Jahjaga: Jam presidentja e parë konsensuale dhe apartiake

0

Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, sot e ka zhvilluar diskutimin e radhës në kuadër të Forumit FOL Hapur, ku e ftuar ishte Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Temë e debatit me presidenten ka qenë roli i Presidentes në kushtetutshmërinë dhe funksionimin demokratik të institucioneve, sundimin e rendit dhe ligjit, me theks të veçantë luftën kundër korrupsionit si dhe konsolidimin ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës. Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka thënë se rolin e Presidentes së Republikës së Kosovës e ka kaluar në përpjekje të vazhdueshme të stabilizoj institucionin dhe ta ri-definoj rolin e Presidentit në ndërtimin e jetës pluraliste dhe institucionale të Republikës së Kosovës, duke jetësuar parimet kushtetuese që përbëjnë bazën e demokracisë sonë dhe garantojnë qëndrueshmërinë e Kosovës si shtet.
“Në vitin 2011, kam trashëguar një zyre të politizuar që e ka paguar çmimin për përzierje në politikën ditore. Zyra e Presidentit të Kosovës është parë nga publiku i gjerë dhe votuesit e Kosovës si pjesë e marrëveshjeve të bërjes së koalicioneve mes dy apo më shumë partive”, ka tërhequr vëmendjen Presidentja Jahjaga. “Dhe si Presidentja e parë konsensuale dhe apartiake në historinë e Kosovës së pavarur, detyra ime e parë ka qenë që zyrën e Presidentit ta depolitizoj duke e hapur për qytetarin dhe të gjitha subjektet politike të cilave qytetarët e Kosovës ua kanë besuar votën”, ka theksuar e para e vendit.
Ajo në vazhdim ka thënë se shteti ynë duhet të udhëhiqet nga një ndër vlerat më të rëndësishme të Kushtetutës, “atë të barazisë para ligjit”. “Sistemi jonë i drejtësisë, ashtu edhe siç parashihet në Kushtetutë, duhet të jetë unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm. Na duhet më shumë përkushtim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kjo do të thotë më shumë rezultate konkrete. Angazhimi në këtë luftë është i përbashkët, edhe i institucioneve edhe i gjithë shoqërisë. Lufta kundër korrupsionit nuk mund të ndalet dhe nuk mund të pengohet. Ne kemi identifikuar dhe zgjidhur shumë probleme në Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, por barra kryesore bie mbi institucionet që kanë kompetenca ekzekutive në hetim, ndjekje dhe gjykim”, është shprehur Jahjaga.
Presidentja e shtetit ka thënë në vazhdim se pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës i duhej të dëshmohej si shtet, në forcimin e legjitimitetit të saj të jashtëm përmes njohjeve bilaterale, anëtarësimit në nisma rajonale dhe ndërkombëtare, duke ndërtuar ura bashkëpunimi politike, kulturore dhe ekonomike, forcimin e marrëdhënieve me partnerët strategjik që do të avancojnë marrëdhëniet bilaterale dhe do të forcojnë vlera të përbashkëta.
“Gjatë muajve të fundit kam takuar vazhdimisht institucionet përgjegjëse, por edhe përmes Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, me qëllim për të bashkërenduar në mënyrë efikase dhe për të përshpejtuar përmbushjen e kritereve të mbetura teknike në kuadër të Dialogut për Liberalizim të Vizave. Ne jemi pajtuar që të gjitha rekomandimet teknike do të adresohen deri në muajin maj. Unë jam e bindur që më në fund ky dialog do të fuqizohet dhe do të përmbyllet me sukses”, ka theksuar presidentja Jahjaga.
Ajo ka shtuar se në fillim të verës Kosova pret që të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, “që shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe në përafrimin e vendit tonë me familjen evropiane”. “Fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshje e vendosë Kosovën në qendër të politikës së zgjerimit të BE-së për rajonin dhe fillimin konkret të procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.”
Presidentja Atifete Jahjaga ka spikatur se beson që “Ballkani Perëndimor mund të arrijë të bëhet një rajon me demokraci të konsoliduar, i përparuar dhe me ekonomi funksionale të tregut dhe kontribuues i besueshëm euroatlantik për adresimin e sfidave globale”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here