Jahjaga: “Shteti i së drejtës nuk njeh hierarki dhe fuqi politike sepse dora e ligjit është fuqia vetë”

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në një ceremoni të diplomimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë u ka thënë atyre se “shteti i së drejtës është i vështirë të ndërtohet dhe njëkohësisht është vlera më e lartë e një shoqërie”. Ajo ka përkujtuar se duke qenë shtet i ri, me idealin e ndërtimit mbi parimin se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit “shumë herë brenda këtyre viteve të pavarësisë jemi zmbrapsur duke mos e përmbushur vizionin e përcaktuar”.
“Por, shteti i së drejtës, një gërshetim i parimit të lirisë dhe të drejtave të njeriut me forcën e ligjit, është e vetmja mënyrë për të realizuar qëllimin – të përmbledhur në Kushtetutën tonë – për qytetarin e barabartë pa dallim”, ka tërhequr vërejtjen Jahjaga.
“Prandaj shteti i së drejtës nuk njeh hierarki dhe fuqi politike sepse dora e ligjit është fuqia vetë”, ka shtuar ajo.
Jahjaga ka theksuar se këtë sistem të rëndësishëm të shtetësisë sonë “duhet ta depolitizojmë, ta ndihmojmë që të ndërtohet mbi bazat e profesionalizmit, integritetit personal dhe mbi kërkesën për një drejtësi për të gjithë”. Ajo ka tërhequr vëmendjen se “është koha të tregojmë se Kosova ka fuqinë e shpirtit të shoqërisë së saj për ta krijuar shtetin ligjor, për të dëshmuar se askush nuk mund të jetë mbi ligjin, për të treguar se ajo nuk është vend i ekstremizmave dhe krimit të organizuar e korrupsionit dhe për të përmbyllur proceset e filluara të rëndësishme të cilat po prekin jetën e gjithsecilit qytetarë tanë”.
Presidentja u ka thënë kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë se mbi ta bie barra e madhe e rikthimit të besimit të lëkundur të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here