Jahjaga kërkon trajtim të barabartë nga BE-ja në kuadër të perspektivës evropiane

0

PRISHTINË, 18 SHKURT – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim komisionerin e BE-së për politikat e fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn. Në takim u bisedua për perspektivën evropiane të Kosovës, përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave dhe të MSA-së për Kosovën, migrimin ilegal të qytetarëve të vendit, si dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, përmes dialogut që po zhvillohet në Bruksel. Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për përmbushjen e reformave në agjendën evropiane dhe të përshpejtimit të procesit të integrimit. Ajo tha se Kosova duhet të trajtohet nga BE-ja në mënyrë të ngjashme sikurse edhe të gjitha shtetet e tjera, në kuadër të perspektivës evropiane për rajonin. Presidentja Jahjaga theksoi se prioritet i punës së institucioneve të vendit është vendosja e sundimit të ligjit dhe rendit, zhvillimi ekonomik dhe ulja e shkallës së papunësisë, që do të ndalojë edhe migrimin ilegal, një fenomen që ka prekur Kosovën në muajt e fundit. Duke folur për dialogun me Republikën e Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se dialogu duhet të jetë transparent për qytetarët dhe se të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të përmbushen plotësisht. Komisioneri i BE-së Johannes Hahn, duke e vlerësuar rolin e Presidentes Jahjaga, theksoi se është me rëndësi për Kosovën ruajtja e stabilitetit dhe angazhimi në thellimin e reformave të brendshme që do të mundësojnë edhe zhvillim ekonomik. Ai tha se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me migrimin ilegal dhe theksoi se procesi i vlerësimeve të përmbushjes së kritereve për liberalizim do të vazhdojë. Hahn tha se rifillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është me rëndësi të veçantë, sepse kjo do të ndihmojë edhe më shumë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here