Jabllanoviq si pasojë e papërgjegjshmërisë së Qeverisë

0

SHPEND GUDAQI

Irritimi ndaj deklaratave të Jabllanoviqit dhënë ditëve të fundit lidhur me luftën e fundit në Kosovë mori përmasa shqetësuese, ku si pasojë rezultoi me protesta gjithandej nëpër qytetet tona. Ofendimet e tij janë diskurs i vazhdueshëm i politikanëve serbë ndaj popullit kosovar. Duket se Jabllanoviq nuk ishte i vëmendshëm në fjalorin e tij ofendues, se edhe diskursi ofendues ka një klasë i cili aplikohet nga politikanë snobistë e fashistë si politikanët serbë. Absurdi i radhës në mesin e kësaj barbarie është se ai është pjesë e Qeverisë: është ministër, dhe absurdi tjetër edhe më i madh është se këtë të fundit Qeveria e ka marrë nën mbrojtje si përbërës i Qeverisë. Përfundimi është se ne jemi në luftë me Qeverinë që e kemi zgjedhur vet për një ministër fashist serb, i cili e funksionalizon Serbinë përbrenda Kosovës, duke qenë pjesë e institucioneve të saj.

Manifesti i kësaj ngjarjeje vazhdon me protesta me qytetarë nga qytete të ndryshme, duke protestuar për shkarkimin e tij nga posti i ministrit, ndërsa në anën tjetër Qeveria dhe Kryeministri Isa Mustafa nuk e kanë bërë as edhe një lëvizje për zgjidhjen e problemit. Duket se tendencat klanore vijnë përpara ndjenjave të qytetarëve, veçanërisht të familjeve që kanë humbur njerëz në luftën e fundit. Krejt çka ata kanë bërë deri tash, janë disa sugjerime drejtuar Jabllanoviqit për kërkimfalje, i cili edhe e paska bërë; një kërkimfalje të vyshkur e të zorit, një kërkimfalje me përplot dyshime dhe absurde i cili nuk përmirëson asgjë në tërë këtë situatë. Protestuesit duan shkarkimin e tij dhe vetëm kështu qetësohet sedra e një nëne që ka humbur djalin në luftë.
Shikuar nga një rrafsh tjetër problemi qëndron tek pushtetmbajtësit: ata janë përgjegjësit se pse një Jabllanoviq vjen në Qeverinë tonë dhe realizon premisat e shtetit serb i cili qëndrimin ndaj shqiptarëve e ka po të njejtin sikur në kohën e Millosheviçit. Por kështu është kur interesat e klanit puqen me interesat e Qeverisë serbe. Janë shkatërrimtare dhe perveç se na lënë të varfër e të pashpresë për një të ardhme, interesat klanore edhe na ofendojnë, neve të gjallëve dhe të rënëve!
Unë insistoj që protestat t’a rrisin dinamikën e vet duke protestuar jo vetëm ndaj deklaratave të Jabllanoviqit, por edhe ndaj kësaj qeverie si tërësi paradokset e së cilës janë mahnitëse, por që kthehen në mënyrë perfekte në favor të vetin individual e grupor. Përndryshe po krijuam hapësirë për Jabllanoviqa ata do të jenë shumë, dhe do të ofendohemi për një kohë të gjatë, pasi që këta e kanë një shtet, por jo Kosovën. Shteti i tyre është Serbia, dhe ata janë në funksion të tij!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here