Jahjaga:Kushtetuta jonë ishte e miratuar por e pa provuar”

0

Në ditën e Kushtetutës së Kosovës një fjalim rasti mbajti edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.Ja fjalimi i saj:

“Të nderuar të pranishëm,

Gjatë vitit të kaluar ne kemi parë se Kushtetuta jonë është e miratuar por e pa provuar. Gjithashtu, kemi dëshmuar se institucionet tona dhe partitë politike janë të gatshme dhe të vetëdijshme që funksionet dhe diskutimet duhet të zhvillohen në kuadër të këtij akti më të lartë juridik. Kushtetuta, sikur edhe institucionet e mandatuara për zbatimin e saj, janë vënë para një sprove të rëndë të qëndrueshmërisë, të dhënies së përgjigjes për realitete politike të cilat nuk i kishte përshkruar. Por, edhe në momentet e lëkundjeve të mëdha, debati brenda kuadrit kushtetues, duke u shkëputur një herë e përgjithmonë nga vullneti i momentit dhe duke u përqendruar në parimet e Kushtetutës, vendosi standard të domosdoshëm për zhvillimin demokratik të vendit.

Në këtë proces, ne kemi arritur që të zhvillojmë një debat gjithëpërfshirës mbi nevojën e jetësimit të plotë të vlerave dhe normave kushtetuese. Më lejoni që në këtë ditë të theksoj domosdoshmërinë për të respektuar dhe për të zbatuar një ndër vlerat më të rëndësishme të Kushtetutës, atë të barazisë para ligjit. Ne duhet të jemi të gjithë të barabartë para ligjit, andaj nevoja për një sistem gjyqësor të pandikuar nga politika është e domosdoshme. Sistemi ynë i drejtësisë, ashtu edhe siç parashihet në Kushtetutë, duhet të jetë unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm. Kjo mbetet një aspiratë, realizimi i të cilës po kushtëzon qëndrueshmërinë tonë si shtet, besimin e qytetarëve në vendin e tyre dhe përpjekjet e shoqërisë tonë që Kosovën ta vendosë në proceset integruese.

Sot, kur po e shënojmë këtë përvjetor, dua t’i inkurajoj të gjithë ata që punojnë e guxojnë në bazë të parimeve e normave të kësaj kushtetute, që të vazhdojnë punën dhe shembullin për ta ndërtuar shtetin e së drejtës. Shteti i së drejtës duhet të jetë mision i përhershëm i të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës dhe realizimi i këtij nocioni e vetmja garanci që do ta bëjë Kosovën koncept të qëndrueshëm.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here