Jahjaga shfaq shpresën para Papa Fançeskut se Selia e Shenjtë do ta mbështesë vizionin e një Kosove të pavarur

0

 

PRISHTINË, 21 JANAR – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është pritur të mërkurën në Selinë e Shenjtë në Vatikan nga Papa Francesku. Në takimin që ka zgjatur mbi 40-minuta presidentja Jahjaga sipas njoftimieve nga presidenca i ka shprehur Papa Franceskut mirënjohjen për pritjen, duke e vlerësuar atë si një gjest të besimit dhe të njohjes së përpjekjeve të Kosovës për të forcuar harmoninë ndërfetare, si dhe të ambicieve për të jetuar në paqe dhe liri të një shoqërie të qytetarëve të barabartë. Presidentja Jahjaga e ka falënderuar Papa Franceskun edhe për porositë e tij për shpresë dhe gjithëpërfshirje dhe e ka vlerësuar rolin mbështetës të Selisë së shenjtë për Kosovën në periudhat e rënda të historisë së saj. Ajo ka thënë se në rrugën e saj të vështirë, Kosova ka qenë e inspiruar nga udhëzimet e Papa Gjon Palit II dhe durimi dhe humaniteti i Nënës Terezë. Presidentja Jahjaga ka theksuar se Kosova sot është e njohur nga 108 shtete të botës dhe ka thënë se shpreson që “edhe Selia e Shenjtë do të vendosë që ta mbështesë vizionin e një Kosove të pavarur dhe demokratike”. Presidentja Jahjaga ka tërhequr vëmendjen se “Kosova sot është një shtet laik por gjithashtu edhe një rrëfim inspirues i harmonisë ndërfetare”. Ajo ka vequar se pas përfundimit të luftës në përpjekje për të ruajtur multietnicitetin dhe multikulturalizmin, Kosova ka garantuar të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe gjithashtu ka vazhduar ta forcojë dialogun ndërfetar, duke u mundësuar udhëheqësve fetarë, të tri religjioneve, të ndërtojnë marrëdhënie të ngushta ndërmjet vete. Në ndërkohë në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka njoftuar se gjatë takimit me Papa Françeskun i ka dhuruar atij një kristal të nxjerrë në thellësi 900 metra nga “Trepça”, siq është shprehur “me dheun e Kosovës, për ta bekuar atdheun tonë të shenjtë”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here