Ja pse jemi fajtor vetë ne, qytetarët dhe opinionistët e këtij vendi!

0

SHKUMBIN KAJTAZI

Kosova në historinë e vet të pasluftës, s’është që nuk është përballur me kriza e probleme të vazhdueshme. Në fakt, ato kanë qenë të shpeshta. Që nga trazirat e marsit, që provokuan që lufta të ri-filloj, e deri tek protestat e herë-pas-hershme të grupeve opozitare, siç janë këto të fundit. Por, kaosi dhe problemi më i madh, është shkaktuar tash së fundi, kur mbi 50 mijë qytetarë lëshuan vendin, për të kërkuar, sic është përsëritur shumë herë edhe nga vetë ata: “një jetë më të mirë”.

Thënë të drejtën, jeta tani në Kosovë , s’është që ka dallim shumë me jetën e disa viteve më parë. Ne, edhe pse jemi në kolaps ekonomik për momentin, në situatë të tillë kemi qenë edhe një vit më herët. Jeta s’është që po shkon duke u përkeqësuar, madje po shkon duke u rregulluar me një ritëm minimal, por është në disproporcion të plotë me kërkesat, pritjet dhe shpresat e qytetarëve.

Problemet më të mëdha tonat, për momentin, janë vetdijësimi i qytetarëve për atë se kujt duhet t’ia japin votën, dhe ajo se cilin lider të opinionit publik(analist) duhet ta dëgjojnë e besojnë. Dy problemet që i përmenda, janë shkaktarë të problemeve të rradhës: qeverisjen e korruptuar dhe largimin e popullsisë. Në fakt, problemi i dytë është konsekuencë e të parës, por unë mendoj që në problemin e ikjes e kemi edhe një shkaktar: liderët e opinionit(analistët). Por, t’i marrim me rradhë.

Fajtorët kryesorë, shkaqe të së cilit janë stagnimi ynë ekonomik e zhvillimor në të gjitha fushat  dhe ikja e qytetarëve, janë liderët e vendit tonë – liderë, të cilëve vetë u kemi dhënë në dorë fatin tonë, e i kemi “mveshur” me pushtet.

Por, a mjafton që vetëm të evidentojmë fajtorin? A nuk do duhej që ne, si qytetarë në mbrojtje të interesit të përgjithshëm, të bëjmë më shumë që këtyre njerëzve, t’u shkurtohet loja me fatet tona?
Jo, nuk mjafton.
Dhe, për këtë jemi fajtorë të gjithë. Jam fajtor dhe unë, sepse përveç që nuk i dhashë votën disa njerëzve të korruptuar, s’bëra asgjë për t’u treguar njerëzve sa na kanë sjellë dëm këta, që na vijnë kokëlartë për të na përuruar një rrugë të asfaltuar në kohë fushate. Nuk arrita t’i bind qytetarë e të afërm të mi, që rruga që po u shtrohet në kohë fushate ju takon, e nuk është privilegj që po ua bën kush, që si kundërshpërblim t’ia japin një “qerre vota”. Nuk arrita t’iu them e t’i bind që votën duhet t’ia japin atij që do t’ua rritë mirëqenien dhe kushtet ekonomike. Nuk arrita t’ua argumentoj se në atë copë asfalti këta “gëlltitës parash”, kanë fituar sa tri herë çmimi i vërtetë i tij. Pra, nuk bëra asgjë si qytetar i këtij vendi për të parandaluar të keqen.  Unë, por dhe askush nga shoqëria civile, nuk arritëm t’i bindnim qytetarët se me votën e tyre do ta shkruajnë fatin e të gjithëve.
Dhe, për këto jemi fajtorë bashkërisht. Jemi fajtorë sepse lejuam një grup oligarkësh të pasurohen në kurrizin tonë, e si shkak i mos punës së tyre, po detyrohemi që bashkëqytetarët tanë t’i përcjellim për në rrugën e pashpresë  së “tokës së premtuar”.

Fajtori tjetër që, unë mendoj, ka shkaktuar apo i ka dhënë impuls qytetarëve që ta braktisin  vendin, janë vetë opinionistët, apo analistët, siç jemi mësuar t’u themi. Për këta të fundit, Sartori thoshte se kanë mundësinë të forcojnë një ide, apo edhe të diskreditojnë një tjetër(Giovani Sartori – “ç’është demokracia”). Dhe, kështu ndodhi pas zgjedhjeve të qershorit, e në vazhdimësi gjatë ngërçit gjashtëmujor. Para zgjedhjeve, u krijua diskursi se po që se edhe një herë PDK del e para, në Kosovë nuk ka më shpresë. Opinionistët tanë, vetëm e përsëritnin këtë frazë, që u bë edhe klishe e fushatës elektorale, por nuk bënin gjë për të ndikuar tek qytetarët që përnjëmend mos ta votojnë, sipas tyre, “të keqën e Kosovës”.
Madje, ata vetëm rritnin dozën e mllefit tek qytetarët, që edhe ashtu të lartë e kishin nga situata ekonomike. Pas daljes së rezultateve zgjedhore, u shokuam të gjithë. Pas gjithë asaj “lufte” mediatike kundër PDK-së dhe prijësit të tyre, nuk ia dolëm ta bindnim qytetarin që të mos e votoj. Madje, menjëherë pas rezultatit, ne i hodhëm benzinë paknaqësisë së qytetarëve, dhe mbytëm shpresën që kishte ngelë përnjëmend e fundit. Personalisht unë, dola me një status në rrjetet sociale, që tash jam pishman që e kam bërë, “Unë do të iki për në Ruandë”. Mëpastaj, doli që isha në një frekuencë me opinionistët, sepse edhe ata veçse ishin deklaruar se shpresa për ndryshime ka marrë fund.
Ne, nuk ishim të vetdijshëm që po i fryejmë një zjarri, që do shpërthejë me një valë të fuqishme migrimi. Fatkeqësisht, doli prognoza ime. Por, nuk ika unë personalisht, por iku një pjesë e imja: shokë e shoqe e gjithë bashkëqytetarët e tjerë.

Opinionistët nuk e kryen detyrën e tyre qytetare. Nuk e arritën ndikim që mund ta kenë tek qytetarët. Nuk arritën t’i bindin votuesit se të keqes së 7 vjeçarit të fundit, duhet t’i jepet fund më 23 qershor.
Çka ju takon, nuk arritën ta bëjnë si duhet, por atë së cilës duhet t’iu ruhet, e bën në mënyrë “maestrale” – i bindën qytetarët që shpresa është në koma, dhe se të gjallë mund ta mbajmë vetëm me “shërim jashtë vendit”.

Këta, unë i shoh si fajtorët kryesorë për gjendjen e krijuar tash së fundi. Dikund janë fajtorë me moskryerjen e detyrës qytetare që u takon, e dikund si ndikues i jashtëm dhe i nënvetdijshëm në egzodin e shkaktuar nga ata, të cilët është dashur të mos i votonim kurrë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here