Jahjaga dhe Mustafa biseduan me ambasadorin amerikan rreth Gjykatës Speciale

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim Stephen Rapp, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për krime lufte, për të diskutuar për procesin e themelimit të Gjykatës Speciale. Presidentja Jahjaga e njoftoi Ambasadorin Rapp për përmbylljen e procesit të shqyrtimit të amendamenteve nga Gjykata Kushtetuese që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do të sigurojë një proces kredibil dhe të përgjegjshëm për t’u përballur me akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës. Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës tashmë kanë dëshmuar përgjegjësinë për këtë proces dhe mbesin të përkushtuara të përmbushin këtë obligim ndërkombëtar, që do të dëshmojë seriozitetin e Republikës së Kosovës si pjesëtare e përgjegjshme e arenës ndërkombëtare. Presidentja Jahjaga theksoi se, duke u bazuar në rolin e saj kushtetues, do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha institucionet dhe grupet parlamentare e spektrin politik, të diskutojë përgjegjësitë dhe implikimet që dalin nga procesi i themelimit të Gjykatës Speciale, e cila nuk do të gjykojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, por do të përcaktojë përgjegjësinë individuale për akuzat e ngritura. Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim Ambasadorin Stephen J. Rapp. Kryeministri Mustafa dhe Ambasadori Rapp biseduan për përparimin që është bërë në procesin e themelimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që përfshinë ndryshime kushtetuese dhe ligjore të nevojshme. Kryeministri Isa Mustafa e informoi për hapat që janë ndërmarrë nga institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë drejtim. Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe besimin në pjekurinë e institucioneve të Kosovës për të marrë vendime të rëndësishme. Ambasadori i ngarkuar për Çështje të Krimeve të Luftës, Stephen J. Rapp, vlerësoi punën e deritashme që kanë bërë institucionet e Kosovës si dhe inkurajoi për hapat e rëndësishëm dhe të nevojshëm që duhet të ndërmerren, në vijim. Ambasadori Rapp gjithashtu shprehu interesimin dhe gatishmërinë e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar, në këtë proces.

isio

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here