nga synimet idealiste, janë telallët e idesë se gjithçka është e mundur. Baudrillard është skeptik kur bëhet fjalë për revolucionet dhe thotë se ata zhbërthamëzohen para se të arrihen. Kurrë nuk do ta përjetojmë çudinë dramatike. Për dallim prej Evropës së trazuar nga revolucionet politike, Amerika është një ishull i qetë. Marksizmi nuk ka arritur që të kalojë oqeanin e të vendoset në Amerikë. Konceptet shoqërore dhe politike nuk kanë mundur të lëshojnë shtat në territorin amerikan. Amerika është një shoqëri morale e jo politike. Ideja kryesore e Tocqueville-t është se esenca e Amerikës është tek revolucioni i zakoneve dhe i moralit. Edhe feja, edhe politika i janë nënshtruar parimeve pragmatike. Ideologjia dhe filozofia nuk janë përqafuar asnjëherë nga amerikanët. Në Amerikë nuk ka “Kontratë sociale”, por “Pakt Moral”. Amerikanët nuk aspirojnë barazinë. Evropianët po.

*

Sa i përket problemit racor, autori shkruan se Amerika është e ndërtuar mbi parimet pluraliste dhe se kjo përbën një situatë origjinale. Diversiteti është gjendje natyrale e shoqërisë amerikane. Amerika është një Melt Pot ku janë shkrirë të gjitha racat e kombësitë. Ndërkohë që e njejta nuk mund të thuhet edhe për Francën. Këtu thjesht situata koloniale është transferuar në metropol. Pabarazia racore në kolonitë franceze është bartur në qytetet e Francës. Ekzokolonializmi është brendësuar dhe është bërë Endokolonializëm. Ja përse kur shkon në Francë e nuhat erën e racizmit. Por këto pohime s’do mend që janë të debatueshëm.

*

Evropianët kritikojnë amerikanët se s’dinë të analizojnë dhe të konceptojnë, por ky, sipas Baudrillard, është gjykim i gabuar. Evropa është metafizike, kurse Amerika empirike. Evropianët mendojnë se trashendenca është formulë për gjithçka. Evropianët konceptojnë realitetin, kurse amerikanët realizojnë konceptet. Amerikanët prodhojnë realen duke u nisur nga idetë, kurse evropianët e shndërrojnë realen në ide ose në ideologji. Për amerikanët ka kuptim veç ajo që shfaqet ose prodhohet, kurse për evropianët kuptim ka vetëm ajo që mendohet ose që fshihet në prapavijë. Jeta në Amerikë është si xhirimi i filmave: Aksion! Dhe kamera fillon punën.

*

Periudha e Reganit në krye të Amerikës shenjon edhe daljen në pah të Botës së Katërt. Tri botëve të vjetra u shtohet edhe një tjetër. Të varfërit e prodhuar nga neoliberalizmi krijojnë një situatë të re në Perëndim. Përderisa në skemën e tri botëve të varfërit dhe të pasurit jetonin të ndarë në Qendër dhe Periferi në nivel global, neoliberalizmi tani i ka vendosur ata pranë njëri-tjetrit, mu në qendrat dhe periferitë e metropoleve të mëdha. Grupe të mëdha njerëzish po shkretëtirëzohen dhe nuk po arrijnë t’i kalojnë kufijtë e statistikës. Të varfërit duhet të lëshojnë rrugë e të zhduken nga harta. They must exit. Për varfanjakët e rinj do të ketë vetëm shkretëtira të reja.

*

Por pse Regani është i pakonkurencë në SHBA? Sepse atij i është dhënë besimi paradoksal. Prototip i këtij besimi është mesianizmi fetar i cili kur ka dështuar, shërbëtorët e shefit, në vend se të shpërndaheshin, janë grumbulluar rreth shefit dhe krijuan institucionet fetare për të siguruar besim. Institucionet fetare pra janë prova e gjallë e dështimeve mesianike. Por amerikanët nuk vuajnë nga ky fakt sepse ata e mohojnë dështimin. Amerikanët janë në një gjendje postmoderne. Amerikanët: primitivët e fundit. Atyre u mungon vetëdija mbi simulacionet e tyre. Ata janë trupëzimi i hiperrealitetit. “Amerikanët mund të mos kenë identitet, por ata kanë dhëmbë të mrekullueshëm.”

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here