Jahjaga në Drenas, zotohet të mbështesë fuqizimin ekonomik të grave

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka vizituar sot Komunën e Drenasit. Nga kryetari i komunës, Nexhat Demaku, ajo u njoftua me rrjedhat dhe zhvillimet e përgjithshme në komunë, si dhe me problemet dhe sfidat me të cilat përballet komuna. Kryetari Demaku gjithashtu e ka njoftuar presidenten edhe me çështjen e migrimit të qytetarëve nga kjo komunë dhe me uljen e madhe të kësaj lëvizjeje në javët e fundit. Ai ka vequar se komuna po përballet me vështirësi në procesin e zhvillimit ekonomik që do të ndihmonte edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, por ka theksuar se po bëhen përpjekje të vazhdueshme për të krijuar një mjedis dhe klimë sa më të mirë për biznes dhe tërheqjen e investimeve nga jashtë. Presidentja Jahjaga ka marrë pjesë në shënimin e fillimit të punës në punëtorinë e rrobaqepësisë për gratë e Drenasit, e udhëhequr nga Kadire Tahiraj. “Punëtoria po hapet në një ditë të veçantë, siç është dita e sotme, që simbolizon edhe sakrificën tonë si popull dhe si shtet për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë. Pjesë e kësaj sakrifice dhe e kësaj dhimbjeje të madhe kanë qenë edhe gratë tona, kanë qenë heroinat tona, që unë u them grave që kanë qenë viktima të dhunës në përgjithësi gjatë luftës. Një numër i tyre tanimë nuk janë në mesin tonë. Një numër tjetër i tyre kanë tani një projekt, që i fuqizon ekonomikisht ato përmes programeve të trajnimit dhe avancimit”, ka thënë Presidentja Jahjaga, duke shtuar se “kjo punëtori është nismë e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarat e Dhunës në përgjithësi pas luftës, i përkrahur fuqishëm nga KRCT-ja, nga ambasada britanike dhe USAID-I”. “Ky është një projekt i përbashkët dhe i financuar në një pjesë të madhe edhe nga një fondacion, pas prezencës sime në Samitin Global të Grave vitin e kaluar, i cili është financim për blerjen e makinave. Ky është hapi i parë. Projekte të tilla do të ketë edhe në komuna të tjera. Komuna tjetër e radhës do të jetë komuna e Gjakovës në të njëjtin projekt dhe do të përkrahet fuqishëm nga institucioni im, por edhe nga institucionet e tjera të vendit”, ka theksuar Presidentja Jahjaga.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here