Jahjaga nuk do të kandidojë sërish për presidente

0

Atifete Jahjaga thotë se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë si presidente e Kosovës.

”Mandati im përfundon më 6 prill 2016”, ka deklaruar Jahjaga në një intervistë për të përditshmen kosovare “Zëri”.

E pyetur nëse në një mandat të dytë të mundshëm do të ishte më e suksesshme, ajo u shpreh: “Jam e përqendruar në përmbylljen e mandatit tim si presidente. Kam ende gjëra që duhet t’i përmbyll. Dhe mos harroni, ende kam për të luajtur rol në tejkalimin e krizës aktuale. Kudo që do jem, do të vazhdoj të jem e përkushtuar që të kontribuoj në forma të ndryshme në shumë çështje të cilat i kam iniciuar në rolin tim si presidente”.

Lidhur me zërat se Hashim Thaçi do të jetë pasardhësi i saj në karrigen e presidentit, Jahjaga tha se kjo do t’u takojë deputetëve të Kuvendit: “Është çështje e 120 deputetëve, që janë të thirrur me Kushtetutë të zgjedhin presidentin e Republikës së Kosovës. Është përtej detyrave të mia kushtetuese të jap vlerësim për këdo nga ky pozicion”.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here