Jahjaga dhe shefi i IOM-it “përgatisin kornizën” për kthimin dhe integrimin e të ikurve nga Kosova

0

PRISHTINË, 12 SHKURT – Derisa ka ende qytetarë të Kosovës që mësyejnë rrugët ilegale për të ikur nga Kosova, institucionet e vendit dhe organizata ndërkombëtare i kanë filluar përgatitjet për kthimin e atyre që u larguan kohëve të fundit. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim shefin e misionit të Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM), Jorge Baca Vaughan me të cilin ka biseduar pikërisht rreth kësaj teme. Duke folur për zhvillimet më të fundit dhe migrimin ilegal të një numri të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të BE-së, presidentja Jahjaga e ka theksuar domosdoshmërinë e angazhimit të të gjitha institucioneve edhe vendore por edhe ndërkombëtare me qëllim të ndalimit të migrimit ilegal dhe përgatitjen për kthimin e tyre nga vendet e BE-së. Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të punojnë në garantimin e sundimit të ligjit, që do të mundësojë edhe zhvillimin ekonomik dhe, krahas kësaj, edhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit. Presidentja Jahjaga e ka vlerësuar rolin që ka IOM-i në ndihmë institucioneve vendore lokale dhe atyre qendrore për riintegrimin e të gjithë qytetarëve që do të kthehen. Shefi i misionit të IOM –it Jorge Baca Vaughan ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar institucionet e Kosovës në procesin e kthimit nga vendet e BE-së të azilkërkuesve nga Kosova, përmes programeve të ndryshme që kanë të bëjnë me krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, mbështetjen për komunitetet si dhe përmes programit për kthimin vullnetar të të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë azilkërkuesë në vendet e BE-së.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here