Ja me çfarë prioritetesh thotë se do ta ngriste cilësinë në arsim AAK-ja

0

Departamenti i AAK-së për Arsim, së bashku me Grupin Parlamentar dhe strukturat tjera profesionale brenda degëve, i ka analizuar rrjedhat në arsimin e Kosovës “dhe ka dalë me konstatime të bazuara”. Këto konstatime i kanë përcjellë në një konferencë për media, sot, kryesuesi i Departamentit të AAK-së për Arsim, Jonuz Salihaj dhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu. Ata i kanë treguar prioritetet e AAK-së në sektorin e arsimit të cilët sipas tyre do ta ngrisnin nivelin e të arsimuarit në Kosovë. Ja prioritetet e AAK-së:

1. Themelimi i një forumi arsimor gjithëpërfshirës të institucioneve dhe organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare, për të siguruar se Kosova do të marrë vendime të qëlluara politike afatgjate, për të garantuar një sistem arsimor efektiv.
Forumi sipas zyrtarëve të AAK-së do të garantonte mbështetje të fuqishme politike dhe konsensus politik për depolitizimin e arsimit.
2. Garantimi i mekanizmave efikasë për inspektimin e arsimit publik dhe privat dhe rishikimi i procesit të licencimit dhe akreditimit të institucioneve arsimore.
AAK ka tërhequr vëmendjen se ky proces është shumë emergjent në nivelin e arsimit parashkollor, në sektorin privat dhe në arsimin e lartë publik dhe privat.
3. Formimi dhe funksionalizimi i Qendrës Nacionale për Vlerësimin e Jashtëm.
Sipas AAK-së “mekanizmat e vlerësimit efikas të sistemit arsimor aktualisht në Kosovë nuk ekzistojnë”.
4. Ndryshimi i rrjetit të shkollave profesionale dhe institucioneve të arsimit të lartë paraqet një tjetër prioritet programor të AAK-së.
Rrjeti i shkollave profesionale dhe institucioneve të arsimit të lartë, sipas AAK-së është në shpërputhje totale me kërkesat e tregut të punës në Kosovë. Vendi sipas këtij subjekti ka potenciale të fuqishme në energjetikë dhe miniera, në bujqësi dhe veterinari, në kimi dhe jometale, “por numri i nxënësve dhe studentëve në këta lëmenj është simbolik”.
5. Krijimi i mekanizmave efikasë për aftësimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve.
“AAK angazhohet për t’iu siguruar mësimdhënësve statusin profesional, status ky i cili është i domosdoshëm për të realizuar synimin për një shoqëri të arsimuar, pa diskriminim dhe jotolerancë. Prandaj, aftësimi i vazhdueshëm i mësimdhënësve është prioritet kyç për AAK-në”, kanë vënë në pah zyrtarët e AAK-së.
“Ne jemi të shqetësuar me procesin e abuzimit me vende të punës nga disa drejtori komunale të arsimit, duke fshehur normat e orëve për militantët partiakë dhe duke i eliminuar profesionalistët, të cilët po pësojnë për shkak se mendojnë ndryshe nga militantët e partive në pushtet”, janë shprehur ata.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here