Janë rivarrosur eshtrat e dëshmorëve Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj

0

Nga varrezat e Tiranës, ku presheshin tash e 20 vjet, eshtrat e heroit Ilir Konushevci dhe dëshmorit Hazir Malaj, janë rivarrosur me nderime shtetërore në varrezat e dëshmorëve në lagjen “Velania” në Prishtinë, raporton KTV.

Para kësaj ceremonie, në hollin e Kuvendit të Kosovës, krerë të institucioneve dhe partive politike e qytetarë, i kanë nderuar dëshmorët me homazhe.

Ndërsa në Akademinë Përkujtimore, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se duhet të punojnë për të qenë të bashkuar, pasi vlerësoi se është e vështirë ruajtja e lirisë.

“Sot është ditë e ndjeshme për kombin tonë, sepse u deshën 20 e sa vjet që edhe një herë të bashkohemi dhe të kujtojmë rrugën tonë të vështirë për liri dhe detyrat e pakryera ndaj atyre që ranë për liri. Sado pak sot kemi të drejtë pas një veprimi që atdheu i ka borxh Ilirit dhe Hazirit, mund të ndihemi të lehtësuar se e kryem një borxh ndaj atyre që kanë luftuar”.

Sabit Brokaj, ish-ministër i mbrojtjes në Shqipëri, tha se sakrificat e Konushevcit dhe Malajt për atdheun janë të përjetshme.

“Hazari ishte një nga kanalet kryesore për furnizimin me armatim për UÇK-në. Shtëpia e Hazirit në Tropojë ishte bazë e UÇK-së. Aty kanë qenë drejtues të lavdishëm të UÇK-së”.

Rifat Jashari, përfaqësues i familjes Jashari nga Prekazi, u shpreh se familjarët e dy dëshmorëve duhet të jenë më të fortë se kurrë.

“Vepra e tyre, puna dhe pushka e tyre nuk do te ndalet kurrë sa të ekzistojë dem baba dem populli shqiptar”.

Ndërsa, Besim Malaj, përfaqësues i familjeve të dy dëshmorëve, tha se dhimbja për humbjen e tyre nuk i trembi e as ligështoi, por i motivoi edhe më tepër.

“Dashuria dhe respekti i bashkëluftetarëve dhe miqve bëri që në varret e dëshmorëve të mos thahen kurrë lule. Sot është ditë e veçantë, pasi ata kthehen të dy”.

Ilir Konushevci ka qenë njëri ndër udhëheqësit kryesorë të luftës në rajonin e Llapit. Ish-presidentja Atifete Jahjaga, e kishte shpallur atë hero të kombit më 2009, në 11-vjetorin e vrasjes së tij.

Konushevci dhe Malaj, u vranë më 9 maj të vitit 1998 në një pritë në fshatin Miliskajë të Bajram Currit në Shqipëri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here