Jahjaga i dorëzoi Rita Orës Medaljen Presidenciale “Ambasadore e Nderit”

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një pritje të veçantë të organizuar në ambasadën e Kosovës në Londër, i dorëzoi artistes, këngëtares me famë botërore, me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, Medaljen Presidenciale “Ambasadore e Nderit”, me të cilën e ka nderuar më herët.

Në ceremoninë e organizuar morën pjesë edhe ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, lordi George Robertson, ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali Michael Jackson, përfaqësues diplomatikë ne Londër dhe miq të Kosovës.

Në një fjalë mbajtur me këtë rast, Presidentja Jahjaga theksoi:

Zoti dhe zonja Blair,
Lord Robertson,
Gjeneral Jackson,
E dashura Rita,
Të nderuar miq të Kosovës,
Zonja dhe Zotërinj,

Unë dëshiroj t’ju uroj mirëseardhje të gjithëve në Ambasadën e Republikës së Kosovës këtu në Londër.

Ne jemi të nderuar që kemi sot, këtu me ne, një grup të tillë kaq të shquar, miq të vërtetë të vendit tim, të cilët kanë kontribuar me angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm për popullin e Kosovës.

Kosova sot është në paqe. Është një shtet i pavarur. Sovran. Demokratik. Dhe nuk do të ishte çfarë është sot – një shtet që mishëron vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut – po të mos ishte vendosmëria tuaj për ta çliruar Kosovën dhe besimi juaj se populli i Kosovës meriton të jetë zotërues i fatit të vet. Që Kosova të jetë e barabartë me kombet e tjera të botës, dashamirëse të paqes.

Kur ne festojmë për vendin tone të ri dhe i falënderohemi Britanisë së Madhe dhe aleatëve tanë për rolin e tyre për të na ndihmuar të kthejmë një kapitull të ri në Kosovë, sot unë, gjithashtu, dua të shprehë mirënjohjen për anëtarët e diasporës sonë, të cilët mbajnë gjallë miqësinë dhe lidhjet ndërmjet kombeve tona.

Si Presidente e Kosovës, kam nderin që t’i ndaj sot, artistes më të suksesshme të Kosovës, të mrekullueshmes Rita Ora, dhe ta nderojë atë me titullin “Ambasadore Nderi” e Republikës së Kosovës në botë.

Ky titull u jepet shtetasve të huaj dhe qytetarëve me origjinë kosovare, të cilët kanë kontribuar dhe kontribuojnë për interesin kombëtar të Kosovës.

Ne jemi të mahnitur nga Rita. Përmes vullnetit dhe talentit të saj, ajo është bërë një frymëzim për kombin e saj. Me vështirësitë e jetës së një refugjati, të larguar nga shtëpia e tyre, familja e saj nuk e humbi shpresën. Nuk u dorëzuan. Ata kërkuan për mundësi të reja këtu në Britani, në një shtet që i përqafoi si të ishin të tij dhe i lejoi ata që të konkurrojnë si të barabartë, pa asnjë diskriminim.

Miq,

Sot unë dua që ju të gjithë të bashkoheni me mua për të falënderuar Verën dhe Besnikun, prindërit e përkushtuar të Ritës, të cilët e kanë rritur atë, motrën e saj Elenën dhe vëllain Donin, me vlera të forta dhe me krenari të tillë. Dhe tani, qielli është kufiri.

Rita, ti përfaqëson tërë atë që ne jemi si komb. Çfarë ne kemi kaluar dhe çfarë ne mund të arrijmë kur të na jepet mundësia. Përtej talentit dhe suksesit tënd, që na bën të gjithëve krenarë, ne jemi shumë mirënjohës se je një vajzë e Kosovës, e cila është krenare për rrënjët e saj. Ti je ura më e mirë ndërmjet Kosovës, vendit ku je lindur, dhe Britanisë, vendit që tani e quan shtëpi.

Z. Blair, Lord Robertson, Gjeneral Jackson,

Ju dhe vendi juaj na ndihmuat të fitojmë paqen dhe ju vazhdoni të mbështesni përparimin tonë. Në këmbim, Kosova ju ka dhënë Rita Orën. Megjithatë, ju ende na keni borxh.

Në përfundim, unë dua të them se sa krenare është Kosova që të ketë Britaninë e Madhe si një mike, një partnere dhe një aleate. Rita, ti përfaqëson lidhjen ndërmjet kombeve tona si një dritë që shkëlqen.

Gëzuar për miqësinë tonë të përjetshme!

10_07_2015_3561856_Fjalimi_i_Presidentes_Jahjaga_ne_ceremonine_e_ndarjes_se_Medaljes_Presidenciale__Ambasadore_Nderi__per_Rita_Oren_4

 

10_07_2015_9876715_Fjalimi_i_Presidentes_Jahjaga_ne_ceremonine_e_ndarjes_se_Medaljes_Presidenciale__Ambasadore_Nderi__per_Rita_Oren_6

 

11703035_854112174677927_6795328121191584099_n

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here