Jahjaga u takua me delegacionin e PE-së

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim një delegacion nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, i cili kryesohej nga nënkryetarja e këtij parlamenti, Ulrike Lunaçek.

Presidentja Jahjaga e njoftoi këtë delegacion me zhvillimet e përgjithshme në vendin tonë, me theks në proceset dhe reformat që janë duke u zhvilluar e që ndërlidhen me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Ajo theksoi angazhimin e institucioneve të Kosovës për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, vendosjen e rendit dhe ligjit, duke konstatuar se Kosova është shembull për gjithë rajonin për qasjen që ka treguar ndaj sfidave globale siç është ekstremizmi dhe radikalizmi.

Presidentja Jahjaga me deputetët evropianë bisedoi edhe për procesin e dialogut me Serbinë, ku edhe një herë ritheksoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura në këtë proces, pasi që vlerësoi se ka ngecje në zbatimin e tyre në praktikë. Ajo rikonfirmoi qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet fqinje, përfshirë këtu edhe Serbinë.

Duke folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, Presidentja Jahjaga theksoi se vendimi për krijimin e kësaj force është bërë pas rishikimit të sektorit të sigurisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n.

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek dhe anëtarët e tjerë të delegacionit nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, shprehën mbështetjen e vazhdueshme të këtij institucioni për perspektiven e qartë evropiane të Kosovës. Ata çmuan lart rolin e Presidentes Jahjaga në krijimin e imazhit shumë pozitiv të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe kontributin e saj në zhvillimet brenda vendit.

12063471_889265437829267_4187556840692406044_n

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here