Ja si u vendos që të ndërpritet greva në sektorin e arsimit

0

Ndonëse e diel, sot SBASHK-u ka patur aktivitete të pandërprera me qëllim të marrjes së vendimit rreth vazhdimit apo ndërprerjes së grevës që e kishte nisur gjatë javës së kaluar në institucionet arsimore të Kosovës. Pas një sërë takimesh me strukturat drejtuese të sindikalistëve të arsimit por edhe me Ministrinë e Arsimit është marrë vendimi që nesër të të vazhdohet mësimi. Është formuar një komision i përbashkët me Ministrinë e Arsimit që të evitohen gabimet evidente në listat e pagave.

 

Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e plotë të SBASHK-ut rreth marrjes së vendimit për ndërprerjen e grevës:

 

Nga e hëna mësimdhënësit prapë në shërbim të nxënësve
Në takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit Drejtues të SBASHK-ut, kryetari Rrahman Jasharaj i njoftoi të pranishmit se Kryesia e SBASHK_ut në orën 13 mbajti mbledhje të jashtëzakonshme duke analizuar të dhënat e arritura nga kryetarët e sindikatave komunale përmes bisedave telefonike gjatë gjithë ditës së djeshme. Nga këto raportime konkludohet se në listat e pagave të muajit prill ka mjaft gabime në llogaritjen e viteve të përvojës së punës, por gjithashtu konkludohet se përvoja e punës është paguar më 0.5 % në pagat bazë aktuale për çka e konsiderojmë si një arritje e SBASHK-ut . Kjo ngase nga 18.886 të punësuarve sa u paguhej përvoja dikur e deri në muajin mars 2015 , tani u paguhet rreth 29.000 të punësuarve në arsim. Po ashtu të pranishmit kryetari Jasharaj i ka njoftuar për takimin e sotëm mes SBASHK-ut e Ministrit Bajramit dhe kabinetit të tij. Në këtë takim pas një diskutimi korrekt palët kanë ardhur në përfundim se duhet vazhduar me dialogun në shërbim të arsimit, jo vetëm për pagat dhe zbatimin e Kontratës Kolektive por edhe për të gjitha çështjet në interes të arsimit në përgjithësi. Ata janë dakorduar se bashkëpunimi do të jetë korrekt nga të dy palët.
Pas kësaj u zhvillua një debat dhe janë ngritur vërejtje ku pjesa më e madhe e kryetarëve kanë paraqitur qëndrimet e anëtarësisë nga komunat e tyre dhe ishin të mendimit se greva duhet të pezullohet , gjë që nënkupton se mësimi rifillon të hënën, më 4 maj.
Pritet që SBASHK, MASHT dhe MF të ngritin një komision të përbashkët që do të angazhohet për evitimin e gabimeve që janë paraqitur në listat e pagave të muajit prill. Kishte aty e këtu edhe diskutime kundër ndërprerjes së grevës, por pas hedhjes në votim me një votë kundër dhe dy abstenime u vendos që të hënën , më 4 maj, të rifillojë procesi arsimor në gjithë Arsimin Parauniversitar.
Përfaqësuesi i SUSHK-ut, Bardh Bardhi, është deklaruar se të hënë Kuvendi i Sindikatës së Universitetit do të mbaj takim të jashtëzakonshëm dhe do të vendos për hapat e ardhshëm të veprimeve sindikale në Universitet.
Edhe një herë falënderojmë të gjithë të punuarit në arsim që kanë përkrahur vendimin e Këshillit Drejtues të SBASHK-ut të datës 27 prill për grevë të përgjithshme dhe i garantojmë ata se gjithmonë do të jemi në mbështetje të kërkesave të drejta të anëtarësisë dhe kërkojmë mirëkuptim nga ata edhe në ato raste kur kërkesat e tyre dhe të SBASHK-ut nuk mund të realizohen ashtu si dëshirojmë .
Po ashtu falënderojmë nxënësit dhe prindërit për mirëkuptimin e tyre gjatë këtyre dy ditëve të grevës dhe i garantojmë se me përkushtimin maksimal të mësimdhënësve ajo që, eventualisht, është humbur në procesin mësimor do të arrihet.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here