Jahjaga në bisedë me Mogherinin

0

Presidentja Jahjaga priti sot Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, zonjën Federica Mogherini me të cilën diskutuan për zhvillimet politike në vend dhe rajon dhe agjendën evropiane të Kosovës.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin për takimin.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës janë të angazhuara për të përshpejtuar përmbushjen e të gjitha kritereve të mbetura deri në qershor që do të mundësojnë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave qytetarëve të Kosovës dhe për të përmbyllur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në fillim të verës të këtij viti për të vazhduar me zbatimin e saj në fillim të vitit të ardhshëm. Ajo inkurajoi Përfaqësuesen e Lartë Mogherini që BE-ja të vazhdojë të ndërtojë politikë konsensuale në raport me Kosovën që ajo të gëzojë të njëjtin trajtim me të gjitha shtetet tjera të rajonit.

Presidentja Jahjaga e shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë. Duke përshëndetur numrin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe konstruktivitetin e palëve në procesin e dialogut, Presidentja Jahjaga theksoi rëndësi e zbatimit të këtyre marrëveshjeve si dëshmi të vullnetit politik dhe parakusht për përparimin e shteteve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidentja Jahjaga e njoftoi zonjën Mogherini me përpjekjet e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e marrëveshjes ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të trajtojë akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova do të dëshmojë përkushtimin e saj për sundimin e rendit dhe ligjit dhe në respektim të plotë të parimit të drejtësisë.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, zonja Mogherini dhe Presidentja Jahjaga u pajtuan për të gjitha pikat e agjendës evropiane të Kosovës.

Zonja Mogherini përgëzoi Presidenten Jahjaga për rolin e saj në promovimin e integrimit evropian brenda Kosovës dhe partneritetin me BE-në, angazhimin e saj për të qenë faktor uniteti në vend dhe në veçanti kontributin e Presidentes Jahjaga në adresimin e migrimit ilegal dhe radikalizimit. 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here